Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Petrit Ruka: Filmi në krizë, bordi në QKK të ndalojë regjisorët që xhirojnë prej vitesh dhe nuk kanë sukses

Postuar: 30/08/2018 - 07:39

Kinematografia shqiptare përballet jo vetëm me problemin e buxhetit për realizimin e filmave, por dhe me cilësinë e tyre. Skenaristi dhe regjisori Petrit Ruka pohon se dikur në Kinostudio punohej me profesionalizëm me filmat, sot kjo nuk shihet më si në ato vite. Në intervistën për “SOT” regjisori Petrit Ruka tregon se puna në vitet e Kinostudios ishte me më shumë përgjegjësi në realizimin e filmave. Sipas tij sot edhe trajtimi i temave në filma nuk është më si dikur. Problem për regjisorin është dhe mënyra se si votohen projektet nga bordi në QKK. Sipas tij duhet parë më me kujdes, që nuk mund të angazhohen direkt të rinjtë me filma artistikë me metrazh të gjatë, por dhe një tjetër regjisor që xhiron prej vitesh dhe nuk ka pasur sukses duhet të shikohet me kujdes miratimi i projektit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Në reagimin e tij regjisori Petrit Ruka pohon se po realizohen shumë filma me cilësi të dobët dhe askush nuk shkruan që filmi sot është në krizë. Pjesë e intervistës është dhe puna që ka bërë bashkë me regjisorin Artan Minarolli për realizimin e dy filmave “Një qind përqind” dhe “Plumbi prej plasteline”, duke treguar se ata u realizuan në kohën kur po binte Kinostudio.

-Filmat “Njëqind për qind” dhe “Plumbi prej plasteline”, ku ju jeni bashkautor realizuar më 1993 dhe 1994 janë pjesë e programit të kinematografisë së viteve ’90 në AQSHF. Çfarë mund të na thoni për realizimin e tyre ato vite në Kinostudio?

Kinostudio ishte akoma, edhe pse me shumë probleme me funksionimin e saj. Në 1997 u mbyll, megjithëse për ne kjo kishte ndodhur vite më parë, sepse nuk prodhonte asgjë. Filmat janë xhiruar në vitet e para pas ’90, kur ishte akoma Kinostudio, pa u bërë Qendra Kombëtare e Kinematografisë. Në ato vite ishte koha kur ajo po binte për realizimin e filmave. Që pas 1992 Kinostudio filloi të shpërpjestohej në mënyrë të llahtarshme. Gjatë viteve 1992-’93, në muaj iknin nga 100 vetë nga puna në Greqi, Itali. Buxheti ishte shumë keq dhe infrastruktura filloi të shthurej me shpejtësi në Kinostudio, filloi të shkatërrohej me repartet e saj. Unë dhe regjisori Artan Minarolli kishim bërë prej vitesh kërkesë për filmat tanë, dhe në këtë situatë ne na lejuan që të xhironim dhe ishte një rast i mbarë për ne si autorë filmi ato vite. Por kemi xhiruar në një kohë shumë të vështirë.

-Filmat tuaj u realizuan njëri pas tjetrit, dhe ju jeni shprehur se u xhirua për herë të parë me kodak në Shqipëri. Çfarë ndodhi ato vite?

