BREAKING NEWS

Përplasje me armë zjarri në Vlorë/ Dalin emrat e të plagosurve, xhaxhai i 28-vjeçarit rrëfen si ndodhi ngjarja: Ishim duke pirë kafe, kur dëgjova...

x

Kultura

Piktorët kundër GKA: Po kthen artin në paçavure, Ministria e Kulturës të mos bëjë sehir

Galeria Kombëtare e Arteve për artistë të ndryshëm jo vetëm që i mban dyert mbyllur për ata, por deri tani nuk ka treguar që është një institucion kombëtar në fushën e artit. Piktorë të ndryshëm kanë dakë kundër edhe disa ekspozitave, që po zhvillon GKA, duke pohuar se mes tyre ka dhe plagjiatura. Piktori Adrian Devolli shprehet se GKA nuk po kryen funksionin e saj, si institucion kombëtar. “GKA është një institucion i vdekur. Në situatën, që ndodhet vendi ynë ku po largohen njerëzit, ku po ikën investimi i trurit, në këtë alarm arti duhet të bëjë punë e vet. Kush është puna e artit? Arti duhet të krijojë një marrëdhënie ndoshta pak më shumë edhe më tepër sociale. Pra kërkohet të ketë një marrëdhënie ekspozitash, me një ritëm më të madh”, pohon piktori. Për piktorin Adrian Devolli ajo që është pohuar si instilacion dhe është mbuluar GKA, duhej të ishte menduar më me kujdes nga institucioni. “Instalacioni në GKA, por unë i bëj një pyetje drejtuesve: a mund të ndodhë kjo në ndonjë galeri apo muze të një qyteti perëndimor, ku të mbulohet në mënyrë të tillë institucioni? A ka ndodh që të mbulohet galeria në ndonjë vend tjetër si me lecka të vjetra?”, shprehet Adrian Devolli. Për piktorin e njohur Mustafa Arapi në GKA prej kohësh është një situatë, që për artistët janë mbyllur dyert, ndërsa shton se titullari nuk duhet të qëndrojë më në këtë institucion. Sipas piktorit, në fasadën e GKA është një plagjiaturë gjë që nuk duhet lejuar nga titullari i galerisë. “Nuk ka mbetur më të flitet për GKA, por duhet që të mblidhen artistët dhe të heqin atë drejtor. Një drejtor që është dakord me atë paçavure, që kanë vënë. Nuk e kupton që është një plagjiaturë dhe është një ide e kopjuar e dy artistëve të mëdhenj. Ai drejtor pranon dhe vë ato, por ato janë plagjiatura të shëmtuara. Kryesorja është, që ka ardhur koha që ky drejtor të mos jetë më në GKA, sepse e ka kthyer në një bunker galerinë që nuk shkel njeri”, pohon piktori Arapi.

Ministria mos bëjë sehir

Sipas piktorit Mustafa Arapi, në GKA hapen ekspozita të njerëzve që janë servilë dhe jo të atyre artistëve, që kanë një kontribut të madh në art. “Aktivitet që ai bën, ai pranon dhe hap ekspozita të artistëve të huaj dhe i mban dhe në kohë të gjatë dhe njerëz që janë të “elitës”, por servilë të këtyre që udhëheqin dhe i mban, ndërsa artistë të nderuar në vend që janë dhe të moshuar dhe kanë bërë histori në artin e tyre ai nuk i pranon. Ne nuk e njohim atë drejtor se dimë se nga ka ardhur, mua më duket se këto bëhen qëllimisht, po shkatërrohet e gjithë kultura”, pohon piktori i njohur Arapi. Për piktorin Robert Përmeti, në një kohë kur duhej të ishin aktivitete që e meritonin të zhvilloheshin në këtë institucion, po ndodh e kundërta. “Në kohën e trishtueshme të tragjedisë së tërmetit, flamuri kombëtar nuk u ngrit nëpër sheshe e godinat qeveritare në vigjilje kur prisnim festat të nëntorit, ashtu sikurse e meriton, por për fat të keq, në një nga qendrat kryesore të Tiranës, në Galerinë e Arteve të ashtuquajtur kombëtare, valviten copat e bezeve të palara e të ndyra, që veshin komplet këtë godinë, qendra e kulturës së përdhosur shqiptare”, shprehet ai. Piktori Robert Përmeti thotë se me gjendjen që është sot GKA Ministria e Kulturës nuk duhet të bëjë sehir. “Pavarësisht se si mbrohen perversitete të tilla nga disa emra, që thjesht kanë interesa në këto lloj demostrimesh, Ministria e Kulturës e në mënyrë të veçantë ministrja, nuk duhet të bëjnë sehirxhiun, thuajse këto gjëra ndodhin në Ganë e jo në Tiranë. Në qoftë se paaftësia e kësaj ministre dhe kësaj ministrie arrin deri në këtë pikë, do të ishte shumë e ndershme, që të jepte dorëheqjen një orë e më parë”, pohon ai. Sipas piktorit Robert Përmeti, kritikat nga pakënaqësitë ndaj GKA janë drejtuar përherë te drejtori, por në fakt e keqja ndodhet te Ministria e Kulturës.

Nga Julia Vrapi