BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

“Një laps në dorën e Zotit”, në 110 -vjetorin e lindjes së Nënë Terezës në Tiranë

“Një laps në dorën e Zotit”, në 110 -vjetorin e

“Një laps në dorën e Zotit” titullohet projekti, që ka nisur të realizohet në 110- vjetorin e lindjes së Nënë Terezës. “Një laps në dorën e Zotit” është një homazh që i bëhet shenjtores, duke lënë një gjurmë artistike në muret e një prej rrugicave në Tiranë. Ky projekt ka një rëndësi të veçantë për sa i përket konfigurimit artistik të shprehur nëpërmjet artit urban në një rrugicë me tematikë të dedikuar: dizenjimin e figurës dhe filozofisë së njërës prej figurave më të rëndësishme shqiptare të famshme në rang botëror: Nënë Terezës. Kuratore e projektit është Albana Kozeli dhe piktorë ekzekutues janë Edlir Kasaruho, Lulzim Myrtaj, Astrid Vlasman, Resina Meçani, Luela Myrtaj dhe multimedia Bojken Alimehmeti. Sipas njoftimit nga Drejtoria e Kulturës Bashkia Tiranë, i gjithë procesi që nga përzgjedhja e mureve, dizenjimi dhe pikturimi e deri në fazën finale do të pasqyrohet me etyde filmike dhe video promocionale, të cilat shpërndahen nëpër rrjete sociale për ti dhënë jehonë rigjallërimit estetik të kësaj rrugice, si dhe për ta bërë atë pjesë të intinerareve turistike të qytetit. Sipas njoftimit, rrugica e shtëpisë ku qëndroi familja e Nënë Terezës është konceptuar e gjitha me ngjyrat e veshjes së saj si misionare, tashmë simbolikë e njohur në të gjithë botën. “Në ballë të hyrjes së rrugicës kur vjen nga rruga e Kavajës do të jetë silueta e shamisë dhe portretit të nënë Terezës dhe konceptualisht, e dizenjuar si një shirit i shallit të saj (në ngjyrë bardhë e blu) ky shall i saj do të përshkojë gjithë rrugicën. Aty do të ketë dhe një tekst me të dhënat kryesore të lindjes, vdekjes e shenjtërimit të saj”, thuhet për këtë projekt, që ka nisur para disa ditësh në Tiranë. Në materialin shpjegues për këtë projekt thuhet më tej se fjalët e saj do të përshkruajnë si një libër i hapur gjithë rrugicën, duke u gdhendur në kujtesë të gjithkujt që kalon aty rastësisht, apo me qëllimin e vizitës së projektit. “Shkrimet me thëniet e saj do të dizenjohen në përputhje me muret të cilat do të ruhen në gjendjen reale. Bashkë me tekstin e stilizuar, do të ketë aty edhe figura që kanë lidhje me shprehjet respektove”, bëhet me dije për projektin.

Impakti i projektit

Duart e rrudhura të mbledhura në lutje dhe rruzaren në gishtërinj ishte ajo, që piktori vendosi të hedhë mbi muret e vjetra, ndërsa banorët edhe pa portretin e saj e diktonin shpejt se bëhet fjalë për Nënën Terezë të Kalkutës, Anjezë Gonxhen shqiptare dhe shenjtoren e të gjithë botës së krishterë katolike. Në materialin shpjegues për projektin “Një laps në dorën e Zotit” thuhet më tej se grafitet janë konceptuar të thjeshta, pa shumë ngjyra. “Sari i thjeshtë indian, veshja karakteristike që mbajti Nënë Tereza, tanimë veshje e misionareve të bamirësisë në të gjithë botën, duket i derdhur në një rrugicë që megjithëse fare pranë Kishës Katolike, është me një popullsi në shumicë myslimane. Po në krye të rrugicës mbi një platformë të vogël ekzistuese është vendosur një skulpturë e sandaleve të saj, me të cilat përshkroi rrugën e jetës e të misionit të saj, simbolikë e këtij rrugëtimi të shenjtë duke qenë se kjo rrugicë lidh dy nga arteriet kryesore të qendrës së Tiranë, ajo rrihet shumë nga këmbësorët dhe është e populluar vazhdimisht”, thuhet në material. Sipas njoftimit nga Drejtoria e Kulturës, ky projekt do të ketë impakt kryesor tek qytetarët e Tiranës dhe një nga aspektet e tij është impakti estetik në rrugë, duke i dhënë një fryme historike e muzeale që lidhet posaçërisht me këtë figurë aq të dashur për shqiptarët por edhe për gjithë qytetarët e botës.