Ishte Kristaq Dhamo, që vinte vulën nga pikëpamja e cilësisë artistike të filmit. Atë kohë na tha të xhironim filmin “Njëqind për qind” që ishte 34 minuta. Ky film u xhirua më orwo, sepse nuk kishte hyrë akoma në Shqipëri Kodak. Pas tij, ne na besuan një tjetër film me metrazh të gjatë, që ishte “Plumbi prej plasteline”, që u xhirua në 1994 me Kodak. Për herë të parë me këtë film xhirohej me kodak në Shqipëri. Operator ishte Mihal Rama, dhe ky film nga fundi i vitit kur u bë festivali i filmit në Shqipëri mori çmimin e kamerës më të mirë. Gjithmonë në Kinostudio ka qenë praktika, që regjisorët edhe pse mund të ishin shkolluar duhej të ishin disa vite asistentë para se të investohej miliona në film. Mos shikoni sot që marrin dhe studentë, dhe mund ti japin të realizojnë një film artistik të gjatë me qindra mijë euro, kjo është papërgjegjshmëri. Në të gjithë botën nuk të beson njeri film menjëherë pa pasur më parë një përvojë të gjatë me filmin artistik. Në fillim të vënë në provë të japin të realizosh një dokumentar, një film të shkurtër, që të binden që ai buxhet me miliona që merr nuk do ta hedhësh në erë, por di të bësh filmin. Në ato vite kur ne xhiruam dhe për të rritur sigurinë mua dhe Artan Minarollin na bashkoi Kristaq Dhamo dhe na tha bëni një film të dy bashkë, të shikojmë se si do dali dhe më pas t’iu hapet rruga. Ne nisëm filmin “Njëqind për qind” në fillim me Minarollin dhe e realizuam të dy bashkë, më pas u bë dhe filmi tjetër “Plumbi prej plasteline. Ishte një bashkëpunim shumë i mirë ato vite.  

-Ju vlerësoni punën që bëhej dikur në Kinostudio për filmat, sot nuk është më. Çfarë mendoni se duhej bërë?

Mendoj se do të ishte ideale që Kinostudio të ekzistonte për filmat. Por në të gjithë botën nuk ka kinostudio shtetërore, edhe Shqipëria nuk kishte që të bënte përjashtim. Ajo që është keqardhje politika që u ndoq. Gjithë ajo pasuri shkoi kot në Kinostudio, nuk po flas për godinat që u tjetërsuan, por ama pasuria e saj të shkonte te kineastët, te shtëpitë filmike që u krijuan. Por dhe godinat i mori privati, destinacioni i tyre u tjetërsua, u bënë televizione. Mendoj se mund të ishin ruajtur për kinemanë, dhe të gjendeshin mënyra që t’u ndaheshin kineastëve, por jo që tua falnin. Shoqatat mund të bashkoheshin dhe çdo gjë të ishte dhe në vijim në funksionim të filmit, ku dhe pushteti të kishte pjesën e vet, mund të merrte qeranë e godinave, etj. Kjo nuk ndodhi dhe kineastët u nxorën jashtë Kinostudios. Kjo që po ndodh sot me Teatrin Kombëtar mua më duket qesharake ndonjëherë, sepse ai është pasuri shumë më e vogël se sa Kinostudio. Nëse teatri është dy godina, Kinostudio kishte disa godina. Nëse teatri është 3 mijë metra, aty ishin disa hektarë. E kuptoni çfarë pasurie bëhet fjalë? Nganjëherë duket qesharake që po ulërijnë sot për teatrin. Po ku ishin këta njerëz, artistë e aktorë që atëherë heshtën të gjithë kur krimi ndodhte në sytë tanë? Askush nuk reagoi në ato vite, as komuniteti i kineastëve. Kishte më pak hapësira demokratike se sa sot, sepse atë kohë do të tingëllonte sikur ishte kundër demokracisë, por sot është tjetër gjë. Sot ka më shumë hapësirë demokratike.

 

-Ju pohuat se kinemaja sot ka shumë probleme, një kineast me çfarë përballet?

Kinematografia shqiptare sot me filmat përballet me një buxhet tepër qesharak. Buxhet për Qendrën Kombëtare të Kinematografisë 1 milionë euro për filmat është shumë pak, edhe Maqedonia jep disa herë më shumë buxhet për filmat se sa ne. E dyta, mënyra e vlerësimit të filmave, mënyra se si fitohet, kush fiton projekt dhe si, ndërtimi i bordeve, etj, janë probleme sot me filmin. Futja e të rinjve në realizimet e filmave artistikë me metrazh të gjatë duhet parë me vëmendje se kush projekt duhet të miratohet dhe realizohet. Por të gjitha këto probleme me kinematografinë shqiptare sot, rezultati është tek filmat tanë. Kur filmat tanë sot nuk kanë sukses as në botë dhe as te tregon se nuk ka cilësi. Nëse në kinema filmat shqiptarë dy- tre ditë janë, dhe më  pas në sallë nuk shkon njeri, kjo tregon që tematika është e dobët në filma, trajtimi i saj po ashtu, regjisorë dhe skenarë të dobët. Duhet të jemi realistë, edhe pse kjo mund të mos pëlqehet. Publiku është ai që vë vulën në film. Fakti është që nëse bën film të mirë njerëzit e shikojnë, një të dobët jo. Filmi shqiptar në një farë mënyre për mua është në një lloj krize.

