BREAKING NEWS

Vijon rënie drastike e kurbës së të infektuarve në vend me koronavirus, Ministria zbardh të dhënat e fundit

Vijon rënie drastike e kurbës së të infektuarve në vend
x

Kultura

Nuk gjen dakordësi me palën private, tërhiqet Bashkia e Tiranës, ndërtimi i Teatrit të ri Kombëtar me fonde publike

Nuk gjen dakordësi me palën private, tërhiqet Bashkia e

Teatri i ri Kombëtar do të ndërtohet si një investim me fonde publike. Baskia e Tiranës përmes një deklarate shprehet se nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private, për ndërtimin e teatrit të ri. Bashkia e Tiranës bën me dije se vendimi për ta ndërtuar godinën e re me fonde publike, vjen në mbështetje të kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern. Projekti i teatrit të ri, ka sjellë jo pak përplasje mes Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit dhe Bashkisë së Tiranës, por kjo e fundit u tërhoq nga investimi privat. Pranë Bashkisë së Tiranës u ngrit komisioni për vlerësimin, negocimin dhe lidhjen e kontratës me objekt “Projektimin dhe realizimin e projektit urban dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar”, në përbërje të të cilit ishte edhe përfaqësia e artistëve. Në deklaratën e saj, Bashkia shprehet se komisioni i vlerësimit dhe negocimit nisi punën me hartimin e thirrjes së hapur për palët private të interesuara për të marrë pjesë në këtë procedurë konkurruese dhe paraqitjen e një oferte financiare për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar dhe zhvillimin e zonës urbane. Thirrja e hapur u publikua në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës, si dhe u dërgua për botim në buletinin zyrtar të Agjencisë së Prokurimeve Publike. Bashkia sqaron se pas përfundimit të afatit për dorëzimin e ofertave, komisioni i vlerësimit, në përputhje me parashikimet ligjore dhe nën ekspertizën konsulentit të përzgjedhur për të ndihmuar komisionin, nisi punën me negocimin e ofertës së palës private të interesuar. Por modeli financiar i propozuar nga pala private për godinës e teatrit të ri nuk mundësonte ndërtimin e shpejtë. “Komisioni i negocimit, në mbështetje të të gjitha kërkesave të komunitetit të artistëve për një teatër modern, i cili përmbush kriteret e nevojshme për realizimin profesional e me cilësi të shfaqjeve teatrale, nuk arriti të gjejë dakordësinë me palën private. Modeli financiar i propozuar nga pala private e interesuar për ndërtimin e godinës së Teatrit të ri Kombëtar dhe zhvillimit të zonës urbane, por edhe kompleksiteti i projektit, i cili duhet të përmbushte të gjitha kërkesat teknike të kërkuara nga përfaqësia e artistëve në komision, nuk mundësonte ndërtimin e godinës në një kohë të shpejtë dhe me infrastrukturë moderne për një teatër bashkëkohor”, shprehet Bashkia e Tiranës.

Teatri i ri dhe ndërtimi

Duke mos gjetur dakordësinë me palën private, Bashkia e Tiranës shprehet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike, duke kërkuar që qeveria ta mbështesë financiarisht projektin. “Nisur nga interesi për të ndërtuar një godinë bashkëkohore dhe moderne, që plotëson të gjitha kushtet teknike për realizimin e shfaqjeve, e cila t’i shërbejë komunitetit artistik teatror dhe publikut artdashës, qeveria dhe Bashkia e Tiranës vendosën që godina e re e Teatrit Kombëtar të ndërtohet nga shteti si një investim publik. Për këto arsye, Bashkia e Tiranës do t’i kërkojë qeverisë shqiptare që ta mbështesë financiarisht për realizimin e kësaj vepre ikonike për qytetin dhe vendin tonë. Bashkia e Tiranës zotohet se do ta ndërtojë Teatrin e ri Kombëtar në një kohë më të shkurtër kalendarike dhe në përmbushje të të gjitha kërkesave teknike të shprehura nga komuniteti i artistëve në konsultimet publike”, vijon deklarata. Sipas Bashkisë së Tiranës, puna për ndërtimin e godinës së re të Teatrit Kombëtar, do të nisë brenda vitit të 100 -vjetorit të shpalljes së Tiranës kryeqytet të Shqipërisë.