BREAKING NEWS

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria e Shëndetësisë jep detajet sa raste të reja janë shënuar me COVID

Surpriza ‘të pakëndshme’ 24 orët e fundit, Ministria
x

Kultura

Ndërron jetë aktori Xhemil Tagani, regjisorët: Aktor i karaktereve të spikatura

Ndërron jetë aktori Xhemil Tagani, regjisorët: Aktor i

Xhemil Tagani aktor i njohur me rolet e tij në ekranin e kinemasë dhe teatrit në vendin tonë ndërroi jetë në moshën 75- vjeçare. Mesazhe të shumta ngushëlluese për aktorin ishin nga miq dhe kolegë të tij. Për regjisorin Mevlan Shanaj, aktori Xhemil Tagani krijoi shumë karaktere në teatër. “Ishte mik i mirë, njeri social, simpatik, tironc tipik. Ka krijuar shumë karaktere në Teatrin Popullor. Linte gjurmë në miqësi! Ishim në një moshë dhe e uronim njëri- tjetrin për ditëlindje! Tani u ndërpre. Dhimbje.”, shprehet regjisori i njohur Mevlan Shanaj. Për kineastin Skënder Jaçe, Xhemil Tagani solli personazhe të spikatura në aktivitetin e tij. “Lamtumirë aktori ynë i karaktereve të spikatura”, shprehet Jaçe. Ministrja Elva Margariti shprehet se është një tjetër humbje për skenën dhe ekranin. “Xhemil Tagani, aktori i karaktereve të spikatura u nda nga ne. Mes dhjetëra rolesh do të mbetet i paharruar me interpretimin e tij te "Përrallë nga e kaluara", një nga filmat më të dashur të shqiptarëve! U prehsh në paqe!”, shprehet Margariti në një status të saj. Qendra Kombëtare e Kinematografisë shkruan se aktori Xhemil Tagani spikati veçanërisht me rolin e priftit në filmin “Përrallë nga e kaluara”, si dhe me rolin e beut tek filmi “Tokë e përgjakur”. Në kinematografi interpretoi në 1967 në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen”, 1969 “Përse bie kjo daulle”, 1976 “Fije që priten”, 1976 “Tokë e përgjakur”, 1984 “Fushë e blertë fushë e kuqe”, 1984 “Taulanti kërkon një motër”, 1985 “Gurët e shtëpisë sime”, 1987 “Përrallë nga e kaluara”, 1989 “Kush është vrasësi” dhe 1996 “Nata”. Teatri Kombëtar gjithashtu shpreh mesazh ngushëllues për ndarjen e aktorit Xhemil Tagani nga jeta. Në një material të publikuar TK shprehet se ai ka më shumë se 70 role në skenë. “U dallua për zërin e tij karakteristik dhe interpretimin profesional të karaktereve. Fillon punë si aktor në 1968 në Teatrit Popullor dhe mbetet pjesë e organikës së këtij institucioni derisa del në pension. Ka interpretuar mjaft role të dyta dhe episodike. U shqua për aftësitë e tij organike për të krijuar karaktere të mëvetësishme, më së shumti të këqyrura nga anët komike e sarkastike të tyre, mbushur me vese, huqe, mangësi fizike e shpirtërore apo me gazmend, hare e shpoti pa të keq”, shkruan TK. Veti të tilla u vunë re në rolet në shfaqjet “Fytyra e dytë”, “Nën dritat e skenës”, “Duke u gdhirë viti 145, “Monserati”. “Komunistët”, “Shtëpia me dy porta” e të tjera shfaqje. Xhemil Tagani u lind në Tiranë në 6 Shkurt të vitit 1945 dhe kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve në degën e Dramës.