BREAKING NEWS

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/ Zbulohet data e përfundimit të hetimeve për shkarkimin e Metës, ja kur përfundon puna e Komisionit Hetimor

PS vijon “luftën”, Presidenti drejt 'fundosjes'/
x

Kultura

Parku arkeologjik i Apolonisë, interes për vizitorët

Parku arkeologjik i Apolonisë, interes për vizitorët

Vizitorët janë rikthyer në Apoloni të Fierit, një nga parqet arkeologjike të vendit. Ministrja e Kulturës, Elva Margariti ka publikuar një seri fotosh ku shihen vizitorët, që tregojnë interes për objektet arkeologjike që janë ekspozuar aty. Me një kolazh të pasur asetesh të çmuara që nga muzeu Arkeologjik, te Manastiri i Shën Mërisë, monumenti i Agonotetëve, biblioteka, odeoni etj, parku arkeologjik ka kaq shumë për të parë dhe ngjall interes të veçantë në çdo kohë. Parku ndahet në zonën A dhe zonën B. Qytet antik (zona A) rreth 120 ha është i rrethuar me mur fortifikues rreth 4.5 km i gjatë, me arkitekturë greko-romake dhe bizantine. Zona B përfaqësohet nga territori ekstramural: nekropoli arkaik, helenistik dhe romak; tempuj dhe ndërtime private ekstramurale. Për guidat turistike, parku arkeologjik i Apolonisë është destinacioni i preferuar i turistëve të huaj, si gjermanë, italianë, etj. Po ta vizitoni këtë monument kaq të rëndësishëm dhe bartës të vlerave tona kulturore u duhet disa orë të qëndroni duke soditur, dhe falë monumenteve e rrënojave të shpërndara në kodrat e këtij parku do të prekni nga afër shkëlqimin e periudhës helenistike dhe romake. Qyteti i Apolonisë është themeluar në shekullin e VI p.e.s. Kronikat e lashta dëshmojnë se midis 30 qyteteve të të gjithë botës antike që kishin të njëjtin emër, Apolonia ilire ishte qyteti më i madh dhe më i rëndësishëm i kohës, ku strehonte 60 000 banorë. Ai është ngritur mbi një kodër (me dy maja të larta 101 e 103 m mbi nivelin e detit) në një pozicion që zotëron tërë zonën dhe nëpërmjet luginës së lumit Aoos (Vjosë) lidhet me detin Adriatik. Misionin për rizbulimin e qytetit e mori përsipër arkeologu francez Leon Rey. Në dallim nga udhëtarët e tjerë të huaj që ishin mjaftuar me disa shënime udhëtimi mbi rrënojat e manastirit, Rey ishte i vendosur t’i kthente Apolonisë lavdinë e dikurshme. Pas nënshkrimit në vitin 1923 të së parës konventë arkeologjike në historinë e shtetit shqiptar misioni arkeologjik francez filloi kërkimet në terren. Ishte këmbëngulja e drejtuesit të këtij misioni Leon Rey, që bëri të mundur jo vetëm identifikimin e shpejtë të Apolonisë së lashtë, por edhe disa zbulime spektakolare në një kohë relativisht të shkurtër dhe me shpenzime modeste.