Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Prag lufte mes Turqisë dhe Greqisë! Kryeministri Rama befason gazetarin grek, ja çfarë i thotë për Erdogan

Prag lufte mes Turqisë dhe Greqisë! Kryeministri Rama befason
x

Kultura

Nikolla Llambro: Teatri ka humbur kolektivitetin, ndarja partiake i bëri jashtëzakonisht dëm, nuk ka mbështetje

Nikolla Llambro: Teatri ka humbur kolektivitetin, ndarja partiake i bëri

Aktori Nikolla Llambro është i njohur për rolet e tij në fushën e kinematografisë, por dhe në skenën e teatrit. Në një rrëfim të tij aktori i njohur flet jo vetëm për jetën artistike në vendin tonë, por dhe si është zhvilluar ajo në Greqi, ku ai jeton prej vitesh. Me problemet që solli pandemia aktori thotë se artistët gjenden përballë vështirësive të ndryshme. Në intervistën për gazetën “SOT” aktori Nikolla Llambro shpreh keqardhjen që teatri ka humbur shumë nga jeta artistike, si më parë. Aktori i dhjetëra roleve pohon se ajo që e dëmtoi teatrin në vend është bindja partiake, ndërsa shpreh shqetësimin dhe te niveli artistik. Aktori Nikolla Llambro, që prej vitesh jeton dhe zhvillon jetën dhe krijimtarinë artistike në Greqi, disa vite më parë në Festivalin Ballkanik të Filmit dhe Kulinarisë erdhi me rolin e Janit në filmin artistik “Maria” të regjisorit grek Thanasis Sarantos. Në kinemanë shqiptare për publikun, Nikolla Llambro është i njohur në rolet si partizani Gaqo në filmin “Nata e parë e lirisë”, apo roli i Zeman Mashkullorës në filmin “Liri a vdekje”, rolin e Mato Grudës në dramën “Njeriu me top”, shoferin në “Koncert në vitin 1936”, si dhe role të tjerë. Aktori Nikolla Llambro angazhimin e tij më të fundit në kinemanë shqiptare e ka në filmin “Të thyer”, me regji nga Edmond Budina.

-Si kaloi kjo periudhë për ju dhe përjetimi i pandemisë?

Që në fillim kur u shpall pandemia nga Organizata Botërore e Shëndetësisë këtu në Greqi ku unë jam të gjitha mediat shkruan, që të harrojmë si kemi jetuar deri më sot. Kjo mua më bëri të mendohem. Keni parasysh që në tetor të 2019 para se të shpallje pandemia, OBSH kishte shkruar se si do të përgjigjet dhe sa është në gjendje bota dhe ekonomia ti bëjë ballë një pandemie. Asnjë nuk e besoi, por më vonë u shpall pandemi. Unë kam bindjen që kjo është e organizuar dhe e stisur. Kaloi në disa viruse nga viti 2000 deri në fund, pra deri në 2019 me viruse të forta, por me sa duket ishin prova dhe duhej të krijohej një virus i frikshëm që ekziston. Jam i bindur për këtë, i cili të krijonte kushte dhe masa të tilla që njerëzit të frikësohen. E gjithë kjo bëhet për planin e globalizmit, që ka vite që diskutohet. Në atë që kam lexuar gjatë viteve është që popullsia e botës është shtuar shumë dhe duhet patjetër të ulet. Në 1971 me sa kam lexuar edhe diktatori Enver Hoxha tha që në të ardhmen nuk do të duhet të hedhim bomba, por mund të hedhim një virus, një mikrob thuhej atëherë që të bëjë atë dëm që duhet ta bënte lufta. Tani unë jam i bindur se kjo pandemi dhe virusi hapi probleme dhe krijoi kushte të tilla në shumë drejtime, që të na minimizojë kushte e jetës dhe anën psikologjike dhe ekonomike. Mbi të gjitha është e ardhmja e njerëzimit dhe fëmijëve tanë. Ne në Greqi u mbyllëm, dhe mbyllja për mua siç u tregua dhe nga Suedia ishte e qëllimtë për të krijuar frikën dhe njerëzit të mos reagojnë dhe veprojnë, dhe ata të bëjnë si të duan. Këtu në Greqi ka njerëz, që nuk e besojnë virusin, ka që e besojnë dhe janë dhe të tjerë që kanë shumë frikë. Gjatë kësaj kohe unë jetova me nipërit e mi dhe fëmijët e mi, sepse pa ata nuk jetoj dot dhe ata nuk durojnë dot pa ne. Kam qenë bashkë me ata dhe kemi treguar kujdes, por jo të burgosemi tërësisht. Kjo që po ndodh ka vështirësitë e veta ekonomike, punët u mbyllën dhe do të vijë një gjendje duke u shtrënguar.

 -Sa ju pengoi pandemia për projektet tuaja në fushën e artit?

