BREAKING NEWS

E trishtë/ I shtruar prej ditësh në spital, COVID-19 i merr jetën ish-ushtarakut të lartë (EMRI+FOTO)

E trishtë/ I shtruar prej ditësh në spital, COVID-19 i merr
x

Kultura

Piktorët: Institucionet nuk duan t’ia dinë se ekziston arti, në këtë kohë duhet një politikë sociale shumë e fortë

Piktorët: Institucionet nuk duan t’ia dinë se ekziston arti,

Kriza që po përballet arti dhe kultura në vend ka sjellë shumë probleme për aktivitetin e artistëve. Mungesa e veprimtarive artistike, si dhe pamundësia për krijimtarinë i ka përballur artistët me një situatë të vështirë. Të gjendur në këto kushte ata shprehen se po përpiqen me sa munden edhe pse vështirësitë nuk janë të pakta. Për piktorët kjo kohë është e vështirë, pasi kanë qenë të kufizuar jo pak në aktivitetin e tyre. Gjatë kësaj kohe kanë munguar dhe ekspozitat, ku dhe mundësitë për të pikturuar jashtë në natyrë kanë qenë të kufizuara. Të gjendur në këto kushte ata shprehen se zëri i tyre nuk është dëgjuar nga institucionet dhe në kohë normale dhe jo më tani në këtë situatë. Piktori Rakip Shabani tregon se institucionet nuk duan t’ia dinë për artistët dhe aktivitetin e tyre në studio. “Ka qenë një kohë e vështirë, por dhe nga institucionet nuk është se ne kemi pasur ndihmë dhe përpara pandemisë. Nuk na kanë dhënë asgjë, është kot ti kërkosh ndihmë atyre. Zëri jonë nuk është dëgjuar prej tyre. Institucionet as duan t’ia dinë se ekziston arti. Fjala art është fabul dhe simboli i kësaj është shikoni Galerinë Kombëtare të Arteve të mbuluar me lecka, me thasë. Nuk duan t’ia dinë institucionet. Unë kam një galeri arti, ku jo vetëm që nuk na është dhënë asnjë ndihmë, por as ka ardhur njeri të pyesë çfarë bën. Zëri i artistëve është një zë në shkretëtirë është kot ti drejtohesh institucioneve tona”, thotë piktori i njohur Rakip Shabani. Në kushtet e pandemisë, piktori i njohur Anastas Kostandini thotë se e ka vijuar aktivitetin e tij edhe pse jo me mundësitë si më parë. “Unë nuk jam vetëm një piktor studioje, por dhe një piktor që pikturoj natyrën. Kur koha është e bukur dal në natyrë dhe jam një peisazhist. Por këto kohë ka qenë e pamundur, por kam bërë disa vizatime kur kam dalë ndonjë ditë në mëngjes, sipas fashës së orarit të vënë. Më ka zënë malli të pikturoj në natyrë një peizazh në vaj dhe mezi pres të krijohet mundësia për ta bërë këtë”, shprehet piktori.

Piktorët dhe turizmi

 Për piktorin Anastas Kostandini artistët janë një pjesë pozitive e asaj, që mund të tregojë turizmi në vendin tonë. Por sipas tij kjo kërkon që institucionet shtetërore të kenë shumë më tepër vëmendje për aktivitetin e artistëve në studio, pasi ato mund të shërbejnë dhe për turizmin, si dhe në ndihmë të artistëve. “Sa i përket interesimit shtetëror unë mbetem me idenë, që shtetin nuk e pengon fare kjo periudhë që artistët të jenë në vëmendje. Duke qenë se turizmi shqiptar mezi pret të shpërthejë, edhe artistët janë një pjesë pozitive e asaj çka mund të tregojë turizmi ndërmjet vizitave në studio. Me mua kanë biseduar dhe shoqëritë turistike dhe duan ta përfshijnë studion time në itinerarin e tyre, por unë i kam të kufizuar mundësitë dhe hapësirat. Por jam i interesuar, sepse janë mundësi, mund të blejnë, publikojnë. Por institucionet një pjesë të piktorëve mund ti përfshijnë në projektet vendore”, thotë piktori. Sipas tij në këtë kohë për artistët duhen politika më të forta sociale, pasi shumë prej tyre janë në vështirësi. Piktori thotë se për artistët është mirë të aplikohet dhe modeli francez për ti ndihmuar. “Muzetë tona janë në një gjendje të keqe, shumë data dhe personalitete kanë nevojë për dëshmi figurative të artistëve që merren me portretin, me kompozimin. Por janë të ç’interesuar dhe nuk kanë fare interes për artistët, është një ç’interesim nga institucionet në kohë normale dhe jo më tani. Unë njoh shumë artistë, që kanë probleme dhe ua qaj hallin, duhet bërë një politikë sociale shumë e fortë, duhet aplikuar diçka franceze, ku atje artistëve iu jepen godina që janë të braktisura ose jashtë funksionit dhe ata i vitalizojnë me prezencën e tyre”, pohon ai. Një tjetër problem për artistët ka qenë dhe fakti, që dyqanet e materialeve për piktura kanë qenë të mbyllura këtë kohë.