BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

“Netët e leximit të dramës shqipe” në edicionin e katërt, TK: Kalendari artistik 2021-2022, do t'i dedikohet veprave shqiptare

“Netët e leximit të dramës shqipe” në edicionin

Teatri Kombëtar rikthen pas tre vitesh aktivitetin “Netët e leximit të dramës shqipe”. Teatri bën me dije se ky është edicioni i katërt i aktivitetit “Netët e leximit të dramës shqipe”, konceptuar për herë të parë në vitin 2014, për promovimin e dramaturgjisë shqipe. Në një njoftim TK shprehet se pas suksesit dhe impaktit pozitiv me komunitetin artistik dhe teatërdashësit në edicionet paraardhëse “Netët e leximit të dramës shqipe IV” vjen këtë vit në një formë të re. “Në muajin nëntor, ky aktivitet do t'i dedikohet arkivës artistike, me rastin e festave të nëntorit dhe do të bëhet leximi publik i veprave “Hijet e natës” nga Vedat Kokona më 17 nëntor dhe “Prefekti” nga Besim Levonja që do të jetë më 29 nëntor”, shprehet Teatri Kombëtar, në një njoftim të tij. Leximet do të bëhen në eksterier tek “ArTurbina” konform të gjitha rregullave anti-covid dhe do të transmetohen online në faqen e Facebook të Teatrit Kombëtar. Edicioni i fundit i aktivitetit “Netët e leximit të dramës shqipe” u zhvillua në vitin 2017. Për këtë edicion të katërt Teatri Kombëtar njofton të gjithë dramaturgët dhe regjisorët shqiptarë, se duke filluar nga data 5 nëntor deri në 5 dhjetor 2020 mund të dorëzojnë pranë sekretarisë së institucionit veprat e tyre ose rikonceptime të veprave të vjetra shqiptare. “Vepra duhet të paraqitet në kopje të shtypura, të cilat duhet të dërgohen elektronikisht në adresën e-mail: [email protected]ëtar.gov.al dhe dhe t’i bashkëngjitet edhe një sinops i shkurtër”, shprehte Teatri Kombëtar në njoftimin zyrtar. Teatri Kombëtar njofton ky aktivitet do të kalojë në disa faza. Teatri në fazën e parë njofton të gjithë dramaturgët dhe regjisorët të sjellin veprat e tyre dhe në fazën e dytë do të bëhet seleksionimi paraprak i veprave më të përshtatshme për t’iu nënshtruar leximit publik. Teatri bën me dije se në fazën e tretë, veprat e përzgjedhura do t’i nënshtrohen sistemit të leximit publik të veprës artistike nga aktorë të këtij institucioni sipas një programi të paracaktuar, i cili do të bëhet publik. Teatri i leximit, i njohur dhe shumë i përhapur në të gjithë botën, për herë të parë u aplikua edhe në Shqipëri në edicionin e parë të këtij aktiviteti. Ndërsa ka publikuar rregullat për këtë edicion të katërt, TK bën me dije se kalendari artistik 2021-2022 do t’i dedikohet veprave shqiptare. “Në fund të edicionit , Teatri Kombëtar do të bëj publike edhe tekstet e dramës shqipe që do të jenë pjesë e repertorit të kalendarit artistik 2021-2022, i cili do t'i dedikohet plotësisht veprave shqiptare”, shprehet TK.

Vedat Kokona dhe Besim Levonja

Vedat Kokona (Izmir, 7 gusht 1913 - 14 tetor 1998) ishte një shkrimtar, përkthyes dhe leksikolog shqiptar, i shekullit të 20-të, i njohur edhe për fjalorët e tij dygjuhësh anglisht-shqip dhe frëngjisht-shqip dhe për kontributin e tij në leksikologjinë dhe leksikografinë shqiptare. Gjatë luftës botoi dy vëllime me poezi “Dritë dhe hije” Tiranë 1939, përmbledhje me nëntëmbëdhjetë vjersha dhe atë me satira “Shtatë prilli, Mussoliniada” Tiranë 1943. Si prozator, Kokona përmendet kryesisht për vëllimin “Yje të këputur” Tiranë 1940, përmbledhje e shtatë tregimeve me frymë moderniste, që e paraqitnin si një ndër prozatorët më të talentuar e më origjinalë të viteve të luftës. Ndër veprat e mëvonshme të Kokonës janë romani me dy pjesë “Me valët e jetës” Tiranë 1961, 1965, dhe drama “Hijet e natës” Tiranë 1966. Besim Levonja lindi në Elbasan më 16 mars të vitit 1922 dhe vdiq më 21 qershor të vitit 1968, ishte aktor dhe shkrimtar shqiptar. Veprimtarinë e tij artistike Besim Levonja e filloi që herët, në burgun fashist, në vitin 1942. Me krijimin e Teatrit Popullor në 1945 Besim Levonja është ndër të parët artistë që formuan grupin artistik të këtij teatri. Pjesa e parë që shfaqi Teatri Popullor nga dramaturgjia jonë është pjesa "Coni, Ishja, Roma" në vitin 1945. Por suksesin më të madh si krijues, Besim Levonja e arriti me komedinë "Prefekti" (dhjetor 1948), e cila për kohën qe një komedi e suksesshme. Rolet e tij në teatër janë të shumtë. Ndër kryerolet e tij në Teatrin Popullor përmendim Gjeloshin "Votra e huaj", plakun e urtë "Trimi i mirë me shokë shumë", Sokoli "Halili dhe Hajria", Tetarefi "Mikroborgjezët", varrmihësi "Hamleti", Dobçinski "Revizori", etj. Ka interpretuar edhe në filmat artistik "Toka Jone", "Debatik".