 Unë në këtë kohë nuk kam shumë angazhime, oferta pune. Ato pak ishin pa vlerë nga pikëpamja ekonomike e pagesës, sa që koha e harxhimit për ta realizuar një rol në teatër me mundësinë e pagesës ishte e pallogaritshme, madje e papranueshme. Mua më duhet të jetoj dhe jam në një moshë, që nuk jam i ri. Sot jam në një moshë që dua që me punën time të siguroj një të ardhur edhe për familjen. Në këto kushte unë kam refuzuar dhe role sepse nuk kisha luksin të bëja dy muaj prova, të bëja disa kilometra rrugë me makinë, etj, dhe në fund të më thoshte producenti që nuk kemi para, sepse dhe pagesa është me përqindje. Më parë xhirova disa filma me metrazh të shkurtër, por ana tjetër e pengesës sime është që tani jemi gjyshër dhe duhet të kujdesesha dhe për mbesën dhe nipërit. Për mua janë dy ndjesi në shpirtin tim, teatri dhe familja dhe familja dhe teatri. Kur isha në Shqipëri ishte teatri dhe familja sepse të tilla ishin kushtet, kur erdha në Greqi ishte e pamundur kjo. Kur pashë një shfaqje të Lorkës dhe atë natë qava, thashë unë nuk mundem dhe atëherë duhet ti përkushtohem familjes sime. Dhjetë vjet punova në punë të vështira në Greqi sa erdhi dhe momenti që pata fatin të futem në profesion. Kjo më dha mundësinë që të ndjek teatrin dhe ti shërbej edhe familjes. Por me këto kushte që u krijuan teatri dhe kinemaja përveç reklamave ka kaluar në plan të dytë. Unë pata një ofertë shumë të mirë vjet për shfaqjen “Nata e 12” në Greqi, por ishin kushte të tilla që ishte e vështirë të ndiqja provat. Kështu që unë nuk e ndiqja dot si projekt dhe e refuzova dhe jam marrë me filma me metrazh të shkurtër, si dhe me reklama.

-Po në Shqipëri si kanë qenë angazhimet me projektet tuaja artistike?

Parvjet pata një ofertë në Shqipëri nga një regjisor i vjetër, që unë e vlerësoj dhe kishte një skenar të mrekullueshëm. Por që nuk arriti me lëvizjet, që ndodhën në bordin e Qendrës Kombëtare të Kinematografisë, ku duket që konjukturat bënë punën e vet dhe e kishin nxjerrë jashtë dhe nuk kishin aprovuar skenarin e tij. Di që ai po vijon të përpiqet shumë për të siguruar të ardhura për filmin e tij. Filmi është i vështirë, sepse është i tëri në veri dhe borë, por do financime. Unë nuk e di se si do të vijojë puna, sepse pandemia ka sjellë vështirësi. Unë para tre vitesh kisha sërish një ofertë këtu për një rol shumë të mirë në kinema, por buxheti që iu dha nga Ministria e Kulturës ishte aq i vogël, që të bëhet filmi. Ndërkohë më parë kam marrë pjesë në filmin “Të thyer” me regji nga Edmond Budina, ku ai si miku im dhe regjisor më nderoi duke me besuar një nga rolet kryesore.

-Ju folët për probleme të ndryshme në jetën artistike, si i kujtoni fillimet tuaj si aktor?

Kur hyra në Institutin e Arteve na dukej vetja si aktorë të mëdhenj, na dukej se do të bëheshim të tillë. Kur u ngjita për herë të parë në skenë pasi mbarova shkollën, kur dhamë provimin e diplomës aq më tepër kur ke para spektatorin që të gjykon kisha aq emocione, që dridhesha. Gjatë gjithë jetës kur ngjitem në skenë unë dridhem nga emocionet. Nuk është frikë, por përgjegjësi. Të jesh aktor duhet të kesh një ndjesi përgjegjësie të madhe, të jesh i sinqertë para spektatorit dhe ti japësh të tërën, por të mos mendosh se je aktor. Unë për vete dhe sot që kam gati 80 role nuk e quaj veten se jam aktor. Kjo sepse aktori mund të jetë në maja dhe për një moment me një rol mund të thyejë qafën. Për këtë duhet një punë kolosale, duhet pasion mbi të gjitha. Por pasioni vetëm pa punë nuk ecën dhe gjithmonë duhet punë, mendim dhe hulumtim.

-Për jetën artistike teatrore në Shqipëri flasin shumë artistët, probleme apo dhe vështirësitë. Ju keni punuar para ndërrimit të sistemit në vendin tonë në teatër dhe e dini dhe jetën artistike, që zhvillohet sot. Por si aktor ku i gjeni sot problemet dhe si i shikoni institucionet tona?

