BREAKING NEWS

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste dhe të formuar nga UDB-ja, ja si “gjeneralët” e tij takuan Arkanin

Rrëfimet e Spartak Brahos: Berisha e quante UÇK-në marksiste
x

Kultura

Natyra të qeta në tablotë e piktorit Gjergj Meta, veprat ekspozohen për herë të parë në një ekspozitë

Natyra të qeta në tablotë e piktorit Gjergj Meta, veprat

Piktori Gjergj Meta çeli ekspozitën e tij personale me tablo pikturash, që për herë të parë prezantohen për publikun. Piktori i njohur edhe këtë vit vijoi me një ekspozitë pikturash, që hap si gjithmonë në muajt e fundit të vitit. Në reagimin e tij piktori Gjergj Meta thotë se në këtë ekspozitë personale që u hap këto ditë në një hapësirë të Kullat Binjake, vazhdon me ritualin e tij. Në 18 tablo piktura janë natyra të qeta, por sipas piktorit Gjergj Meta vijnë në formate të ndryshme dhe të gjitha janë punë, që janë bërë në harkun kohor të njëzet ditëve prej tij. “Në këtë ekspozitë që është hapur te Kullat Binjake janë 18 tablo pikture, janë natyra të qeta që janë bërë për 20 ditë. Ekspozita nuk ka titull dhe u hap para pak ditësh. Kjo ekspozitë është një ritual, që në fund të vitit unë prezantohem me një ekspozitë personale te Kullat Binjake. Unë si piktor kam vite që e bëj këtë veprim në aktivitetin tim me pikturën. Këtë herë janë 18 piktura natyra të qeta, por që ekspozohen të gjitha për herë të parë për publikun. Janë piktura të punuara në disa mënyra dhe stile, janë në formate të ndryshme”, tregon piktori i njohur Gjergj Meta. Piktori prezantohet këtë kohë me piktura në vaj dhe sipas tij për publikun ekspozita e tij personale do të vijojë dhe dhjetë ditë për publikun, i cili mund ti shikojë veprat që prezantohen për herë të parë. “Janë punë që siç tregova janë bërë për 20 ditë, por ekspozita do të qëndrojë edhe dhjetë ditë të tjera për publikun. Natyra të qeta, që janë bërë në studio këtë kohë. Janë punime të gjitha në vaj”, tregon mes të tjerave për veprat e tij piktori Gjergj Meta.

 Aktiviteti në kohë pandemie

Piktori Gjergj Meta këto ditë prezantoi një ekspozitë personale, jo në një sallë ekspozitash por në një tjetër hapësirë. Në reagimin e tij, ai thotë se edhe pandemia ka ndikuar jo pak në aktivitetin e artistëve dhe krijuesve të ndryshëm. “Përgjithësisht është një presion që ekziston nga pandemia për shkak të mendimit, që produkti që ti prodhon, pra vepra e artit a do të shitet apo jo. Për ne që jetojmë vetëm me këtë punë e kemi shumë të rëndësishme shitjen e pikturave, ndërsa procesi më pas i përditshëm është ne nuk mund të rrimë dot pa pikturuar. Dhe jo vetëm që bëjmë këtë profesion, por dhe kjo është mënyra jonë e të jetuarit. Por është dhe gjendja e mundësia që të jep periudha e karantinës”, thotë piktori në reagimin e tij. Ndërsa 18 natyra të qeta janë ekspozuar te Kullat Binjake në Tiranë, piktori Gjergj Meta zbulon se vitin që vjen në projektet e tij është një tjetër ekspozitë personale. Piktori thotë se në kushtet kur janë pak salla për ekspozita, Muzeu Historik Kombëtar është vendi, ku ai do të jetë me pikturat. “Unë isha përgatitur për një ekspozitë të madhe personale në Muzeun Historik Kombëtar, por nuk mu krijuan mundësitë për ta hapur. Ndaj e kam lënë këtë ekspozitë në projektet e mia që ta hap vitin që vjen në Muzeun Historik Kombëtar me piktura. Nuk kam ende një afat se kur, por vitin tjetër mendoj se do ta hap në MHK. Jam te MHK sërish, sepse është pikë referimi për ne dhe nuk është se kemi edhe salla të tjera për ekspozita në Tiranë. Por gjithçka në punët tona varet nga situata, që po kalojmë me pandeminë. Puna me pikturën është e përditshme dhe nuk na pengon kush, por ekspozitat varen dhe nga koha që do kalojmë me pandeminë”, vijon më tej piktori i njohur. Piktori Gjergj Meta është i njohur dhe i vlerësuar me aktivitetin e tij prej vitesh me pikturën, por thotë se gjatë këtij viti ka qenë një pjesëmarrje jo sa do të kishte dashur në ekspozita dhe kjo dhe për shkak të kushteve me pandeminë. Por ai thotë se këtë vit mund të jetë me veprat e tij në një tjetër ekspozitë me të tjerë autorë, dhe bëhet fjalë për atë me titull “Brezat në arte”.