BREAKING NEWS

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë publikon bilancin e COVID, ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Bien ndjeshëm rastet e reja/ Ministria e Shëndetësisë
x

Kultura

Piktorët kritika ndaj GKA: Të ekspozojë veprat e fondit të saj, kanë më shumë vlerë se ekspozitat personale, institucioni është kthyer në vetjak

Piktorët kritika ndaj GKA: Të ekspozojë veprat e fondit të

Galeria Kombëtare e Arteve duhet të ekspozojë veprat që janë në fondin saj, që sipas piktorëve duhet të kurohen me kujdes. GKA ka vijuar aktivitetin me ekspozita që janë hapur disa muaj me artistë të ndryshëm, por për piktorët është e gabuar që pasuria e kombit në fushën e arteve pamore qëndron mbyllur dhe nuk i paraqitet publikut në ekspozita. Ata edhe pse e mirëpritën një ekspozitë me veprat e fondit që u hap para disa muajsh, patën kritika për mënyrën se si ishin vendosur ato në GKA. Piktori Vangjel Gjikondi tregon se ekspozita, që u hap me veprat e arkivit në GKA ishte një rrëmujë. “GKA ka problem, që nuk tregohen veprat e fondit që janë në koleksionin e saj. U hap një ekspozitë me veprat e arkivit, por ishte rrëmujë. Me rëndësi është që GKA të tregojë më kujdes me veprat e fondit dhe t’i ekspozojë herë pas here. Janë hequr në GKA veprat që kanë vlerë të vërtetë, dhe janë vënë vepra sipas interesave të individëve”, pohon piktori Gjikondi mes të tjerave në reagimin e tij. Piktori tregon se ka në GKA disa vepra që janë punuar nga ai në vite. Piktori Vangjel Gjikondi thotë se ka një vit, që nuk ka qenë më në Galerinë Kombëtare të Arteve dhe pohon se institucioni duhet të bëjë kujdes me përzgjedhjen e veprave. Sipas piktorit, jo çdo vepër arti e ka vendin në GKA. “Unë mendoj që GKA duhet të ketë më shumë qasje ndaj veprave të fondit. Unë kam te fondi i GKA 7 vepra. Një e ka marrë Baskia e Tiranës, ajo ka qenë dhe në bienale dhe e ka pasur dikur GKA. Me rëndësi është që fondi i GKA të ekspozohet dhe jo të rrijë një ekspozitë disa muaj. Fondi do kuratorë ose njerëz, që ti ekspozojnë bukur veprat dhe nga historike e estetike. Unë kam një vit që nuk kam qenë në galeri madje duhet të shkoj ta shoh”, tregon piktori Gjikondi.

Kujdesi për fondin

Piktori Rakip Shabani shprehet se në Galerinë Kombëtare të Arteve nuk duhet të hapen ekspozita, që qëndrojnë me disa muaj me artistë të ndryshëm. Në reagimin e tij piktori Shabani thotë se veprat e fondit që janë realizuar nga autorët shqiptarë nuk kujtohen ti ekspozojnë sa duhet. “Veprat e fondit të ekspozohen, sepse fondi po kalbet. Si bëhen ekspozita të tjera disa muaj me artistë, që janë dhe të huaj? Sa vlerë ka fondi i GKA nuk kanë ekspozitat e tjera. Një ekspozitë mund të qëndrojë deri në 10 ditë. Por këtu lidhen interesa, GKA është kthyer në institucion vetjak. Nuk është e drejtë që të hapen ekspozitat disa muaj, por të jetë kujdesi te fondi ashtu si të gjithë galeritë në botë”, tregon piktori Rakip Shabani. Piktori shprehet se në fondin e GKA ai ka 24 vepra. Sipas tij, GKA duhet të tregojë kujdes dhe me mënyrën e të ekspozuarit. “Detyrë e galerisë në të gjithë botën janë veprat në fond, dhe nuk merret vetëm me ekspozita të tjera. Veprat e fondit duhet të vendosen ashtu si e meritojnë. Unë kam 24 vepra në fondin e GKA. Janë vepra, që janë bërë nga viti 1970 deri në 1990. Veprat u merrnin nga ekspozitat që hapeshin dhe në të njëjtën kohë dhe nga konkurset kombëtare. Veprat që fitonin çmime futeshin në galeri”, tregon piktori Rakip Shabani. Galeria Kombëtare e Arteve është një institucion shtetëror në varësi të Ministrisë së Kulturës. Në faqen e galerisë ndër të tjera thuhet se ajo funksionon në mbështetje të ligjit për muzetë dhe ligjit për trashëgiminë kulturore kombëtare.