Para viteve ’90 arti në Shqipëri ishte i kontrolluar dhe duke qenë i tillë natyrisht, duke kaluar nëpër filtra nuk ishte e lehtë, por mua më duket se në shumë drejtime kjo i bëri disi mirë. Në atë periudhë përveç konjukturës u realizuan për teatrin shfaqje të mrekullueshme, që kanë mbetur në fondin e artë. Qeveria dhe partia e kohës, duke dashur ta kishte si armë propagandistike të fuqishme e ndihmonte, duke e subvencionuar gjithmonë. Pas ’90 kjo sikur për teatrin u shkërmoq, nën pretekstin e lirisë demokratike të artit. Mua më duket se ajo nuk qe liri demokratike, por një anarashi, ku secili bënte një skenar filmi, apo një dramë që e rrëmbente diku dhe hajt ta vëmë në skenë. Qeveritë pas ‘90 nuk e kanë dashur teatrin, por dhe kinemanë. Teatri është një art kolektiv, pa këtë koncept themelor që të gjithë teoricienët e sjellin nuk ka teatër. Unë kam marrë pjesë në disa shfaqje në Greqi dhe aktorët që merrnin pjesë ishin me bindje të ndryshme, por kurrë nuk dëgjova në prova apo shfaqje të shfaqnin bindjet e tyre. Por ardhja e ndryshimit unë nuk e quaj demokraci, sepse për mua nuk është. Është një ndërrim sistemi nga socialist në kapitalist. Atë demokraci që duan është një veshje e gënjeshtërt prej sheqeri që ta zbutim, madje një kapitalizëm i egër. Unë që bëj krahasimin është jashtëzakonisht i egër dhe sfilitës në Shqipëri, sepse është kapitalizëm i ri. Ardhja e ndryshimit kapitalist i ndau njerëzit në bindje dhe partitë i shfrytëzuan këto, duke mos e dashur teatrin. Ato vendime, që kur vinte një parit hiqte një pjesë aktorësh dhe kur vinte tjera hiqte të tjerë, nuk ka se si të ketë më teatër. Thonë që u shkatërruar teatri. Po teatri është shkatërruar, por jo godina. Mos kujtoni se ka teatro luksoze kudo në Greqi. Ishin 132 teatro, kishte dhe nga ata teatro dhome që janë në kushte jo të mira, por ama kam parë shfaqje dhe aktorë të mrekullueshëm. Teatri në vend për mua u shkatërrua, që në vitin 1990.

-Pse sipas jush?

Nuk ka më shfaqje kolosale tronditëse si “Arturo Ui”, “Orët e Kremlinit”, “Cuca e maleve”, etj. Atë kohë para ‘90 afishohej shfaqje te teatri për gjithë javën dhe kishte aktorë që luanin në 4 ditët e javës në role të ndryshme, kurse sot lexoj që u dha një shfaqje për katër net. Pse 4 net ? Sepse ajo nuk ka nivel. Ne kemi dhënë dikur shfaqjen “Njeriu me top” 20 herë në Gjirokastër. Spektatori kur është shfaqja e bukur të ndjek dhe kur nuk është ai të lëshon. Pra teatri sot për mua ka humbur kolektivitetin. Nuk është më teatër kolektivi. Ndarja partiake i bëri jashtëzakonisht dëm teatrit dhe kjo do shumë punë, që të riparohet.

-Mbaheni mend me rolin e paharruar të Zeman Mashkullorës tek “Liri a Vdekje”, për atë shoferit Qemal te filmi “Koncert në vitit ‘36”, Gaqo te “Nata e parë e lirisë”, etj. Kur kanë kaluar vite nga ajo kohë, si e kujtoni punën me kinematografinë?

Kushtet e sotme me ato më parë ndryshojnë shumë në kuptimin e mirëqenies. Kur xhironim filmin “Liri a vdekje” tek hauri që ishte i improvizuar na vinte uji me autobot të ushtrie dhe na e binin e me gjyma. Xhironim nga ora 08:00-09:00 deri në orën 19:00 të mbrëmjes. Na thahej buza për ujë dhe për një kafe. Por sot ka më shumë komoditet për filmin. Janë ushqimet, kafetë etj. Por në atë kohë pavarësisht vështirësive filmat kanë qenë dhe do të mbeten në histori. Unë kam marr pjesë në ato filma dhe nuk heq asnjë prejse. Unë i shërbeva artit, kinemasë, rolit dhe popullit tim. Ashtu ishin kushtet dhe ashtu punuam. Por një pjesë e mirë e atyre filmave po të ishin sot do të kishim shumë çmime. Atëherë skenarët ishin të kontrolluar, mund ti bënte regjisori por dhe ai do të kalonte në filtër. Sot skenarët nuk i kontrollon njeri. Aprovohen në bord te QKK dhe rrallë mund të gjesh skenarët që i bën një tjetër, por i bëjnë vetë regjisor, vetë aktor, vetë producentë. Ne sot nuk kemi shumë filma të fuqishëm që të mbeten, por dhe xhirohen shumë pak.