BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron kthesën e madhe në politikën shqiptare

Spartak Ngjela paralajmëron kthesën e madhe në politikën
x

Kultura

Ormira Lulani: Për fat të keq ilustrimit i kushtohet shumë pak rëndësi në Shqipëri, duhet futur kultura e kuptimit të rëndësisë së këtij arti

Ormira Lulani: Për fat të keq ilustrimit i kushtohet shumë pak

Ilustrimet janë një mjet i përsosur për të pasuruar librin, por pak rëndësi i kushtohet në vendin tonë. Për autorë të ndryshëm, në Shqipëri ilustrimi është pothuaj një zhanër i lënë në harresë. Piktorja e njohur Ormira Lulani thotë se librat kanë një forcë shumë të madhe shtytëse në mënyrën se si i shikon gjërat, dhe arti i ilustrimit ta fuqizon mundësinë që të shprehesh dhe të udhëtosh në botë të reja. Në intervistën për gazetën “SOT”, piktorja e njohur Ormira Lulani shprehet mes të tjerave se duhet futur patjetër kultura e kuptimit të rëndësisë së artit të ilustrimit, si dhe duhet forcuar një lidhje midis shtëpive botuese, shkrimtarëve dhe artistëve që merren me artin ilustrativ në vendin tonë. Për piktoren Lulani shtëpitë botuese duhet të jenë të ndërgjegjshme për të tërhequr afër vetes artistë profesionistë, ose qoftë dhe studentë që mbarojnë Akademinë e Arteve, që njohin konceptin e së bukurës. Ormira Lulani është një nga autoret që u shpall fitues e “Fondit të Librit me Ilustrime”, nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. Piktorja shprehet se ky fond merr shumë rëndësi për artin e ilustrimit. Për piktoren Ormira Lulani, Ministria e Kulturës duhet të ketë politika të tilla në mbështetje të artistëve, dhe shprehet se i vjen shumë mirë që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndërmori një nismë të tillë. Juria e kryesuar nga Vladimir Myrtezai dhe anëtarët Gëzim Tafa e Ylljet Aliçka, shpalli fituese piktoren Ormira Lulani me librin “Baladë për tim atë e për vete”. Vlerësimi për piktoren, që u bë nga juria e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit shoqërohej me motivacionin: “Për natyrshmërinë zanore në tingull, elementet e zgjedhura të figuracionit poetik dhe lirshmërisë vibruese të ngjyrës. Për këtë arsye rrëfenjat e saj nuk janë direkt përshkruese e në analizë të shpjegimit të tekstit, por vijnë si një paralel ideoemocional gati të pavarura nga teksti. Kjo është një lloj veçantie që u jep karakter dhe lëkurë të personalizuar ilustrimeve të saj”.

-Ky vit si ka qenë me angazhimet artistike për ju si piktore, sa ju pengoi pandemia?

Për mua si artiste ka qenë një vit i mbushur nga ana artistike, kam punuar shumë. Për artistët “izolimi” me veten është shumë i domosdoshëm, ti je aty e rrethuar me bojërat, penelat, librat, je në botën tënde, larg ngacmimeve nga jashtë, dhe unë bëra një cikël të plotë “autoportretesh“. Ishte një komunikim me veten, është një cikël punësh, që më pëlqejnë mjaft.

- Ju u shpallët fituese e “Fondit të Librit me Ilustrime” nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit disa javë më parë. Si autore, për ju sa rëndësi ka ilustrimi në libra dhe qëllimi i tij?

Librat kanë një forcë shumë të madhe shtytëse në mënyrën se si i shikon gjërat, mëndja fluturon në aventura, vende e përjetime, dhe arti i ilustrimit ta fuqizon mundësinë që të shprehesh dhe të udhëtosh në botë të reja. Ilustrimi është një interpretim vizual i tekstit, ilustrimi e ngroh librin, e bën më të dashur, më të prekshëm, nxit imagjinatën dhe ndjenjën e observimit, dhe libri mbetet më gjatë në mendje. Është e njohur shprehja: “një pikturë (a foto) vlen sa një mijë fjalë” dhe kjo është e vërtetë kur flitet për rëndësinë e ilustrimeve në libra. Gjithashtu dhe në lidhje me promovimin dhe marketingun e librit, ilustrimet janë një kontribues i shkëlqyer për shitjet. Ilustrimet kanë aftësinë për ta bërë librin më argëtues, të nxisin eksplorojë botën brenda imagjinatës. Ilustrimet mund të përdoren në librat e të gjitha zhanreve, ato janë një mjet i përsosur për të pasuruar librin.

- Sa rëndësi ka krijimi i këtij fondi për autorët ilustrues, siç është bërë me dije do të vijojë dhe në vitet në vijim nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit?

Besoj se është shumë e rëndësishme, Ministria e Kulturës duhet të ketë politika të tilla në mbështetje të artistëve, dhe me vjen shumë mirë që Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ndërmori një nismë të tillë, uroj shumë që të vazhdojë, pikërisht ky zhanër ka shumë nevojë për mbështetje. Uroj që me anë të këtyre nismave dhe shumë artistë ta kthejnë vëmendjen drejt artit të ilustrimit, mbase edhe nëpërmjet ekspozitave të ndryshme, simpoziumeve, konkurseve që gjithsesi janë të vlefshme për të nxitur atë "konkurrencë" që e stimulon artistin.

