BREAKING NEWS

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të akuzuarit e mëdhenj ja vetëm do shpronësohen, por do burgosen

Lëvizjet e fundit në SPAK/ Paralajmëron Spartak Ngjela: Të
x

Kultura

Nikolin Gurakuqi: Institucionet tona nuk funksionojë si në Perëndim, gjithçka operon sipas klaneve, ja ku duhet të ndërhyhet

Nikolin Gurakuqi: Institucionet tona nuk funksionojë si në

Më shumë se katër dekada me aktivitetin artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit, regjisori Nikolin Gurakuqi ka sjellë në skenë shfaqje të suksesshme, që janë mirëpritur nga publiku dhe kritika. Vlerësuar me dy tituj “Naim Frashëri i Artë” dhe “Mjeshtër i Madh” në jetën artistike Nikolin Gurakuqi thotë se ndihet mirë, që me një karrierë prej 43 vitesh është shpërblyer me vlerësime dhe tituj të ndryshëm. Në intervistën për gazetën “SOT” regjisori i njohur i operës shqiptare thotë se dhe pse pak kohë më parë doli në pension, ka marrë propozimin për të vënë shfaqje operistike. Por problem për regjisorin e njohur Nikolin Gurakuqi është, që sipas tij institucionet e artit prej vitesh në vendin tonë nuk funksionojnë si në perëndim. Sipas tij, institucionet e artit në vend kanë nevojë, që të përmirësohen në funksionimin e tyre dhe kjo që në mënyrën e drejtimit të stafit, që përzgjidhet për ti drejtuar. Për regjisorin Nikolin Gurakuqi problem është dhe mungesa e veprave shqiptare në skenat tona. Sipas tij për veprat shqiptare duhet të ketë stimulim për autorët që i shkruajnë jo vetëm nga Ministria e Kulturës, por dhe TOB. Por sa i takon rikonstruksionit të Teatrit të Operës dhe Baletit, ku artistët kanë disa javë që janë rikthyer duke nisur punën në mjediset e reja, sipas tij janë bërë ndërhyrje që kanë ndryshuar kushtet në të cilat punonin dikur artistët. Por sa i takon hapjes së teatrove, në reagimin e tij regjisori Nikolin Gurakuqi thotë se nuk është dakord që ata të hapen, pasi për shkak të situatës me pandeminë rrezikohet të infektohen artistët.

-Keni një karrierë për më shumë se katër dekada në opera. Si ndiheni?

Unë kam bërë një karrierë të madhe në opera, jo të vogël. Një karrierë prej 43 vitesh dhe sigurisht që kur karriera shpërblehet artistikisht, shpërblehet me vlerësime, shpërblehet me titujt, shpërblehet me duartrokitje, me turne jashtë shtetit, sigurisht që ndihesh mirë. Kur nuk shpërblehesh ndihesh keq. Unë mendoj që artistikisht jam shpërblyer. Kam marrë vlerësimet shtetërore nga më të lartat, por vitet e fundit në jetën personale kam pasur dhe dhimbje. Kam humbur dy prindërit, humba dhe njërin djalë. Ndoshta këto kanë ndikuar shumë që unë mos ta ndjej daljen time tani në pension.

-Muaji i shtator ka nisur dhe me angazhimet tuaj si pedagog. Çfarë mund të na thoni për këtë pjesë të punës suaj me studentët ?

Unë këtë muaj jam duke dhënë mësim në Universitetin e Arteve. Kam filluar në universitet orët e prapambetura që nuk u bënë në sezonin që kaloi dhe po i mbyllim tani. Gjithashtu unë pres që të filloj dhe viti i ri shkollor, ku do të jap mësim edhe në Universitetin Europian.

-Në aktivitetin tuaj, po mendoni për të vijuar dhe me projektet artistike?

Pak javë më parë kur u takova me drejtoreshën e përgjithshme të Teatrit të Operës dhe Baletit Zana Çela për daljen time në pension, ajo më ofroi bërjen e projekteve të reja artistike. Unë si regjisor kam dorëzuar në Teatrin e Operës dhe Baletit projekt, por institucioni nuk e di vetë se kur do të fillojë. Por propozimin për të vënë përsëri shfaqje me projekte të reja artistike Zana më bëri.

-Pas dekadash një institucion me probleme Teatri i Operës dhe Baletit u rikonstruktua. Artistët pak ditë më parë u rikthyen dhe kanë nisur punën në mjediset e reja. Në gjykimin tuaj për këtë ndërhyrje që u bë në Teatrin e Operës dhe Baletit, çfarë mund të na thoni?

