Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja
x

Kultura

Parku kombëtar i Butrintit, me 16.667 vizitorë gjatë muajit gusht

Parku kombëtar i Butrintit, me 16.667 vizitorë gjatë muajit gusht

Parku kombëtar i Butrintit gjatë muajit gusht ka shënuar rritje të numrit të vizitorëve. Parku bën me dije, se numri i vizitorëve gjatë muajit gusht e ka tejkaluar atë të muajve janar-korrik të këtij viti. “Muaji gusht ka shënuar një numër të lartë vizitorësh në qytetin antik të Butrintit. 16 667 vizitorë, duke tejkaluar numrin total të vizitorëve për periudhën janar-korrik 2020”, shprehet parku kombëtar i Butrintit. Ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, Butrinti u shpall monument kulture që në vitin 1948, me një akt të parë rregullues për monumentet e kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu monument kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në listën e pasurive botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar konventës së vitit 1972, "Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore". Parku kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra. Krijimi i parkut kombëtar u bë një domosdoshmëri, sipas specialistëve, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit, për ruajtjen e të dhënave arkeologjike të disa qendrave dhe monumenteve të zbuluara në këtë vatër të qytetërimit antik, si dhe për një menaxhim më efektiv, duke reflektuar edhe rekomandimet e UNESCO-s të vitit 1997. Në këtë kuadër u krijua edhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Butrintit. Brenda parkut kombëtar ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike, që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa - kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.