BREAKING NEWS

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me
x

Kultura

Piktorët: Arti pamor nuk ekziston për institucionet tona, në gjendje për t’i qarë hallin

Piktorët: Arti pamor nuk ekziston për institucionet tona, në

Arti pamor nuk ekziston për institucionet tona shprehen piktorët. Përballë mungesës së aktiviteteve që duhet të zhvillohen nga institucionet, sipas tyre edhe ato pak që organizohen janë më shumë nga vetë piktorët. Me kritika piktorët shprehen dhe për mungesën e vëmendjes në Ditën Botërore të Artit që u shënua më datë 15 të këtij muaji, ku sipas tyre në Kosovë u hap një ekspozitë në Galerinë Kombëtare, ndërsa tek ne nuk pati interes. Piktorët e njohur Robert Përmeti dhe Adrian Devolli shprehen se ajo që ndodh sot në jetën artistike të vendit tonë ka treguar se Ministria e Kulturës, por dhe Galeria Kombëtare e Arteve prej vitesh nuk kanë treguar interes për artistët në vend me aktivitetin e tyre. Piktori Adrian Devolli thotë se asnjë nga institucionet nuk ka vajtur në studiot e autorëve të njohur shqiptarë për parë krijimtarinë  e tyre në pikturë. Sipas piktorit Devolli, janë vetë piktorët që mes vështirësive po arrijnë të mbajnë gjallë jetën artistike. “Për institucionet tona arti pamor nuk ekziston, përderisa artistët tanë nuk i kanë pyetur ndonjëherë. Nuk kanë qenë në studiot e emrave të njohur të artit në vend që ti pyesin se çfarë po bëhet, apo të zhvillohet një takim nga ministria. Janë kot në institucione. Ndaj them që janë njerëz që funksionojnë vetëm de juro, de facto nuk funksion asgjë”, thotë piktori Adrian Devolli. Në reagimin e tij piktori Devolli risjell në vëmendje, që edhe kur artistët kanë kërkuar më parë mbështetje për ekspozitat që kanë dashur të hapin ajo ka munguar. Sipas tij, kjo situatë ka vite që po vijon, ndërsa ekspozitat që hapen janë më shumë iniciativa të vetë artistëve. “Ministria e Kulturës dhe GKA nuk bëjnë asnjë lloj aktiviteti kombëtar për artin pamor në vend. Nuk bëhet asgjë, vetëm me iniciativa private të vetë artistëve, që dhe kur kanë kërkuar mbështetje ose nuk kanë pasur ose ka qenë shumë pak për një veprimtari në artin pamor”, thotë piktori.

Gjendja e artit pamor

Me kritika shprehet dhe piktori Robert Përmeti. Ai thotë se në Kosovë u hap një ekspozitë në Ditën Botërore të Artit Pamor, por tek ne institucionet nuk bënë asgjë. Sipas tij, sot arti pamor në vend është në gjendje për ti qarë hallin. “Unë e ndoqa aktivitetin që u bë në Kosovë në Ditën Botërore të Artit, por tek ne nuk ka vëmendje për aktivitete të tilla dhe që nga Ministria e Kulturës nuk e dinë që ka një gjë të tillë.  Shumica e artistëve që nga unë i pari e mora vesh këtë gjë që nga komunikimi që kam me artistët në Kosovë. Një piktore më tha që atje kishin ditën e artit. Por tek ne është për të qarë hallin. Tek ne nuk ka asnjë organizëm, ose mikroorganizëm që sadopak të sensiblizojë këto probleme”, thotë piktori Përmeti. Në reagimin e tij piktori thotë se Galeria Kombëtare e Arteve si institucion vazhdon të mos tregojë vëmendjen e duhur për çfarë ndodh me zhvillimin e artit pamor në vend. Ashtu si dhe të tjerë artistë, edhe piktori Përmeti thotë se është fatkeqësi që nuk tregojnë interes për artin pamor. “GKA tek ne është një fatkeqësi, një vend ku ka njerëz që vetëm marrin rrogën. Ne nuk kemi asnjë ekspozitë kombëtare asnjë konkurs, që të jetë nga institucionet me artistët. Nuk kemi asgjë dhe kjo vijon prej disa vitesh. Fatkeqësia jonë është që në Ministrinë e Kulturës nuk ka njerëz të artit dhe kulturës, edhe pse ka ndonjë tek- tuk që shpreh dashamirësinë është pa potencë”, thotë piktori Robert Përmeti. Dita Botërore e Arteve Pamore që për herë të parë u shënua më 15 prill 2012 nga Shoqata Ndërkombëtare e Arteve Pamore si partnere e UNESCO-s ka për qëllim të krijojë lidhje, bashkëpunime dhe të katalizojë rrjetin ndërkombëtar të artit pamor në botë. Kjo datë përkon edhe me datëlindjen e artistit të shquar botëror Leonardo da Vinçit.