BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

“NOE” me 24 piktura në FAB, kuratori Ermir Hoxha: Drama e kësaj ekspozite, reflekton në optikën e gjithkujt

“NOE” me 24 piktura në FAB, kuratori Ermir Hoxha: Drama e

“NOE” titullohet ekspozita e piktorit të njohur Gazmend Leka, që u hap për publikun në galerinë e artit FAB në Tiranë. Ekspozitën “NOE” piktori e ka konceptuar si aktin e tretë e të fundit të triologjisë, ku pararendëset ishin ekspozitat “Lutja” dhe “Dhoma e hapave të humbur”, ekspozuar dy vitet e fundit. “NOE” në galerinë FAB vjen e kuruar nga dr. Ermir Hoxha dhe janë ekspozuar 24 vepra në pikturë, që sikurse dy të parat në qendër të ciklit është njeriu, qenia në gjithë plotësinë e vet dhe sipas autorit, është njeriu si arsye dhe kafsha si instikt. Për ekspozitën, kuarori dr. Ermir Hoxha në tekstin kuratorial shprehet se në historinë e tij, kataklizmat e kanë shoqëruar kurdoherë njeriun. Sipas tij, e kanë prekur me vërshime uji, flakërima zjarri, tronditje dheu. “Realiteti shqiptar në dramën e vet, i ka përjetuar në vetë të parë këto “mallkime”, ashtu si edhe këtë pandemi, shpërhapur në format global, si skenari më fatkeq i një filmi apokaliptik. Në këtë vështrim, ekspozita “NOE” e Gazmend Lekës, e gjen veten të kapsuluar si padashur, në një realitet të ndërtuar enkas për të. Në thelbin e vet, kjo ekspozitë e fundit, merr një kuptim edhe më ekzistencial për gjithë shoqërinë, duke i rikujtuar asaj edhe njëherë, aleancën e prishur mes njerëzve me Krijuesin, apo me vetë natyrën”, shprehet Hoxha në tekst. Për kuratorin Hoxha, imazhi i saj i errët, i ujshëm, me figura që pulsojnë përhumbur mbi sipërfaqe, ndjell papritur rrugët e zbrazura, maskat asfiksuese dhe absurdin e një realiteti frike. “Me mjeshtërinë e tij piktorike, lagështira dhe drama e kësaj ekspozite, reflekton në optikën e gjithkujt, pashmangmërisht, realitetin që na vjen nga përmbytjet e përvitshme të qyteteve e fshatrave tona. Projekti i kësaj ekspozite lindi si reflektim i këtyre realiteteve. Në vizionin e Lekës, ajo ishte projektuar si e fundmja e një triologjie paraprirë nga dy ekspozita, çelur vitet e fundit në galerinë FAB. Kështu, ekspozitën “Lutja”, ai ja dedikoi “ Heshtjes së Madhe ”. Aty, si në një manifest artistik, studioja u kthye në tempullin e tij vetjak, ku i vetëm, apo me personazhe reale e irreale, përhumbej në një dimension shpirtëror të thellë”, pohon kuratori.

 Dy personazhe, njeriu dhe kafsha

 “NOE” vjen si përmbyllja e triologjisë dhe sipas kuratorit dr. Ermir Hoxha e përbërë nga 24 vepra, në të imazhi shpesh evokon një qetësi të shurdhët, ndërkohë që linja e horizontit stërzgjatet, figurat pulsojnë dramën e vet mbi sipërfaqen e ujit. “Është imazhi i parafundëm, kur “Shiu i Madh” ka pushuar për të treguar të plotë madhështinë e tij të kuptueshme. Besnike të një nate të gjatë, tablotë ofrohen të errëta, si klithma të heshtura, të një Parajse të humbur. Të gjithë ato ndërtohen nga dy plane, nga ai ujërave të sipërme dhe ai i ujërave të poshtëm. Të dyja këto, ngjajnë më tepër seç duhet, si në ngjyrë ashtu dhe në masë, ndërsa mbi sipërfaqe pluskojnë të dorëzuar, njerëzit e kafshët, të gjithë të barazuar në fatin e vet tragjik. Aty shquhen dy personazhe: njeriu dhe kafsha”, vijon Hoxha në tekstin kuratorial. Njeriu, është arsyeja, që tenton të shpëtojë kafshën, instiktin. Arsyeja dhe instikti, shfaqen si një personazh i vetëm, si një qelizë që do të shpëtojë nga përmbytja, e cila gllabëron gjithçka, për të rindërtuar një jetë të re dhe në tekstin e dr. Ermir Hoxhws thuhet se poshtë linjës së horizontit, ato lëvizin në mes të kaosit e tmerrit. “Ngjyra e errët e natës, zë vend si paralajmëruese e fatit të keq, që bashkon imazhin e tyre si një platformë lidhëse. Në këtë tis të ndotur me trishtim, herë- herë dallohet vetë artisti, si dëshmitar tragjik i fatit të njeriut. Në këtë mënyrë, e gjithë triologjia shfaqet si një udhëtim i qenies. Nga meditimi i thellë i “Lutjes”, tek vetëgjykimi i “Dhomave të hapave të humbur” e deri tek shpëtimi i qenies tek “NOE””, shprehet kuratori. Sipas tij, kjo ekspozitë është edhe peisazhi i një Shqipërie të lodhur, e pa fuqishme për tu ngritur, e cila kalon nga një sfidë në tjetrën. Për shkak të situatës pandemike, ekspozita nuk pati një ceremoni inauguruese dhe qëndron e hapur deri më 30 nëntor.