BREAKING NEWS

Obama, Melinda Gates dhe Fauci mbikqyrësit e laboratorit të Wuhanit në 2015 kur Bill Gates paralajmëroi rrezikun nga virusi

Obama, Melinda Gates dhe Fauci mbikqyrësit e laboratorit të Wuhanit
x

Kultura

Nymfeu romak, në parkun arkeologjik të Butrintit

Nymfeu romak, në parkun arkeologjik të Butrintit

Parku kombëtar i Butrintit ka publikuar një material për fontanën monumentale ose Nymfeu romak, që ndodhet në pjesën jugore të Bazilikës së Madhe. Balli i saj ka gjatësi 7 metra dhe basen 5. 75 metra të gjerë, që mbushej me ujë nga tri çezma të instaluara në tri nishe. Në këtë material thuhet se shatërvani, si dhe burimet në të tre nishet, furnizoheshin nga një cisternë e pozicionuar në pjesën e pasme të tij, e cila në vetvete furnizohej me ujë nga akuadukti (ujësjellësi). “Nymfeu quhet i tillë pasi i kushtohej nymfave. Nisur nga teknika e ndërtimit të muraturës "opus testaceum", ky shatërvan daton në shekullin e II pas Krishtit. Gjatë gërmimeve arkeologjike janë gjetur dy statuja, një statujë e Dionisit dhe një statujë e Apollonit, të cilat janë të ekspozuara në muzeun arkeologjik të Butrintit”, thuhet në këtë material, i shoqëruar me foto të Nymfeut romak. Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall monument kulture, që në vitin 1948 me një akt të parë rregullues për monumentet. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në listën e pasurive botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, "Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore". Parku Kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij Parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra. Krijimi i Parkut Kombëtar u bë një domosdoshmëri, sipas specialistëve, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit. Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike, që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa - kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj.