BREAKING NEWS

Fatos Klosi: Meta po ndjek lojën e Berishës për shkak të pazareve, nuk kanë çfarë humbin dhe duan kreun e opozitës, pas 11 dhjetorit rrezikohet përplasje

Fatos Klosi: Meta po ndjek lojën e Berishës për shkak të
x
BREAKING NEWS

Kreshnik Spahiu publikon foton e Lulzim Bashës dhe bën komentin e papritur: Në varreza me...

Kreshnik Spahiu publikon foton e Lulzim Bashës dhe bën komentin e
x
BREAKING NEWS

Fatos Tarifa plas “bombën”: Korrupsionin e futi Ilir Meta, 40 për qind e buxhetit shkonte në xhepin e tij, paratë i transportonte me çanta

Fatos Tarifa plas “bombën”: Korrupsionin e futi Ilir Meta, 40
x
BREAKING NEWS

Kryeministri Rama uron 29 nëntorin dhe publikon videon me pamjet fantastike nga përfundimi i projektit gjigant: Do të bëhet një korridor lidhës i rëndësishëm Lindje-Perëndim

Kryeministri Rama uron 29 nëntorin dhe publikon videon me pamjet fantastike
x
BREAKING NEWS

Kush është zv.kryeministri që doli tek përgjimet e Rezart Taçit? Braçe shpërthen i revoltuar dhe “hedh topin” tek Arben Ahmetaj: Unë siguroj dokumentin e plotë dhe në atë datë unë kam qenë vetëm deputet

Kush është zv.kryeministri që doli tek përgjimet e Rezart
x

Kultura

Ormira Lulani: Im atë Ismail Lulani një vizatues i fuqishëm, një kolorist i lindur, një artist ekspresiv e shpërthyes

Ormira Lulani: Im atë Ismail Lulani një vizatues i fuqishëm,

Ekspozita “Lulani Muze” u çel për publikun, me piktura dhe vizatime të artistit Ismail Lulani, një nga emrat më të mëdhenj të artit tonë. Në Muzeun Historik Kombëtar, që prej ditës së hënë në hapjen e saj ekspozita ka ngjallur shumë interesin e publikut. “Lulani Muze” është një ekspozitë e larmishme e shoqëruar me një katalog të dizenjuar dhe ilustruar bukur. Vajza e piktorit, Ormira Lulani, e cila ka trashëguar prej të atit profesionin dhe talentin thotë se janë prezantuar punë, që janë pjesë e koleksionit të familjes. Në intervistën për gazetën “SOT” Ormira Lulani shprehet se në ekspozitë janë dhe punë të paekspozuara më parë, dhe kjo së bashku me diplomën janë dhe risia e “Lulani Muze”. Ismail Lulani është quajtur piktori i Shqipërisë së veriut, e bija Ormira thotë se në artin e tij ndërthuri kujtimet, fantazinë e shfrenuar, traditat shqiptare dhe jetën krahinore të cilës i qëndroi besnik deri në fund, me eksperimentet stilistike të përparuara me të cilat ai u ekspozua gjatë jetës së tij krijuese. Ekspozita “Lulani Muze” është e kuruar nga Helidon Haliti dhe do të qëndrojë deri të shtunën në muze.

-Ekspozita “Lulani Muze”, u hap në Muzeun Historik Kombëtar. Një ekspozitë me shumë interes dhe nga publiku, që mund të shohë vepra të ndryshme piktura dhe vizatime. Jeni piktore dhe e bija e artistit të shquar Ismail Lulani, si nisi ky projekt për të mbërritur tek ekspozita, që u hap mbrëmjen e së hënës?

Ekspozita “Lulani Muze”, ishte një projekt që kishim kohë që e mendonin dhe diskutonin së bashku me Helidonin. Fillimisht u mendua të hapej në Shkodër, në qytetin në të cili ai jetoi dhe krijoj, por pandemia bëri që shumë gjëra të mbyllen e të shtyhen për një kohë të papërcaktuar. Dhe për fat këtë fund Tetori, ekspozita “Lulani Muze” erdhi si një ekspozitë e larmishme dhe për më tepër shumë emocionuese, e shoqëruar me një katalog “Lulani Muze”, të dizenjuar dhe ilustruar bukur, si për të shprehur një dëshirë për ta lënë të paprekur “testamentin e fëmijëve” brenda shtëpisë që ai ndërtoi dhe jetoi.

-Një ekspozitë ku janë prezantuar vepra të ndryshme. Në çfarë harku kohor janë realizuar, dhe në “Lulani Muze” çfarë është përzgjedhur për publikun?

