BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Kultura

Parku i Butrintit, vazhdon puna për mirëmbajtjen e qytetit antik

Parku i Butrintit, vazhdon puna për mirëmbajtjen e qytetit antik

Parku kombëtar i Butrintit është i njohur për vlerat e tij në fushën e trashëgimisë kulturore. Gjatë kësaj kohe edhe pse në pandemi ka vijuar mirëmbajtja në qytetin antik. Parku arkeologjik ka publikuar në faqen e tij disa foto, që tregojnë punën që po bëhet. “Pavarësisht situatës së krijuar nga pandemia, mirëmbajtja në qytetin antik të Butrintit mbetet prioritet. Çdo ditë mirëmbajtësit tanë kujdesen për monumentet, muzeun, hapësirat sanitare dhe gjithë territorin e parkut”, shprehet parku kombëtar. Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall monument kulture, që në vitin 1948 me një akt të parë rregullues për monumentet e kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në listën e pasurive botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar konventës së vitit 1972, "Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore". Parku kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra. Krijimi i parkut kombëtar u bë një domosdoshmëri, sipas specialistëve, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit, për ruajtjen e të dhënave arkeologjike të disa qendrave dhe monumenteve të zbuluara në këtë vatër të qytetërimit antik, si dhe për një menaxhim më efektiv, duke reflektuar edhe rekomandimet e UNESCO-s të vitit 1997. Në këtë kuadër u krijua edhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Butrintit. Brenda parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike, që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa - kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.