Unë kam qenë gjithnjë zëdhënës i rikonstruksionit të Teatrit të Operës dhe Baletit. TOB ishte degraduar në atë farë mase sa që kishte nevojë si institucion për një ndërhyrje totale. Unë kam hyrë brenda dhe i kam vizituar pothuajse të gjitha ambientet në Teatrin e Operës dhe Baletit, pas ndërhyrjes që u bë. Skena më ka pëlqyer shumë për hir të së vërtetës, teknika e ndriçimit, e gjithë teknika skenike manovrohet me kompjuter dhe kjo është padiskutim një risi shumë e mirë e skenës. Gropa ku rrinë instrumentistët e orkestrës së Teatrit të Operës dhe Baletit është bërë shumë e mirë. Ndërsa poshtë skenës është gërmuar tre kate, ku janë bërë xhepa dhe mund të prodhohen skenografi, si dhe mund të depozitohen skenografi. Ndërsa për sallën nuk është se ka marrë ndonjë pamje shumë të bukur, sepse i kanë hequr dy rreshtat anësorë ku futeshe, që e bënte qarkullimin më të lirshëm, gjithsesi ashtu e kanë menduar dhe nuk e diskutoj sepse është çështje arkitekture. Studiot e artistëve janë rinovuar mirë por dhe zyrat, po ashtu janë rinovuar dhe tualetet. Një gjë tjetër që më ka pëlqyer janë të gjithë dhomat e solistëve, që janë bërë brenda me tualete dhe lavamanë.

-Muaji shtator dikur lajmëronte dhe nisjen e sezonit artistik, por këtë vit për shkak të pandemisë gjërat janë më ndryshe për institucionet e artit në vendin tonë. Si regjisor, çfarë mund të na thoni për këtë situatë dhe institucionet artistike në vend, ku përfshihet dhe Teatri i Operës dhe Baletit?

Një soprano me famë botërore si Anna Netrebko u infektua me covid-19. Sopranoja bëri një turne muzikor në Itali, si Firence, “La Scala”, Verona etj, dhe rezultati ishte se ajo u infektua. Pra i gjithë sistemi teatror në vend edhe pse artistët nuk po durojnë kudo që janë dhe duan skenën, rrezikon shumë nga shfaqjet. Rrezikon që artistët të infektohen. Unë nuk jam që të fillojnë dhe të hapen teatrot. Është e sigurt, që do të infektohen artistët.

-Çfarë mendon për problemet ligjore që kanë institucionet në vend, pra mënyra se si po funksionojnë prej vitesh?

Çdo gjë duhet përmirësuar dhe rregulluar për institucionet e artit. Unë vazhdoj që të jem kritik për mënyrën se si funksionojnë institucionet e artit në vendin tonë. Sigurisht që institucionet e artit në vend kanë nevojë, që të përmirësohen në funksionimin e tyre. Kjo që në mënyrën e drejtimit të stafit, që përzgjidhet për ti drejtuar. Janë institucione ligjore, duhet të jenë institucione që funksionojnë me statute. Nuk funksionojnë me dëshira. Sigurisht që institucionet tona funksionojnë me klane, me grupe. Hiq një grup dhe vjen një grup. Unë kam 40 vjet që jam kritik me institucionet tona në vend, nuk jam sot. Institucionet tona nuk funksionojnë si në perëndim. Nuk funksionojnë as si në vendet e Ballkanit. Ata respektojnë 3 gjëra, ne nuk respektojmë asgjë.

-Ligj i ri për të drejtën e autorit u miratua në 2016. Për ju nuk po funksionon si duhet?

A njihni ndonjë artist në Shqipëri të institucioneve teatrore, që i paguhet e drejta autorit? Unë nuk di që të ketë artist në opera të ketë marrë shpërblim për të drejtën e autorit, as në ansambël.

-Dekada me operën, keni një vepër ju e veçoni në aktivitetin tuaj artistik?

Unë mendoj që pjekuria ime artistike si regjisor në opera erdhi me rritjen e peshës specifike të veprave të vështira. Dhe sigurisht që veprat e mia më të vështira, që kam vënë në skenë nga ana regjisoriale janë ato kur ishte Zhani Ciko drejtor në Teatrin e Operës dhe Baletit. Këtu dua të përmend veprat operistike “Turandot” e Puçinit, “Falstaff” të Verdit, operën “Aida”, “Ballo me Maska”, “Triptiku” i Puçinit, “Otello” e Verdit. Këto shënojnë dhe kulimin artistik të karrierës sime, si regjisor në opera.

-Herë pas here autorë të njohur shqiptarë janë shprehur se nuk ka nxitje dhe mbështetje financiare nga Ministria e Kulturës për veprat shqiptare. Ju si regjisor që keni vënë në skena dhe vepra operistike shqiptare, si e shikoni këtë dhe sa është shqetësuese për ju?

Është e vërtetë, që për veprat shqiptare duhet mbështetje. Unë si regjisor vitet e fundit kam vënë në skenë vepra shqiptare, përmend operën “Dhoma” të Ermir Dergjinit, kam vënë në skenë operën “Borana” të autorit Avni Mula. Por mund të ishte vënë dhe ndonjë opera tjetër shqiptare në skenë. Mendoj që krijimtaria shqiptare në skenë duhet nxitur dhe duhet mbështetur nga Ministria e Kulturës dhe TOB.

Intervistoi: Julia Vrapi