Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Naim Berisha: Shembja e Teatrit Kombëtar sulm ndaj historisë, asnjë godinë tjetër nuk e mbush dot boshllëkun, humbi një pasuri shpirtërore

Naim Berisha: Shembja e Teatrit Kombëtar sulm ndaj historisë,

Aktori Naim Berisha shprehet se me rrënimin e godinës së Teatrit Kombëtar, vendi ynë humbi një pasuri të pakthyeshme shpirtërore dhe historike. Aktori Naim Berisha shprehet se çdo godinë që të jetë në vend të saj do ta shpërfytyrojë atë pjesë të Tiranës. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori Naim Berisha, thotë se institucionet shtetërore janë përgjegjës për mos restaurimin, e tani edhe për shembjen që ju bë kësaj godine. Për aktorin Naim Berisha që dhe më parë ka reaguar për problemet që has sot arti dhe kultura, Ministria e Kulturës është përgjegjësja kryesore për mosmarrjen në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar, sidomos me hyrjen e saj në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë. Aktori flet edhe për qëndrimin e Shoqatës Sindikale të Teatrit Kombëtar të Kosovës për Teatrin Kombëtar në Tiranë. Si nënkryetar i saj ai shprehet se ndihet i paqtuar me veten, që kryeson një subjekt si Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që ishte një ndër të vetmet shoqata teatrore në Kosovë, që e mbështeti kauzën e mbrojtjes së teatrit prej fillimit. Në vijim të problemeve të artit dhe kulturës, aktori pohon dhe vështirësitë me të cilat përballen artistët në jetën artistike, ku sipas tij problemet nisin që nga çështjet me ligjet.

-Shembja e Teatrit Kombëtar ka ngjallur reagime të shumta. Për ju çfarë ka sjellë kjo humbje?

Godina e Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, ishte një ndër objektet e rralla të trashëgimisë së kulturës të ngelura në Tiranë e cila për vlerësimin tim, duhej të ruhej më ç’do kusht. Shembja e kësaj godine, është sulm mbi historinë materiale të vendit. Më zhbërjen e këtij objekti, institucionet aktuale ekzekutive të shtetit, treguan mos respekt për historinë dhe të kaluarën e artit teatror të vendit. Me rrënimin e saj, Shqipëria humbi një pasuri të pakthyeshme shpirtërore dhe historike, boshllëkun e të cilës, nuk mund të kompensoj arkivimi i çfarë do të dhëne rreth tij, kudo qoftë. Kam bindjen e thellë, se ndërtimi i çfarë do godine tjetër në vend të saj, lëre më që nuk do të arrijë ta mbushë boshllëkun që ajo la, por këtë pjesë të Tiranës e cila për guston dhe ndjesinë time ishte pjesa më e bukur e saj, do ta shpërfytyrojë.

-Sa përgjegjësi kanë institucionet në vend dhe si i keni parë deri tani qëndrimet e tyre lidhur me këtë çështje të Teatrit Kombëtar?

Institucionet shtetërore, janë përgjegjëset e vetme për mos restaurimin, e tani edhe për shembjen që ju bë kësaj godine. Më përjashtim të reagimeve të fundit nga institucioni i presidentit,nuk kam parë ndonjë institucion tjetër të shpërfaqë ndjesinë apo interesimin, për ruajtjen e këtij monumenti. Fatkeqësisht para disa vitesh nga e njëjta nomenklaturë politike, që udhëheq sot Shqipërinë me arsyetimin e kthimit të kujtesës historike, disa relikte të kohës së diktaturës, u zhvendosën nga koha e diktaturës në qendër të Tiranës, kurse tani me arsyetimin e ndërtimit të një objekti modern, shembet një objekt historik, mu pranë vendvendosjes së këtyre relikteve. Zhvendosjen e këtyre bunkerëve në qendër dhe rrënimin e godinës historike të Teatrit Kombëtar, nuk kam se si ta kuptoj ndryshe, veçse zhvendosje në kohë të autokracisë, për të shemb muret e demokracisë, të ndërtuara me mund ndër vite.

-Ju i jeni bashkuar me qëndrimin tuaj Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, e cila ka nisur protestat. Çfarë mund të na thoni dhe për deklaratat, që kanë bërë artistët nga Kosova?

Kauza për mbrojtjen e godinës së Teatrit Kombëtar të Shqipërisë, nga komuniteti respektiv në Kosovë ka pasur dy lloje mbështetësish; mbështetësit e vërtetë, që i qëndruan besnik kësaj kauze prej fillimit, duke dhënë mbështetje të vazhdueshme për ta mbajt godinën në këmbë dhe mbështetësit hipokritë, që prisnin momentin e shembjes për tu ngritur vetë, duke vajtuar kumbueshëm mbi gërmadhat e saj. Në mesin e tyre për habi ka edhe të tillë, që në fillim dolën hapur pro shembjes me editoriale në mediat e shkruara, për t’ia hap varrin godinës dhe më vonë me maskë në fytyrë dolën kundër shembjes jo pa paramendim, por për të mbajt fjalimin mortor në varrimin e saj. Ndihem i paqtuar me veten që e kryesoj një subjekt si Shoqata Sindikale e Teatrit Kombëtar të Kosovës, që ishte një ndër të vetmet shoqata teatrore në Kosovë, që e mbështeti këtë kauzë prej fillimit. Është dëshpërues fakti, se asnjë subjekt tjetër i fushës së teatrit, përveç kësaj sindikate nuk doli qoftë edhe me një deklaratë të vetme publike në mbështetje të kësaj kauze dhe mbrojtësve të saj më herët, kur u mor në fillim vendimi për shembjen e godinës, kur më 24 korrik 2019 u sulmuan pamëshirshëm mbrojtësit e godinës, kur u mor vendimi për bartjen e kësaj pasurie publike nga qeveria tek bashkia, kur këshilli bashkiak mori vendim definitiv për rrënim, por këto reagime ndodhën vetëm në fund, kur teatri u shemb.

