BREAKING NEWS

Përballet për herë të parë me zërat kritikë ndaj tij, zbulohen 2 lëvizjet e rëndësishme të Lulzim Bashës ditën e sotme

Përballet për herë të parë me zërat kritikë
x

Kultura

 Najada Hamza, me një ekspozitë personale që ndahet në tre pjesë në galerinë FAB

 Najada Hamza, me një ekspozitë personale që ndahet në

Punimet e artistes Najada Hamza nga nesër publiku mund ti gjejë në galerinë FAB, në Tiranë. Ekspozitës personale “because hope gives me strength l do not fear” është e kuruar nga Arba Baxhaku dhe Ardian Kapo. Kjo ekspozitë bëhet pjesë e jetës artistike dhe është në vijim të atyre që janë hapur më parë në galerinë FAB, pranë Universitetit të Arteve. Në tekstin kuratorial Arba Baxhaku shprehet se cikli i pikturave të ekspozuara është në vetvete fryt shtresimesh të panumërta. Sipas kuratores, veprat janë krijuar me anë të mbivendosjes së gjatë e të duruar të shtresave jo-materiale, ndër to referenca vetjake, kujtime të largëta a frymëzime. “Të gjitha këto stivohen mbi njëra-tjetrën, të përkthyera në formë nëpërmjet shtresave fizike materiale, si kanavaca, lini, kadifeja, printimi në pëlhurë, kolazhi, ngjyra dhe rezina. Përzgjedhja nxjerr në pah sesi shndërrohet në prekje, falë procesit artistik, vargu i gjatë i përsiatjeve mendore dhe emocionale. Kjo ndjesi e prekjes gjendet qysh në zanafillë të jetës, pasi tekstili është pështjella e parë që mirëpret njeriun e sapolindur. Nuk është rastësi që edhe në Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe, “shtroja” është kuptimi i parë që i jepet fjalës shtresë”, thotë kuratorja. Njëlloj e shtresuar vijon teksti kuratorial, zhvillohet edhe analiza e interpretimi i këtyre veprave, te të cilat, bazës fillestare të përbërë nga një matrice teorike, i mbivendoset interpretimi personal i artistit, ndërthurur me poetikën e veprave. “Interpretimi lind në vetvete si bashkëbisedim mes kuratores dhe artistes, dialog ku mbivendosen pa u ndeshur e në harmoni të plotë dy këndvështrime komplementare. Nga njëra anë, qasja analitike e arkitektes-kuratore, e cila qëmton lidhjen universal mes artit dhe aktit njerëzor të ndërtimit përmes një suaze teorike. Pra, thënë ndryshe, kërkimin për një lloj arsyeje të ekzistencës së dekorit në arkitekturë. Ndërsa nga ana tjetër, pikë-vështrimi i artistes, që arrin t’i shtojë kësaj analize të jashtme komponentin e saj personal, referencat e shtresuara të formimit artistik, si dhe shtysën e kontekstit aktual të jashtëzakonshëm, për të sjellë krijimin e pikërisht këtij cikli pikturash. Janë lexime të shkëputura, të cilat takohen në veprën e Najadës për të lidhur bashkë pjesët përbërëse të ndara në një narrativë të krijimit”, thuhet për ekspozitën.

 Prezantimi në galeri

Ekspozita ndahet në tri pjesë dhe tre tipologji objektesh, të shpërndara në tre odat e hapësirës së galerisë, të cilat rrëfejnë përjetimin e autores lidhur me vitin e pazakontë pandemik. Fragmente armaturash mesjetare, helmeta e parzmore shërbejnë si metaforë e mburojave mendore e fizike që gjithkush, anembanë globit, u detyrua t’u shtojë organeve jetike për të ndalur depërtimin e virusit. Cikli i pikturave shprehet në tekstin kuratorial Arba Baxhaku, ka për qëllim të tregojë hap pas hapi procesin e frikës dhe ngurtësimit mendor që pësuam gjatë gjithë periudhës së pandemisë, kur truri u kthye në rojen e trupit. “Mbrojtjes mendore i shtohet ajo fizike e arsenalit të pasur mjekësor të maskave, skafandrave, dezinfektuesve e larësve të ndryshëm, të cilët iu shtuan veshjes së përditshme. Kësisoj, zhgualli i hekurt që dikur vishte kalorësin mesjetar, vesh tanimë njeriun bashkëkohor, përherë në mbrojtje. Spikat në këtë formë një kontradiktë: këto gjeometri të mbrojtjes, të rrahura në hekur me detaje të imta artistike dhe zbukuruar me motive vegjetale, njësoj sikur tekstilet e Semper-it, në përfytyrimin kolektiv janë gjithnjë të zbrazëta, paçka se parimisht kanë lindur për të mbrojtur jetën”, thuhet në mes të tjerave në tekstin e ekspozitës. Nëpërmjet procesit të transpozimit, autorja zbërthen armaturën në pjesë të veçuara, të cilat dëftojnë një përjetim personal: koka-helmetë e zbrazët dhe torso-parzmorja e një mendjeje të ngujuar në parashikime ogurzeza endet lart e poshtë nëpër skenaret e ditës duke kërkuar shpëtimin. Në tekstin kuratorial nga Arba Baxhaku, ndër të tjera për këtë ekspozitë në FAB thuhet edhe kjo i bashkohet rrjedhës së përçudnuar të kohës së këtij viti, kur frymëzimi për të krijuar tablotë erdhi befas dhe kërkoi të shfaqej me shpejtësi. “Një e nga një, veprat morën formë pa u menduar si nevojë e brendshme për t’u shprehur. Si thirrje instiktive për të nxjerrë prej vetes një ndijim. Ato u krijuan në harmoni të plotë me qëllimin universal të artit si shpëtimtar gjatë një viti të vështirë dhe i shpalosen publikut në muzgun e një kohe të errët, me një kremtim triumfues ngjyrash e drite nën frazën çliruese të helmetës “because hope gives me strength I do not fear””, vijon kuratoja Baxhaku. Ekspozita që hapet nesër do të qëndrojë deri më 1 maj në FAB.