BREAKING NEWS

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë në aksin Sauk-Teg, policia përballet me atë që nuk pritej (VIDEO)

“Kjo është mrekulli”/ Tre orë kontroll me radarë
x

Kultura

Pazari i Vjetër i Korçës, një guidë nëpërmjet akuareleve

Pazari i Vjetër i Korçës, një guidë

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë ka publikuar një guidë nëpërmjet akuareleve nga Pazari i Vjetër Korçë. DRTK shprehet se në organizimin e një qyteti, pazari është pjesa më aktive. “Aty kryhet pjesa më e madhe e prodhimit zejtar, bëhet këmbimi i mallrave, shitja e prodhimeve zejtare, bujqësore, blegtorale. Pazari jeton me pulsin e kohës, e ndien më i pari ritmin e jetës e i përshtatet atij. Ai përhap impulset e qytetit të vet dhe, në të njëjtën kohë, përçon tek ai impulset e botës që rrethon. Pazari bëhet kështu ndërlidhësi më i drejtpërdrejt dhe i menjëhershëm i qendrës me krahinën, i qendrave dhe vendeve të ndryshme. Kështu dhe historia e Korçës nuk mund të dalë e plotë pa historinë e tregut të saj”, shkruhet në materialin e Drejtorisë Rajonale të Trashëgimisë Kulturore Korçë, ndërsa ka publikuar pamje të pazarit nëpërmjet disa akuareleve. Pazari i Korçës arriti kulmin e fuqisë se tij gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë shkruan se ndërtimet që kanë mbetur deri në ditët tona nga ky pazar, i përkasin pikërisht kësaj periudhe gjatë së cilës u krye plotësisht rindërtimi i tij, sipas kritereve të përparuara urbanistike dhe arkitektonike. “Për pamjen fillestare të pazarit të Korçës kemi vetëm të dhëna të tërthorta. Në kodikun e Mitropolisë së Korçës dhe të Selasforit janë regjistruar kronika për tre zjarre të fuqishme, sipas tyre, më 19 qershor të vitit 1822 (i cili u dogj i gjithi), me 12 prill të 1858 natën shpërtheu një zjarr të cilin e bëri pazarin shkrumb e hi. Më 13 gusht 1879, ditën e hënë në orën 1:30 të natës shpërtheu në treg një zjarr i madh, i cili bëri shkrumb e hi 600 dyqane, shpëtuan 100 dyqane anës tregut. Këto të dhëna lënë të kuptosh që materialet e përdorura për ndërtim janë prej druri”, thuhet në materialin e publikuar. Pazari i Vjetër i Korçës, i cili është objekt me vlera të hershme historike, kulturore dhe artistike dhe karakterizohet nga ndërtesa përgjithësisht një dhe dy katëshe, rrugica të ngushta e një stil ndërtimi që vazhdon të tërheqë vëmendjen e vizitorëve. Në shekujt e kaluar pazari ka qenë vendi i shkëmbimeve të tregtarëve që vinin nga Turqia, Greqia, Trieste dhe Venecia.