-Me këto që ndodhën sipas jush sa kanë bërë institucionet, Ministria e Kulturës në mbrojtje të vlerave të trashëgimisë?

Perceptimi im është se Shqipëria si demokraci e brishtë, vuan nga liderizmi dhe mungesa e sundimit të ligjit. Në një situatë të tillë, ku eprori më i lartë ka fuqi të pakontestueshme vendosëse, institucionet vartëse e humbin fuqinë e tyre. Personalisht e kam pritur me shumë simpati rinovimin e disa monumenteve periferike të trashëgimisë nga kjo ministri, si përshembull shtëpinë e lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare në Gjirokastër. Por investimi dhe rinovimi i monumenteve të tilla sekondare për nga rëndësia, nuk e shfajëson këtë institucion për fillimisht neglizhencën e treguar në restaurimin e Teatrit Kombëtar dhe mos parandalimin e vendimin për shembjen e godinës së tij. Pa marrë parasysh fuqisë së saj vendimmarrëse, Ministria e Kulturës është përgjegjësja kryesore për mosmarrjen në mbrojtje të godinës së Teatrit Kombëtar, sidomos me hyrjen e saj, në listën e 7 monumenteve më të rrezikuara në Evropë.

- Si aktor i teatrit, sipas jush me çfarë problemesh janë përballur deri tani artistët në jetën artistike?

Problemet janë nga më të ndryshmet, që nga mungesa e hapësirës për shpërfaqje të potencialit artistik, deri tek problemet financiare dhe ato të diskriminimit, të cilat janë të ndërlidhura kryekëput më mungesën e sundimit të ligjit. Fatkeqësisht, sot një aktor i talentuar nuk e ka të sigurt rrugën e tij drejt suksesit, për shkak të mungesës së sistemit të vlerave dhe ndërhyrjeve të përhershme nga lart edhe në këtë lëmi të kulturës.

-Çfarë do të donit që të ndryshonte në zhvillimin e artit dhe kulturës?

Për zhvillimin e artit dhe kulturës tek ne, duhet të ndryshohet qasja që ka politika ndaj artit dhe institucioneve të kulturës, fillimisht duke u përzier më pak në funksionimin e tyre dhe duke investuar me shumë financiarisht. Një faktor i rëndësishëm është miratimi i kuadrit adekuat ligjor dhe zbatimi rigoroz i këtij kuadri.

-Për shkak të pandemisë nga koronavirusi aktivitetet artistike janë ndërprerë. Sa ju ka penguar ju kjo situatë si aktor?

Nuk mund ta abstragojmë faktin, së pandemia ka sjellë një ç’rregullim të përgjithshëm në funksionimin e jetës, përfshirë edhe ndikimin e drejtpërdrejt të saj në aktivitetet artistike. Duke qenë së unë përveç aktrimit dhe regjisë merrem edhe me shkrime, këtë kohë më shumë e kam konsumuar duke ju përkushtuar këtij vokacioni, si dhe po i përpunoj idetë për disa projekte të ardhshme.

- Me kalimin e kësaj gjendjeje çfarë mendon se duhet të jetë primare nga institucionet për jetën artistike, si në Kosovë por dhe Shqipëri?

Primar duhet të jetë krijimi parakushteve për punë në kohë post pandemie, ku institucionet duhet të pajisen me mjetet e nevojshme sanitare, në mënyrë që të mos rrezikohet rishfaqja e sëmundjes dhe jeta e personelit. Në linjë më këtë, pasi sëmundja si e tillë nuk do të jetë tërhequr plotësisht, është mirë që institucionet fillimisht të përgatisin shfaqje me më pak aktorë, si dhe të lejojnë publik me numër të kufizuar për frekuentimin e tyre, deri me kalimin e plotë të rrezikut nga pandemia.

- Si aktor çfarë mund të thoni për aktivitetin tuaj, projektet që mendoni në vijim?

Kam përshtypjen se kur gjërat para tregohen e humbin fuqinë e tyre dhe rrezikojnë të mos realizohen, për shkak të humbjes se energjisë se tyre krijuese gjatë procesit krijues, prandaj mendoj se ato duhet të ruhen për t’u shfaqur në kohën e duhur pa bërë zhurmë, për të arritur efektin e synuar.

- E vështirë të jesh artist sot në kohën që po kalojmë?

Regjisori i madh polak Jerzy Grotowski aktorët i ndante në dy grupe; në aktorët e shenjt dhe aktorët kurtizan. Aktorët e shenjt sipas Grotowskit vihen në flijim para publikut, kurse aktorët kurtizane i vardisën publikut. Aktorët e shenjt jetojnë për artin e tyre, kurse aktorët kurtzian jetojnë për lekun e tyre. Ta ruash shenjtërinë në këtë kohë, po është shumë e vështirë, por për njerëzit idealist asgjë nuk është e pamundur.

Intervistoi: Julia Vrapi