BREAKING NEWS

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep mesazhin e fortë

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep
x

Ekonomia

Ndryshojnë procedurat për sigurimin e automjeteve, rritet masa e dëmshpërblimit dhe shtohet kontrolli për kompanitë, sot miratohet ligji

Ndryshojnë procedurat për sigurimin e automjeteve, rritet masa e

Parlamenti pritet të miratojë sot ligjin “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”. Institucionet kontrolluese kanë evidentuar një sërë problematikash dhe abuzime të bëra në ligjin për sigurimin e automjeteve, prandaj qeveria ka vendosur ta ndryshojë atë. Pas shqyrtimeve Komisioni i Ekonomisë, si komision përgjegjës, ka vendosur që ligji i ri të ndryshojë tarifat e primeve për sigurimet e transportit publik. Konkretisht, parashikohet që, dëmshpërblimi nga kompania e sigurimit për mjetin e dëmtuar të rritet me 5 milionë lekë për çdo kategori. Gjithashtu, do të rritet në 22 milionë lekë dëmshpërblimi për çdo person të dëmtuar nga 20 milionë lekë që ishte më parë. “Rritja me 50 për qind e limitit të përgjegjësisë për dëmet ndaj pronës, nga 10 në 15 milionë lekë të rreth 85 për qind të mjeteve motorike, konkretisht për autoveturat dhe mjetet e tjera motorike të ndryshme nga autobusë, kamionë dhe mjete që transportojnë lëndë të rrezikshme; Rritja me 33 për qind për autobusët dhe kamionët, përfshirë rimorkiot, nga 15-20 milionë lekë; Përsa i përket limitit të përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në një ngjarje sigurimi, në projektligj është parashikuar rritje e limitit me 10 për qind 20-22 milionë lekë dhe pas 5 vjetëve limiti i përgjegjësisë shkon nga 22 milionë lekë në 32 milionë lekë, duke u rritur me 60 për qind”, thuhet në relacionin e komisionit përgjegjës. Patjetër do të ketë edhe lehtësi procedurash për të reduktuar zvarritjet që u bëhen qytetarëve nga kompanitë e sigurimit. Në relacion sqarohet se, tani e tutje kompanitë e sigurimit do të kenë të drejtën të përcaktojnë tarifat, por do të shpërblejnë brenda dy javësh klientin me të cilin ka kontratën, me nivelin e përcaktuar në ligj. “Për të shmangur shkeljet e afateve në trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim, të cilat deri tani kanë sjellë vonesa në pagimin e dëmshpërblimit nga shoqëritë e sigurimit, si dhe për të rritur transparencën e procesit, projektligji parashikon disa afate dhe procedura të reja. Shoqëria e sigurimit detyrohet të paguajë dëmshpërblimin brenda 14 ditëve pas përfundimit të afatit të trajtimit të dëmit dhe nënshkrimit të deklaratës së pranimit të dëmshpërblimit”, thuhet në relacion.

Monitorim për kompanitë e sigurimit

Gjatë dy viteve të fundit janë evidentuar një sërë shkeljesh nga kompanitë e sigurimit kundrejt personit me të cilin ka kontratën. Prandaj, ligji i ri parashikon që gjobat për kompanitë që shkelin ligjin të rritet, duke shkuar deri në pezullim licence. Gjatë gjithë kohës kompanitë e sigurimit do të jenë në monitorim dhe duhet të zbatojnë kontrata sipas direktivave europiane. “Nga raportet janë evidentuar këto problematika: Mospagesat e dëmeve nga Fondi i Kompensimit; Luhatjet e çmimeve të primeve; Aftësia e ulët paguese e kompanive të sigurimi. Prandaj, masa e sanksionit me gjobë ndaj shoqërisë së sigurimit dhe Byrosë Shqiptare të Sigurimeve është rritur me 1.5 deri 2 herë në krahasim me ligjin ekzistues. Risi tjetër është që përveç dënimeve me gjobë, Autoriteti merr edhe masa administrative ndaj shoqërive të sigurimit që shkelin ligjin. Janë shtuar sanksione të reja ndaj Byrosë Shqiptare të Sigurimeve, janë shtuar lloje të reja penalitetesh, si pezullim apo revokim licence. Gjithashtu, janë shtuar masa ndaj Drejtorit të Byrosë dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve”, sqaron relacioni. Ndërsa në fund tregohet se ligji i ri do të reduktojë problematikat e këtyre viteve dhe do të rrisë numrin automjeteve të siguruara. “Ai do të sjellë reduktimin e numrit të mjeteve që qarkullojnë të papajisur me policën e sigurimit të detyrueshëm, përmirësimin e afateve dhe procedurave për dhënien e dëmshpërblimit, rritjen e masës së dëmshpërblimit, uljen e shpenzimeve të marrjes në sigurim, rritjen e edukimit dhe disiplinimit të përdoruesve të mjeteve motorike etj. Projektligji është i domosdoshëm, pasi sjell rritjen e shkallës së përafrimit me direktivat e BE-së, gjë që është kërkesë e Marrëveshjes së Stabilizim-Asocimit.