-Për të dalë nga kjo krizë, sipas jush çfarë duhet bërë?

Fakti i parë që ndikon është cilësia e filmit. Salla e kinemave janë pa publik për filmat. Ju thashë që ka probleme në trajtimin e temave me filmat tanë. Ne sot nuk kemi as kritikë profesioniste në kinematografinë shqiptare. Askush nuk shkruan, për filmat që janë të dobët, për dështimet e kinemasë sonë, nuk bëhet një analizë sot për filmin. Kur kemi dhe regjisorë që xhirojnë për vite me radhë dhe nuk kanë sukses me filmin atëherë duhen ndaluar. Ata që janë në bord në QKK duhet ta shikojnë këtë dhe duhet ta ndalojnë. Kur ata e shikojnë që është financuar disa herë dhe nuk ka pasur rezultat me filmin duhet ndaluar.

-Ju përmendët rolin e bordit, por ai zgjidhet me anëtarë të propozuar nga vetë shoqatat e kineastëve?

Mbase kjo është gabim, që shoqatat propozojnë anëtarët e bordit në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Shoqatat kanë dhe vetë interesat e tyre me filmin, sepse janë dhe vetë kineastët aty. Unë mendoj që bordi në QKK për filmat nuk duhet të jetë fare me anëtarë nga shoqatat tona të filmit.

-Si duhet të jetë formuar bordi në QKK sipas jush?

Për mendimin tim duhet të jetë një bord me anëtarë të huaj, që të miratojë projektet e filmave në QKK. Një bord që të ketë pavarësinë më të madhe se sa brenda shoqatave të kineastëve. Një bord me anëtarë të huaj nuk do të kishte asnjë ndikim, vetëm aty mund të fitonte më i miri me filmin. Bordi i huaj te skenarët kur ti lexonte do të dinte besoj të bënte një vlerësim pa pasur ndikime. Për mua i pari është skenari në film. Më vjen keq, sepse me gjendjen sot sikur janë bërë me shumë se sa duhet filmat që nuk kanë cilësi të mirë.  

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 1. Total votes: 4

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 18/09/2018 - 07:57

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” bën me dije se çel stinën teatrore të shfaqjeve për fëmijë në datat 22 dhe 23 shtator, me dy premierat më të reja "Motër e vëlla"dhe "Librar

Postuar: 18/09/2018 - 07:55

Janë pesë vepra premiera shqiptare që do të vijnë për publikun në skenën e Teatrit Metropol gjatë

Postuar: 18/09/2018 - 07:51

Zëri i artistëve për probleme të ndryshme sipas tyre nuk është dëgjuar nga Ministria e Kulturës.

Postuar: 16/09/2018 - 08:16

Vitit kulturor Austri- Shqipëri po vijon me aktivitete dhe veprimtari të ndryshme artistike dhe k

Postuar: 16/09/2018 - 08:13

Historia e Skënderbeut realizuar në pikturë për publikun vjen në ekspozitën me veprat e piktorit

Postuar: 16/09/2018 - 08:10

Piktori Anastas Kostandini është nga emrat më të vlerësuar në art brenda dhe jashtë vendit.

Postuar: 15/09/2018 - 07:30

Nga e hëna e 17 shtatorit deri më 22 shtator do të zhvillohet edicioni i trembëdhjetë i Festivali