BREAKING NEWS

CNN trondit demokratët në SHBA: Ja zgjidhjet ligjore dhe kushtetuese që Trump të qëndrojë në detyrë

CNN trondit demokratët në SHBA: Ja zgjidhjet  ligjore dhe kushtetuese
x

Kultura

Ndryshimet në ligj, kompozitorët përballë Margaritit: Tallje 30 vjeçare me ne, një katrahurë me të drejtën e autorit  

Ndryshimet në ligj, kompozitorët përballë Margaritit: Tallje

Një katrahurë me të drejtën e autorit në fushën e muzikës prej vitesh, në vendin tonë. Kështu u shprehën krijuesit për problemet me të drejtën e autorit. Dëgjesa publike nga ministrja e Kulturës për ndryshimet në ligjin për të drejtën e autorit me agjencinë “Albautor” riktheu debatet për zbatimin e ligjit. Ndryshimet në ligj për ministren Elva Margariti janë me rëndësi, pasi sipas saj nga monitorimet kanë vënë re se ka një mungesë transparence nga agjencitë. “Ka mungesë transparence në lidhje me tarifat e përdorimit të të drejtës së autorit edhe është konstatuar edhe një mungesë besimi e autorëve ndaj agjencive edhe ndaj ministrisë. Përdoruesit nuk janë të qartë në detyrimet e tyre edhe përcaktimi i të drejtës së autorit”, tha mes të tjerave ministrja. Për kantautorin Elton Deda, presidenti i “Albautor”, ka gjëra që MK duhet t’i rishikojë, por nuk mund të bëhen pa u konsultuar. “Ne nuk i kemi ndërhyrë ndonjëherë ministrisë, por po bën gjëra pa u konsultuar me ne. Duhet riparë tarifat, por as atë se kanë arrit as pas një viti e gjysëm. Ka shumë gjëra, që ministria duhet t’i rishikojë”, tha ai. Por dhe kompozitorë të njohur si Robert Radoja, Enver Shëngjergji apo dhe Miron Kotani folën për shumë prej problemeve me të cilat përballen sot krijuesit. I pyetur në fund të takimit, kompozitori Robert Radoja shprehu kritika në qëndrimin e tij se çfarë ndodh sot me ligjin. “Kjo tallje 30 vjeçare me autorë ka dy pamje. Ka pamjen morale, që shteti duke mos respektuar ligjin e vet quhet njëfarë mosmirënjohje. E dyta, në të gjithë botën ka një shpërblim që quhet i të drejtës së autorit dhe e treta e shfrytëzimit. Këtu janë 5 shoqata, që sa herë ndërrohen qeveritë bëhen të reja. Të gjithë ankohen dhe aty ku ne bëjmë pjesë te “Albautor” për detyrimet kryesori që konsumon muzikën është RTSH, që nuk ka paguar të drejtën e autorit. Na thërret ministrja në takim për të na thënë neve që shteti vjedh shtetin”, thotë Radoja. Më tej sipas tij, në këtë situatë duhet të ndërhyjë Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA). “Kjo punë nuk rregullohet me shoqata, sepse Shqipëria nuk bën dot shoqata, por rregullohet e centralizuar. Audiovizivet kush i monitoron dhe kontrollon? AMA. Kujt i paguajnë taksa televizionet dhe radiot, zyrës që mbledh taksat. Të dyja këto shteti i ka në dorë dhe çfarë pune ka të bëjë shoqata”, shprehet Robert Radoja.

Përgjegjësia dhe ligji

Kompozitori Robert Radoja thotë se ministrja e Kulturës që përfaqëson shtetin ka përgjegjësi për zbatimin e ligjit. “Ajo që ka përgjegjësi sepse ministrja është e shtetit nuk kërkon zbatimin e ligjit, por kërkon kontrollin e “Albautor”, një pikë uji në oqean. Ligjet derisa nuk zbatohen janë fjalë. Tek ne është bërë një katrahurë me të drejtën e autorit”, vijon më tej Radoja. Për kompozitorin Miron Kotani në Muzeun Historik Kombëtar ishte një takim mes debatesh e kundërshtish, por për tu përshëndetur. Sipas Kotanit krijuesit janë ende në pritje për të drejtën e autorit. “E drejta e autorit, një e drejtë e padhënë për autorët shqiptarë. 30 vite ndryshime ligjesh, administrimi, drejtorësh, etj, por në fund ende janë autorët që presin. Problematikat janë nga më të ndryshmet nga mbledhja e të ardhurave e deri te transparenca e shpërndarjes për autorët, gjë që ministrja shprehu vullnetin e saj për ndryshimin e situatës”, u shpreh Kotani. Në reagimin e tij kompozitori Miron Kotani thotë se ndryshimet në ligjin për të drejtën e autorit duhet të fokusohen dhe çfarë ndodh me të ardhurat për krijuesit. “Unë kërkova që në projektligj nëse do të ndryshohet të mblidhen të ardhurat, sepse ne jemi akoma tek 0,01 për qind e të mbledhurës të së tërës në Shqipëri. Ashtu si shteti na vë gjobën kur nuk e vëmë maskën të njëjtën gjë të bëjë dhe për të drejtën e autorit. Të gjithë që e përdorin muzikën, të ardhurat të mblidhen tek dritat dhe uji, te taksat. Kjo duke filluar që nga RTSH, dhe kur nuk e zbaton vetë shteti atëherë çfarë presim nga privatët?”, thotë Kotani. Sipas tij autorët vazhdojnë në pritjen e gjatë dhe nga të ardhurat që ndahen një kompozitor merr dhe 300 mijë lekë të vjetra në vit. “Pirateria vazhdon tek. Pse nuk arrin shteti të mbledhë këtë 99 për qind të të ardhurave dhe pastaj të bëjmë dhe transparencën e këtij 0.01 për qind. Si 200 mijë apo 500 mijë lekë të vjetra nuk ma zgjidh mua problemin. Një kompozitor merr të ardhura në vit nga “Albautor” sa një pastruese në muaj. 300 mijë lekë të vjetra në vit merr një kompozitor sot”, thotë Kotani. Artistët dhe krijues të muzikës në një afat kohor prej 20 ditësh do të dërgojnë propozimet e tyre në ministri për ndryshimet në ligj.