Në këtë ekspozitë janë prezantuar, pikturat dhe vizatimet që janë pjesë e koleksionit të familjes. Vizatimet, etyde (në ink, stilolaps, laps, karbon, pastel etj,) janë të paekspozuara më parë, dhe kjo, së bashku me diplomën janë dhe risia e kësaj ekpozite. Qëndrimi i kuratorit ishte që Lulani të mos ezaurohej, por gjithnjë të mbetej tek vizitori ajo dëshira për të njohur me punime të reja. Koleksioni siguron një pikënisje të shkëlqyer, si një mundësi për të rivlerësuar punën e mjeshtrit të madh të ndjenjës, linjës dhe ngjyrës, për të ndjekur zhvillimin e artit të tij, që nga eksperimentet e para, deri tek vepra e tij mbresëlënëse dhe e paimitueshme nga askush më vonë, që në këtë ekspozitë, fillon me punimet e tij të hershme që datojnë prej vitit 1967, vit që përkon me periudhën studentore, ku do të shohim punimin e tij të diplomës “Ded Gjo Luli me trima”, (punimi në karbon), me portretet e fuqishme të malësorëve, që vijnë si të gdhendura nga dalta e një skulptori, e deri tek punimet vitit 2002, që është viti i largimit të tij.

-Katalogu, ku jeni përqendruar?

Së bashku me Helidonin, që është edhe kurator i kësaj ekspozite dhe bashkautor i katalogut të ekspozitës, e shikuam çdo detaj nga një këndvështrim ndryshe, mbi konceptimin e katalogut. Donim diçka tjetër, pak larg nga vështrimet dhe analizat e studiuesve, mbase diçka më të ngrohtë, diçka të prekshme. Një libër ku piktori flet vetë, me fjalët e tij. Libri fillon me rrëfimin e artistit për veten. E kush më bukur, më saktë e më ngrohtë mund të tregonte historinë magjepsëse të jetës së tij e shpërnguljen nga vendlindja, Tuzi (Mal i Zi), në moshën 12-vjeçare? E kush më mirë se ai mund ta përshkruante atë shtegtim të dhimbshëm në atë ditë dimri, ku lotët përziheshin me flokët e dëborës? Kush mund ta rrëfejë më mirë se ai shpërnguljen e gjithë familjes për në Shkodër, Shqipëri? Po për atë pasionin e madh për artin, këmbënguljen, sakrificat e punën e palodhur, kush më mirë mund të tregonte? Po për netët pa gjumë, emocionet e mëdha, dhimbjet e sjelljes në jetë të një vepre të re? Do të ishte vetëm ai, Ismail Lulani, që falë pasionit të tij të hekurt e të pakufi, arriti të bëhej një nga emrat më të shquar të artit shqiptar. Dhe është pikërisht vetë Lulani që do të na prezantojë veten, duke na njohur edhe me detaje të tjera të hollësishme të jetës, gjatë viteve të tij të fëmijërisë në qytezën e vogël të Tuzit, e më pas. Rezultati është një portret interesant i artistit, si një i ri i mbarsur shpirtërisht me kujtime nga vendlindja, që shpesh në veprën e tij na vijnë si reminishenca të së shkuarës prej nga ku kishte ardhur dhe prej së cilës nuk do të ndahej asnjëherë. Në faqet e katalogut do të shohim përpjekjet e tij, punën titanike drejt suksesit, me qëllimin që të bëhej një artist i madh, për t’i dhënë zë Shkodrës me emrin e tij, si një shpërblim për bujarinë me të cilën ajo e priti dhe e mbajti në gjirin e vet, si njeri dhe artist i shquar. Në këtë katalog ai vjen i plotë. Katalogu ndahet në disa cikle.

1-Cikli i Kreshnikëve

2-Cikli i kompozimeve me temë nga fshati

3- Motivet cigane

4-Cikli i peisazheve, dimri dhe vjeshta

5-Shkodra në krijimtarinë e Lulanit

6-Cikli i portreteve

Lulani ishte një vizatues i fuqishëm, një kolorist i lindur, një artist ekspresiv e shpërthyes, me plot ndryshime në lëvizje, formë dhe ritëm dhe me një qasje poetike ndaj jetës. Ai ishte një artist që vizatonte pareshtur deri në orët e vona të natës, e mendja e tij vetëm krijonte, e atëherë kur ishte i qartë, ai fillonte punën mbi telajo. Prandaj në këtë libër u mendua që veprat në pikturë të jenë të shoqëruara edhe me vizatimet përkatëse. E janë pikërisht këto vizatime që na bëjnë të kuptojmë fillesën e një kompozimi dhe ecurinë e tij. Ky libër vendos arritjet e Lulanit në kontekst. Në katalog do të gjejmë edhe disa përshkrime të shkurtra të artistit, që paraprijnë prezantimin e disa prej veprave tij që ai e ka ndjerë të nevojshme ta bëjë. Katalogu përfshin gjithashtu në mënyrë kronologjike, një përzgjedhje të shkrimeve për artistin dhe një listë ekspozitash.

