BREAKING NEWS

Rama kopsit listën e kandidatëve, deputetët paralajmërohen në mbledhje grupi për spastrime, kryeministri i pakënaqur me shumë emra

Rama kopsit listën e kandidatëve, deputetët paralajmërohen
x

Kultura

Nxënësit njihen me trashëgiminë kulturore, vizitojnë Mozaikun e Tiranës

Nxënësit njihen me trashëgiminë kulturore, vizitojnë

Mozaiku i Tiranës është pohuar si një thesar i trashëgimisë kulturore të kryeqytetit. Me vlera në trashëgiminë kulturore, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Tiranë shkruan se Mozaiku i Tiranës së fundmi u vizitua nga nxënës shkollash. “Në kuadër të programit "Edukimi përmes Kulturës", nxënësit e shkollave të Tiranës njihen me trashëgiminë kulturore të vendit tonë nëpërmjet guidave në Mozaikun e Tiranës”, shkruan Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore që ka publikuar dhe disa foto gjatë kësaj vizite, që zhvilluan nxënësit. Mozaiku i Tiranës është i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës. Në vitin 1972, gjatë punës për ndërtimin e pallateve të bllokut “Partizani” në lagjen nr. 9 të qytetit të Tiranës, u zbuluan rrënojat e një ndërtese antike, njëri nga ambientet e të cilit ishte i shtruar me mozaik. Sipas autorëve, kemi të bëjmë me një qendër fshatare të shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë fshatare (rustica). Salla me mozaik e pajisur dhe me një absidë ishte ambienti kryesor i saj. Autorët mendojnë edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit u rrethua dhe u vu në mbrojtje nga Instituti i Monumenteve të Kulturës. Gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme të bllokut “Partizani” zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit. Më kryesoret këtu ishin vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, por edhe pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme. Brenda këtij kompleksi u zbuluan tre stela varresh të periudhës romake. Gërmimet përforcuan mendimin se kemi të bëjmë me një vilë fshatare, ndërkohë që nuk është gjetur asnjë e dhënë për transformimin në bazilikë paleokristiane të mbështetur nga autorët e gërmimit të parë të viteve ’70. Në mënyrë konvencionale, siti arkeologjik është emërtuar dhe njihet me emrin Mozaiku i Tiranës. Veçantia e këtij mozaiku, qëndron, jo vetëm tek punimi dhe dekorimi, por edhe për vetë faktin se gjendet në zemër të kryeqytetit. Mozaiku i Tiranës është një prej destinacioneve të itinerarit turistik në kryeqytet, ku që vjet iu nënshtrua dhe një ndërhyrjeje restauruese.