BREAKING NEWS

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet

Ekipi i Donald Trump publikon VIDEO-SKANDALIN me zgjedhjet
x

Kultura

“Open Cinema” në 4 qytete, larmi filmash artistikë dhe promovime të dokumentarëve

“Open Cinema” në 4 qytete, larmi filmash artistikë dhe

“Open Cinema” në vendin tonë e mbylli edicionin e katërt, në qytetin e Belshit këtë vit. Për shkak të situatës me pandeminë “Open Cinema” u zhvillua në muajt shtator -nëntor, duke përfshirë qytetet mikpritëse të këtij aktiviteti, Kukës, Himarë, Gjirokastër dhe Belsh. Projektuar dhe realizuar nga “Cinemania Production” me Skënder Jaçe dhe mbështetur nga Qendra Kombëtare Kinematografike dhe bashkitë e qyteteve, “Open Cinema” gjallëroi jetën artistike. Producenti Skënder Jaçe shprehet se dhe këtë vit “Open Cinema” ishte me filma para viteve ‘90 dhe pas tyre, si dhe me retrospektiva në homazhe për artistët dhe regjisorët shqiptarë, që janë ndarë nga jeta. ““Open Cinema” mundësoi këtë vit që kinemaja të shkojë sa më pranë qytetarëve, duke i ofruar një larmi filmash artistikë shqiptarë dhe të huaj, si dhe duke promovuar filma dokumentarë të realizuar vitet e fundit. Një ekip i vogël njerëzish pasionantë dhe kinemadashës udhëtuan nga njëri qytet në tjetrin për ta bërë të prekshëm ëndrrën”, thotë mes të tjerave producenti Skënder Jaçe, që është dhe ideuesi dhe realizuesi i këtij projekti përmes “Cinemania Production”, që është marrë me të gjitha detajet e organizimit, duke filluar që nga përzgjedhja e filmave dhe dokumentarëve deri tek cilësia e ekranit të madh projektues që "shëtiti" qyteteve sëbashku me grupin realizues. Producenti Skënder Jaçe tregon se çdo mbrëmje “Open Cinema” hapej me nderimin -homazh të të gjithë asaj plejade artistësh të kinemasë e teatrit, që nuk jetojnë më dhe që kontribuan aq shumë me artin e talentin e tyre për të mbetur të fiksuar në kujtesën kombëtare përmes celoluidit. Moderimi i këndshëm dhe i zhdërvjellët i aktores Suela Konjari dhe gazetares Rezarta Reçi, pjesëmarrja aktive dhe simpatike e këngëtareve të mirënjohura Irma Libohova, Miranda Kullani dhe Eranda Libohova, grupet e valleve të qyteteve përkatëse i dhanë mundësi drejtorit ekzekutiv të projektit Masar Jace ta kishte më të lehtë realizimin konkret të këtij aktiviteti në kushtet e zbatimit të rreptë të rregullave anticovid.

 Nata përmbyllëse e “Open Cinema”

Nata përmbyllëse e edicionit të katërt të “Open Cinema” në qytetin e Belshit, përcolli tek spektatorët e shumtë dokumentarë të realizuar me profesionalizëm dhe pasion. Dokumentari "Masakër mbi Dumre" është realizuar nga skenaristi dhe regjisori Rigers Plaka, me mbështetjen e producentit Lodian Hasko. Në qendër të këtij dokumentari është një fakt historik. Dokumentari me mjete të kursyera për shkak të sfumimit në kohë të ngjarjes risolli pas 107 vitesh përmes qëmtimeve dhe intervistave me dëshmitarë a pasardhës të tyre, historinë e vrasjeve serbe në zonën e Belshit. Regjisori këmbëngulës dhe përzgjedhës i temave dhe detajeve të veçanta për dokumentarë i është mirënjohës jo vetëm këmbënguljes dhe pasionit të tij, por edhe mbështetjes së bashkëpunëtores së tij të pandarë Romina Plaka si dhe kryetarit të Bashkisë së Belshit, Arif Tafani. Në qendër të dokumentarit "Estref Gjoshi, krenaria e Dumresë" realizuar nga “Cinemania Production” është njeriu i thjeshtë dhe fisnik, që ka respekt për të shkuarën, rrënjët, vendlindjen, njerëzit e mbetur atje. Ka dekada që është larguar drejt Tiranës, por mendja e tij dhe impenjimi ka mbetur atje. Jo si peng nostalgjie, por si projekte zhvillimi duke investuar me dashuri në ato burime të një krahine të dashur siç është zona e Belshit dhe e Dumrese. I gjithë dokumentari krijon emocion jo vetëm për rrëfimin e detajeve domethënëse, por edhe për shpalosjen plot kolor të ritmeve dhe lëvizjeve të grupit të valleve të zonës së Dumresë ngritur dhe mbështetur me shumë dashuri dhe financiarisht nga personazhi i dokumentarit Estref Gjoshi.