Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Nis festivali “Za Fest” me muzikë, poezi dhe kinema në mes të Bjeshkëve në Theth

Postuar: 20/07/2018 - 07:33

 Nën majat e thepisura të Bjeshkëve të Namuna, buzë Lumit Shalë, rikthehet në Theth festivali i parë modern i dedikuar trashëgimisë të Alpeve Shqiptare. Festivali “Za Fest” nis sot në edicionin e dytë. Më 20 - 21 - 22 korrik risjell në Theth muzikën më të mirë shqip, por këtë radhë duke zgjeruar akoma më shumë diapazonin kulturor. Artistët Hasa-Mazzotta, Andrra, Oborri dhe Linda Rukaj do të performojnë live nga Kisha e Thethit. Një repertor i pafundmë, ritmesh, notash dhe vokalesh që mund të përthyejnë çfarëdolloj barriere kulturore. Sfondi i duhur për të shijuar panoramën mahnitëse të Thethit.  Kantautori Vlashent Sata i njohur për aktivitetin e tij muzikor tregon se këtë edicionin ka bërë bashkë disa nga artistët më në zë të muzikës, por jo vetëm, sepse në këtë festival do të ketë edhe mundësi të tjera argëtimi. Poezia është ajo që do të spikasë si risi ndryshe nga një vit më parë. “Ky festival ka për bazë thjeshtësinë edhe vlerën si identitet, por edhe rizgjimin e kulturës sonë. Jam shumë i sigurt, që siç ka qenë vjet do të jetë edhe sivjet, një eksperiencë shumë e veçantë që do të na bëjë të gjithëve bashkë. Këtë vit ndryshe nga edicioni i kaluar ka poezinë, ka kinemanë verore, por vijon dhe me joga, me performanca të ndryshme vetëm me zë. Unë vetë  po ashtu do të performoj me “Zadrim”. Por nata e parë e festivalit është përqendruar vetëm te poezia”, tregon Vlashent Sata njëkohësisht dhe drejtues i këtij aktiviteti në Theth, që po zhvillon këtë vit edicionin e dytë. Ashtu si në edicionin e kaluar, edhe këtë vit “Za Fest” shpluhuros nga pesha e harresës pjesë të thesarit gojor të maleve shqiptare, trashëgimi e të parëve tanë. Regjisorja dhe aktorja Ema Andrea do të na rrëfejë dhe do të performojë disa nga legjendat më të bukura të zonës. “Por, këtë vit përgatituni për një festival gjithëpërfshirës, i cili kombinon muzikën më të mirë live me artet figurative, shijet tradicionale dhe aktivitetet sportive në natyrën e bukur të Thethit”, pohojnë organizatorët.

Festivali nga edicioni i parë

“Za Fest” për vitin e dytë radhazi çon muzikën, poezinë dhe kinemanë në mes të Bjeshkëve, në Theth. Edicioni i parë i “Za Fest” vjet në gusht mblodhi në Theth disa nga kantautorët më të mirë të muzikës shqip. Elina Duni, Shpat Deda dhe Vlashent Sata performuan në të parin festival që i dedikohet trashëgimisë natyrore të Alpeve shqiptare. Në anën tjetër, aktori Arben Bajraktaraj ishet aty për ti dhënë zë gojëdhënave, legjendave dhe përrallave të moçme të paraardhësve tanë, duke i lexuar e rrëfyer para të pranishmëve ato. Programi i këtij festivali duket se është hartuar me kujdes, sepse në një frymë të tillë vërtet nuk kishte si të mungonte Elina Duni. Muzika e saj është pothuajse gjithmonë një gërshetim mes xhazit dhe folklorit popullor shqiptar dhe ajo përpunon me shumë delikatesë shumë këngë të vjetra shqipe dhe i qaset në mënyrë të veçantë poezisë e melosit shqiptar. Edhe Shpat Deda, që i këndon dashurisë, dëshpërimit, shpresës, gjendjes sociale, të cilat i prezanton me elemente të popit, rokut e xhazit, është fort i dashur për publikun shqiptar ishte në edicionin e parë. Vlashent Sata si drejtues i festivalit e filloi karrierën në moshë të re me këndim, duke u ngjitur në skenë në moshën 5 vjeç. I nxitur nga i ati, Loro Sata, një muzikolog dhe këngëtar tenor lirik, në moshën 6 vjeç Vlashenti fillon piano. Në vitin 2002, ai shkon në Francë për të vazhduar studimet e pianos dhe përfundon të gjitha ciklet e konservatorëve, së pari në Bordo, pastaj në Paris. Në vitin 2016, Vlashent Sata publikon albumin "Hana", me të cilin iu shfaq publikut në një koncert të madh në muajin prill 2016./Julia VRAPI

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 6

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/10/2018 - 13:55

Aktori i njohur i skenës teatrale dhe kinematografisë shqiptare,  Neritan Liçaj tregon se është bërë pjesë e këtij profesioni prej rreth 25 vitesh dhe pavarësisht këtij fakti thotë se ende nuk di shumë rreth tij.

Postuar: 21/10/2018 - 07:47

Aktori i njohur italian Michele Placido është shprehur për Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar shem

Postuar: 21/10/2018 - 07:46

Ekspozita “Chagall: Graviteti Magjik” prezanton për publikun më shumë se 180 gravura

Postuar: 20/10/2018 - 07:44

Teatri Kombëtar i Prishtinës, Kosovë u prezantua në festivalin “Skampa” me shfaqjen &

Postuar: 20/10/2018 - 07:42

Më skenar dhe regji nga Gjegj Xhuvani ka mbaruar xhirimi i filmit “Liqeni im”.

Postuar: 20/10/2018 - 07:41

 Orkestra Simfonike e Vlorës vjen me një koncert në teatrin “Petro Marko” me ras