-Piktori Lulani ishte një artist, që tërhiqej dhe nga jeta e njerëzve të thjeshtë të zonës së veriut…

Lulani është quajtur piktori i Shqipërisë së veriut. Në artin e tij ai ndërthuri kujtimet, fantazinë e shfrenuar, traditat shqiptare dhe jetën krahinore të cilës i qëndroi besnik deri në fund, me eksperimentet stilistike të përparuara me të cilat ai u ekspozua gjatë jetës së tij krijuese. Subjektet e tij, shpesh vishen me misticizëm, që të bëjnë të ndjehesh sikur je pjesë e një përralle, ku ke dëshirë të rrish gjatë, të bëhesh pjesë e kësaj bote të magjepsur, që vetëm Lulani dinte ta jepte. Mbase kjo ishte si një mundësi për të, për të gjetur një vend që të shërbente si një arratisje në një botë që vetëm ai e përjetonte, dhe vetëm atij i përkiste. Në këtë ekspozitë ai vjen i plotë. Cikli i kompozimeve me temë nga fshati, ku përmendim “Tobna me dhi”, “Plaku me gomar”, “Plaku me dash”, “Gratë tek pusi” etj., që janë motivet e tij të dashura, personazhe që ai i ka ndeshur në jetën e tij dhe i kanë ngelur në kujtesë. “Tobna me dhi”, ajo plakë e imët e mbetur e vetme, me dy dhitë e saj, e preku aq shumë shpirtin e ndjeshëm të atij fëmijës së dikurshëm, sa që për artistin pikërisht ky subjekt u bë një nga më të preferuara të Lulanit, të cilit do t’i rikthehej kohë pas kohe me një qasje të re. Më tej vjen cikli i peisazheve ku Lulani na sjell mjeshtërisht nga paleta e tij e pasur aromën e çdo stine me karakteristikat e tyre, ashtu siç di të na i sjellë vetëm ai. Ismail Lulani është një artist novator. Krijimtaria e tij unike është rezultat i një kërkimi artistik gjatë gjithë jetës. Ai grumbulloi frymëzim nga studimi i tij i drejtpërdrejtë me natyrën, duke e kapur atë me një ndjeshmëri të jashtëzakonshme. Ai e donte natyrën, donte vjeshtën me të artat e saj, me nuancat e të kuqes, që vetëm ai dinte t’i jepte me aq dritë, ai donte edhe dimrin me dëborën e ftohtë, e cila merrte nuanca të ndryshme në muzg kur mbi të silleshin korbat që kërkonin ushqim. Askush nuk e pikturon dot borën si ai, aq të rëndë, po dhe me aq transparencë e delikatesë njëkohësisht. Ai gjithashtu është një artist që luan me simbolet, si dielli, hëna, zogjtë. Të gjitha këto cilësi shënjuan profilin e tij artistik tejet të veçantë, si në stil, po ashtu edhe për motivet që trajton siç i përmenda më sipër.

-Familja ka koleksionin më të rëndësishëm...

Familja mban një koleksion të pasur, që ka rreth 100 vepra në vaj, pikturë dhe rreth 2000 vizatime ( skica studimore, bocete, në ink, lapës, karbon, etj ). Pikërisht këto punime në katalog dhe ekspozitë janë pjesë e koleksionit të pasur të familjes.

-Pas Tiranës a do të vijojë të prezantohet?

Pas Tiranës ekspozita do vazhdojë rrugëtimin e saj në Shkodër, aty ku dhe ishte mendimi i parë, dhe më pas kemi kërkesa nga komuna e Tuzit për ta dërguar në Mal të Zi, në qytezën e Tuzit vendin në të cilin u lind dhe jetoi për 12 vite, në atë qytezën e vogël ku mori frymë për herë të parë dhe ku kaloi vitet e fëmijërisë, që i jetoi aq intensivisht, saqë ngeli i ngarkuar me ato kujtime për gjithë jetën.

Ormira Lulani: Im atë Ismail Lulani një vizatues i fuqishëm,