Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Nënshkruhet kontrata kolektive mes SPASH dhe Ministrisë së Kulturës, kërkohet ligj i ri për artin, ja detajet

Nënshkruhet kontrata kolektive mes SPASH dhe Ministrisë së

Kontrata kolektive e punës u nënshkrua për herë të pestë midis Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës. Për sindikatën e artistëve, u quajt një sukses për vetë situatën që po kalohet. Në ditën e nënshkrimit të kontratës, u zhvillua dhe një takim me përfaqësues të ministrisë për trajtimin e tre kërkesave, që ka paraqitur më parë sindikata. Julian Kazazi artist i Cirkut Kombëtar njëkohësisht dhe kryetar i Sindikatës së Artistëve të Tiranës shprehet se një nga kërkesat e tyre është dhe ligji i ri i artit, ku sipas tij në fillim pritet të nisë puna për statusin e artistit që mungon. “Në këtë takim u firmos kontrata kolektive. U diskutuan problematikat dhe çfarë kërkojmë ne. Në kërkesat tona është dhe statusi i artistit, ku rreth 80 për qind e këtij statusi është ulja e moshës së daljes në pensionit për disa kategori artistësh. Në ministri po merren me sondazhet e veta dhe u la që ata do të na njoftojnë në një takim të afërt, të bëjmë një tryezë të përbashkët për të marrë një vendim më pas për uljen e moshës së pensionit”, tregon artisti Kazazi, njëkohësisht dhe kreu i Sindikatës së Artistëve të Tiranës. Në lidhje me zhvillimet më të fundit mes Sindikatës së Pavarur të Artistëve të Shqipërisë dhe Ministrisë së Kulturës, Kazazi shprehet se nënshkrimi i kontratës kolektive ka jo pak rëndësi. Për artistin dhe kryetarin e Sindikatës së Artistëve të Tiranës kjo do të thotë, që të gjithë institucionet në varësi të ministrisë të respektojnë këtë kontratë. “Nënshkrimi i kontratës kolektive të punës i jep të drejtën të gjithë institucioneve në varësi të Ministrisë së Kulturës, që të respektojnë kontratën kolektive të punës me sindikatën dhe fillimin e një pune të përbashkët për uljen e moshës së pensionit për disa kategori artistësh”, thotë ai.

Kërkesa ligjore

Problem për artistët është dhe ana ligjore, ku në kërkesat e tyre është dhe një ligj i ri arti. Për artistin Julian Kazazi ligji aktual i 2010 ka sjellë probleme. Sipas tij, ligji aktual ka humbur funksionon sot. “Ne gjatë takimit që u zhvillua i kërkuam ligj të ri mbi artin dhe kulturën, duke qenë se ligji aktual është i vitit 2010. Tani jemi në 2020 dhe ai ligj nuk po funksion më për institucionet tona të artit. Ligji i 2010 ka humbur të gjithë funksionin dhe ka shumë probleme ana ligjore sot në administratat e institucioneve të artit dhe kulturës. Por kjo gjë do të ndërmerret në një hap tjetër, ku do të merret zyra juridike me pjesën e projektligjit”, vijon artisti Julian Kazazi. Kryetar i Sindikatës së Artistëve të Tiranës Julian Kazazi thotë se janë problematika, që duhet të trajtohen secila më vete, ku një prej kërkesave është dhe rritja e pagës me 10 për qind për punonjësit e artit dhe kulturës. “Janë tre problematika, që duhet të trajtohen secila në veçanti sepse kanë specifikën e tyre. E para normalisht që është statusi i artistit, ku do të nxirret një kosto financiare se sa do të jetë për shtetin në bazë të uljes së moshës së pensionit për disa kategori artistët, që janë edhe në televizione, në teatro në bashki të ndryshme si dhe në institucione private. Pra që të jenë të gjithë të përfshirë dhe më pas janë dhe dy kërkesat e tjerat, por që për mendimin tim duhen shtjelluar veç e veç”, thotë artisti Julian Kazazi. Duke folur për problemet ligjore, Kazazi pohon së për shkak të problemeve ligjore artistëve të rinj iu mbyllen dyert. “Të bëhet një ligj i ri, duke u futur dhe në politikat e institucioneve sepse në çdo institucion çështja më problematike është mbyllja e dyerve nga titullarët për brezin e ri. Pse? Sepse nuk ka vende pune dhe mosha e pensionit të artistëve është e lartë, që po na kthehen institucionet në azile pleqsh siç është shprehur Reshat Ibrahimi, president i SPASH”, shprehet më tej Julian Kazazi, kryetar i Sindikatës së Tiranës. Përballë këtyre problemeve, ku duket se është gjetur një dakordësi sipas artistëve me Ministrinë e Kulturës, ata tashmë janë në pritje të takimeve për zgjidhjen e tyre.