Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Opera “Skënderbeu” në Shkup, regjisori Qëndrim Rijani: Shpresoj ta sjell dhe në skenën e Shqipërisë

Opera “Skënderbeu” në Shkup, regjisori Qëndrim

Opera “Skënderbeu” në teatrin e Shkupit, në Maqedoninë e Veriut bëri bashkë artistë të njohur, në skenë. Jo vetëm artistë nga Shkupit, por në role erdhën dhe artistë të njohur nga Teatri i Operës dhe Baletit në Tiranë, si dhe nga Kosova. Vepra shkruar nga Fatos Limani erdhi në skenë me regji nga Qëndrim Rijani, i njohur dhe për shfaqjet e tij në teatrot në Shqipëri. Me veprën “Skënderbeu”, regjisori Qëndrim Rijani vendosi për herë të parë një operë shqiptare në Teatrin e Operas dhe Baletit në Maqedoninë e Veriut. Regjisori Qëndrim Rijani shprehet se ndër synimet kryesore për ta sjellë veprën në skenë ka qenë ai historik. Ai tregon se pas skenës së Shkupit shpreson ta sjellë dhe në Shqipëri. ““Skënderbeu” është opera e parë shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Një ndër synimet kryesore ka qene aspekti historik, pra të bëhet opera e parë shqip në Maqedoninë e Veriut. Përtej kësaj ka qenë edhe synimi, që kjo të bëhet sa më mirë. Është një punë e madhe dhe e gjatë në kohë, që në fillimet e veta para 2 viteve kur u vendos të bëhet deri në premierë, të cilën besoj që publikun e pëlqeu. Shpresoj që ne ta shfaqim edhe në Shqipëri”, pohon regjisori Rijani. Në veprën e kompozitorit Fatos Lumani, orkestra u drejtua nga dirigjenti Olsi Qinami, asistent regjisor Petrit Neziri, libretist Arian Krasniqi, koreograf Artan Ibërshimi dhe kostumet Marija Pupuçevska. Skënderbeu u interpretua nga tenori i TOB në Tiranë Armaldo Kllogjeri, Fatima nga Zana Abazi Ramadani, Hasan Aga nga baritoni i TOB Armando Likaj, sulltan Murati Vasko Zdravkov, Mamica nga Nina Muho, Hamza nga Nikolla Stojceski, Lek Dukagjini nga Liridon Sadriu, Jerina Marija Naumovska, etj. Në skenë në këtë opera në ditët e fundit të muajin dhjetor erdhi dhe trupa e baletit me artistët Agim Baftii, Eva Dzhingova, Martina Dimovska, Matea Ilievska, Stefanija Kuzmanovska, Arta Qaili, Antonija Dimitrievska, Tijana Avramovikij, Bojan Dimovski, Veselin Trajkovski.

Mesazhet e veprës

Tenori i TOB Armaldo Kllogjeri shprehet se për herë të parë ishte me rolin e Skënderbeut, në skenë. Një rol, që siç pohon dhe vetë i dhuroi jo pak emocione. “Një vepër në dy akte dhe kjo është hera e parë, që unë interpretoj një rol të tillë. Jam ndjerë shumë mirë nga ana shpirtërore emocionale, sepse të përfaqësosh në skenë një figurë si heroi kombëtar nuk është e thjeshtë, duhet të përmbushësh të gjitha komponentët që ka pasur ky hero”, pohon tenori. Rol kryesor në vepër, tenori Kllogjeri tregon se përmes kësaj opere ishte dhe qëllimi të bëheshin bashkë artistët. “Kjo vepër mblodhi në Shkup artistë nga Shqipëria, Maqedonia dhe nga Kosova. Për herë të parë në skenë kjo vepër ka vlerë historike në teatrin e Shkupit, sepse u vu në kalendar, ku kostumet u qepën atje, mori pjesë orkestra dhe kori i teatrit të Shkupit, që kjo është risi”, tregon Kllogjeri. Për baritonin e TOB Armando Likaj, që erdhi në skenë si Hasan Agës, kjo shfaqje i ka dhuruar emocione të mëdha. “Opera u prit shumë mirë nga publiku, si një event i rëndësishëm artistik dhe politik, sepse për herë të parë luhet nga orkestra dhe teatri i Maqedonisë së Veriut një vepër shqip. Gjëja më e bukur është, ku kori dhe 3 nga solistët e veprës janë maqedonas, por këndonin shqip. “Skënderbeu” erdhi në skenë me mesazhin e atdhedashurisë për njerëzit e gjakut shqiptar, që duhet ta duan këtë vend, dhe është një korale përmbyllëse në fund të veprës, e cila është shumë e bukur dhe e fortë si mesazh. Ky ka qenë një bashkëpunim shumë miqësor, me shumë dashuri”, pohon baritoni Likaj. Libreti operistik “Skënderbeu”, është bazuar mbi veprat dramaturgjike, të autorëve të huaj dhe atyre shqiptarë që për personazh kanë figurën e Skënderbeut.