- Ju u shpallët fituese në këtë fond me poemën “Baladë për tim atë e për vete”, që vjen në vijim të punës suaj me ilustrimet e librave më parë. Këtë herë si fituese e këtij fondi, mes të tjerave në motivacionin e vlerësimit nga juria thuhej, se në punën tuaj ka një lloj veçantie, që u jep karakter dhe lëkurë të personalizuar ilustrimeve. Si autore, çfarë patët parasysh në punën tuaj?

Libri “Baladë për tim atë dhe për vete”, po vjen në vazhdimësinë e ilustrimeve të librave të mëparshëm “Prit edhe Pak “ dhe “Tre qeshin një inatoset “, “Këngët e Buzëqeshjes” që këto ditë do të dalë nga shtypi si dhe mbi 10 kopertinave të librave, që shtëpia botuese “Dritëro” nxori gjatë këtyre viteve, Agolli është shkrimtari im i preferuar, kam një lidhje shpirtërore me të, është shumë e rëndësishme në artin tënd kur keni një lidhje personale me diçka në të cilën punon, atëherë dhe puna jote bëhet vërtetë diçka e veçantë; zgjidh të bësh çfarë të pëlqen, dhe nuk do ta quash më "punë", por pjesë të asaj që ti je si njeri dhe si artist. Është gjithmonë një kënaqësi të punosh me librat e Agollit, por njëkohësisht dhe një përgjegjësi, për emrin e tij të madh, shumë i pasur në gjuhë, i mprehtë, ka satirë, i paarritshëm, më nxit shumë lehtë idenë e krijimit. Së pari, duhet të bësh sa më shumë për të nderuar punën e tij. Tek “Baladë për tim atë dhe për vete", jam munduar të kap atë lidhje mes babait dhe birit në momente të ndryshme, me harmoninë e përsosur të vargut, herë i qetë dhe here me dramacitet të tensionuar, është pikërisht vetë vargu që ta dikton, është një kërkim i vazhdueshëm mbi karakteret, për mënyrën e prezantimit të tyre, ka të bëjë me zbërthimin e idesë, pra është një proces, duke përpjekur të gjesh mënyrën më të përsosur për të bërë të prekshme situatën, por dhe njëkohësisht një kërkim në vazhdimësi të stilit tim personal, ngjyrave, fjalëve. Ngjyrat apo prekjet e nevojshme janë elemente që vetë kompozimi apo mendja t'i dikton, shpesh herë ato futen dhe në mënyrë intuitive. Unë mundohem ta shoh çdo ilustrim si një kompozim, sikur po bëj një tablo, pra si art në vete, mundohem të argëtohem, dhe jam e vërtetë në atë që bëj. Kur do atë që bën, dhe rezultati është i kënaqshëm.

- Sa rëndësi, sipas jush i kushtohet ilustrimit në Shqipëri?

Për fat të keq ilustrimit i kushtohet shumë pak rëndësi në Shqipëri, është pothuaj një zhanër i lënë fare në harresë. Shpesh në librari, hasim libra me kopertina të dobëta, shpesh herë me imazhe që huazohen nga interneti dhe që nuk shprehin asgjë. Është pikërisht ajo kopertinë që është dhe kontakti i parë i lexuesit me atë libër, pra është ajo përshtypja e parë me lexuesin e mundshëm. Unë mendoj se kjo kopertinë që shpesh herë neglizhohet është mjaft ndihmëse për një shkrimtar që sjell në dritë një libër të ri, po ashtu dhe për atë shtëpi botuese që merr përsipër botimin e tij. Prandaj, një model i kopertinës së librit është një nga aspektet më të rëndësishme edhe të marketingut të një libri. Nëse kopertina nuk është krijuar mirë, libri vetë humb shitjet. Një kopertinë e suksesshme e librit duhet ta bëjë një lexues të "ndiejë" dorëshkrimin se sa të "tregojë" për të. Duhet futur patjetër kultura e kuptimit të rëndësisë së artit të ilustrimit. Duhet forcuar një lidhje midis shtëpive botuese, shkrimtarëve dhe artistëve që merren me artin ilustrativ. Shtëpitë botuese duhet të jenë të ndërgjegjshme për të tërhequr afër vetes artistë profesionistë, ose qoftë dhe studentë që mbarojnë Akademinë e Arteve, që njohin konceptin e së bukurës. Sepse kur një artist krijon apo dhe ilustron ai bën diçka që është e vërtetë për të, ai fut brenda shpirtin e tij. Dhe kjo është shumë e rëndësishme që dhe lexuesi duhet ta ndjejë atë, duke përfituar dyfish nga vepra që ka në duar. Uroj që vëmendja të përqendrohet më shumë në këtë pikë.

-Viti po mbyllet, çfarë do të donit për 2021 dhe ku shkojnë urimet tuaja?

Uroj që ky vit të vijë i mbarë, pa këtë virus të frikshëm. Uroj të jemi të lirë të lëvizim, të përqafojmë fort njëri- tjetrin, të qeshim pa fund, të falim sa më shumë dashuri, ta jetojmë jetën në çdo minutë të sajin.