BREAKING NEWS

Kryeministri Rama sulmon ashpër Bashën nga Kongresi i PS: Je kundërshtari më i ulët ...

Kryeministri Rama sulmon ashpër Bashën nga Kongresi i PS: Je
x

Kultura

Pedagogë dhe artistë: Zero konkurrencë sot në teatro, ka infrastrukturë të rrënuar dhe rënie të nivelit artistik

Pedagogë dhe artistë: Zero konkurrencë sot në teatro, ka

Pedagogë të arteve dhe artistë të ndryshëm shprehen se mungesa e konkurrencës në jetën artistike sjell dhe probleme me cilësinë e shfaqjeve, që vihen në skenat teatrore. Me fillimin e jetës artistike të këtij viti, ata pohojnë se kjo vjen për shkak të mungesës së vëmendjes, që kanë dhe institucionet përgjegjëse për infrastrukturën e teatrit në vend. Artistë dhe pedagogë prej vitesh në Universitetin e Arteve, pohojnë se sot kemi të bëjmë me një infrastrukturë të rrënuar të teatrit në vend.

Pedagog i arteve, aktori Kristaq Pilo pohon se jeta artistike ka probleme në teatër, por nëse del jashtë Tiranës ato janë edhe më të shumta. “Problemi është kompleks dhe ai nuk mund të ndahet nëse është shfaqje e dobët apo e mirë, sepse në fund të fundit është publiku ai që e vlerëson atë pjesë. Këtu kemi të bëjmë me infrastrukturë të rrënuar, sepse mungesa e pjesës së teknikës ajo që mbështet teatrin mungon. Po të dalësh jashtë Tiranës kemi të bëjmë me një atrofizim të teatrove të rretheve, gjë e cila nuk jep mundësinë me sa po shoh unë, sepse kemi ngelur që teatri i Fierit është me tre aktorë, teatri i Elbasanit me 3 aktorë, dhe nuk kanë ndërmend që ti rinovojnë këto trupa, dhe në disa rrethe të tjera janë drejt zhdukjes”, pohon Kristaq Pilo, pedagog i fjalës artistike në fakultetin e Arit Skenik, i cili me aktivitetin e tij është i njohur dhe si regjisor e aktor prej vitesh. Në reagimin e tij ai shprehet se për këto probleme nuk mund të thuhet thjesht është faji i regjisorit apo aktorit, por përgjegjësia shkon te Ministria e Kulturës, që merrte me jetën artistike në vend.

“Pra këto nuk arrijnë të bëjnë teatër, që ti japin mundësi kompanive teatrore të kenë akses nëpër salla të ndryshme të vendit, që të lëvizin shfaqjet, që të lëvizin vlerat sa në një vend në tjetrin. Ndaj për mua problemi me jetën artistike në fushën e teatrit është kompleks, pra kemi të bëjmë me mungesë infrastrukture, mungesë buxheti, etj. Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht, që t’ia lëmë fajin aktorit apo regjisorit. Është një infrastrukturë e tërë e ndërtuar gabim. Dhe kjo është lënë në mëshirë të fatit. Ministria e Kulturës nuk ka një strategji për ta çuar përtej”, shton më tej pedagogu dhe aktori Kristaq Pilo.

Mungesa e konkurrencës

Regjisori i njohur Milto Kutali e sheh problemin me nivelin artistik, që tek mungesa e sallave teatrore. “Ne kemi shumë pak salla teatrore në Tiranë, që nga ky fakt nuk ke ku promovon vlerat artistike, detyrimisht që do të bjerë dhe niveli artistik. Sa më shumë teatro e salla të ketë, sa më shumë përballje të ketë, sigurisht që kjo është e mirë, konkurrenca e bën cilësinë. Problemi është që sa ka mundësi. Ne sot e dimë që dy teatrot kombëtare nuk ofrojnë shumë mundësi, nuk ofrojnë teknologji dhe janë shumë mbrapa në teknologjinë që zotërojnë, sado që janë bërë dhe disa rikonstruksione. Merrni “ArTurbinën” si shembull. Nuk ka asgjë të re sa i takon teknikës, për të mos thënë që jemi dhe më mbara dhe se sa salla ekzistuese e Teatrit Kombëtar”, pohon regjisori Milto Kutali.

Pedagog i arteve dhe regjisor me veprat operistike, Nikolin Gurakuqi thekson se ajo që është problem shumë është mungesa e konkurrencës. Sipas tij, në shumë shfaqje janë po të njëjtët interpretë. “Zero konkurrencë sot në teatrot tona. Në opera përshembull por dhe kudo në institucionet kombëtare apo dhe në rrethe nuk ka konkurrencë, sepse institucionet mbahen me artistët stabël, që janë në çdo shfaqje. Në janar, shkurt, mars po ata, dhe e dinë që nuk do të konkurrojnë me dikë tjetër. Ky është problem. Pse teatrot në perëndim kanë një ligj, sipas të cilit një titull një staf. Po tek ne ndjekin politikën, që ta kemi mirë me interpretët dhe ti vëmë në çdo shfaqje, mos ti kemi kundra”, pohon regjisori Gurakuqi “Mjeshtër i madh”. Në muajin e parë të këtij viti regjisorë dhe pedagogë flasin për nivelin artistik, ku dhe në vitin që lamë pas edhe pse pati shfaqje sërish problemet me cilësinë ishin të dukshme.