BREAKING NEWS

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep mesazhin e fortë

“Pa koment”,Rama poston foton nga takimi i Bashës dhe jep
x

Kultura

Piktori Helidon Haliti vjen me “Still a life”, një ekspozitë personale pas 9 viteve

Piktori Helidon Haliti vjen me “Still a life”, një

Piktori Helidon Haliti vjen me ekspozitën e tij personale titulluar “Still a life”, në Muzeun Historik Kombëtar. Ekspozita me piktura do të hapet më datë 1 prill për publikun në muze dhe prezanton disa nga veprat që janë realizuar nga piktori i njohur Helidon Haliti, një artist i çmimeve ndërkombëtare. Ekspozita personale e piktorit Helidon Haliti është kuruar nga Oltsen Gripshi. Vetë piktori Haliti i njohur dhe si mjeshtër i akuarelit e lajmëron “Still a life” në muze përmes një statusi dhe shprehet se është ekspozita e tij personale pas 9 viteve. Në tekstin kuratorial si kurator i ekspozitës Ph.d. Oltsen Gripshi shkruan se në tërësinë e veprave të artit bashkëkohor ndikimi i ëndrrës mbetet një fenomen, i cili padyshim është përkthyer në fenomenologjinë e vetë këtij arti, një luajalitet i ndërsjellë midis imagjinatës njerëzore dhe krijimit konkret. Marrëdhënie kjo sipas kuratorit Gripshi, e cila i jep përparësi në krijimin e një vepre artistike bashkëkohore, është të shprehi koncepte që stimulojnë intelektin. “Në këtë rast, kur tentojmë të lexojmë apo deshifrojmë ëndrrën/ëndrrat, intelekti i stimuluar shndërrohet në një imazh të caktuar, ashtu sikurse ndodh edhe në pikturën e Helidon Halitit. Një artist, i cili imazhet që krijon duken sikur vijnë nga një hapësirë tjetër mendore, pikërisht përtej asaj që ne të tjerët arrijmë të perceptojmë në realitet […]- ai përmes ëndrrës filtron ndjesitë e tij, duke thyer në këtë mënyrë pamjen tonë konvencionale të gjërave. Sjellje kjo që e udhëheq artistin për të identifikuar mënyra të reja dhe për të ndikuar në realitetin që e rrethon dhe e nxit për të krijuar, duke vënë në pikëpyetje vetë kufijtë e asaj që është arti konkretisht”, shprehet Gripshi. Për kuratorin Oltsen Gripshi, me këtë frymë konkretizohet edhe ekspozita vetjake “Still a life” e Helidon Halitit në Muzeun Historik Kombëtar. “Një ekspozitë, e cila rrugëton nëpër shtigjet ndjesore brenda qenies së artistit, ku ai falë pikturës ka arritur të shpërfaqë jo vetëm botë e tij shpirtërore, por dhe të reflektojë mbi të përditshmen që e rrethon”, shprehet ai.

Katër elementët thelbësorë

“Still a life” do të hapet në muze, dhe kuratori Oltsen Gripshi shprehet se ekspozita është e formësuar nga katër elementë thelbësorë, që kanë ndikuar drejtpërdrejt tek artisti. “Si vetëportretet ku ai ballafaqohet me veten, ngre një bashkëbisedim/monolog sofist për të njohur dhe kuptuar më mirë se cili është ai vërtetë, personazhet F që janë femrat me të cilat ai ka një marrëdhënie të veçantë sikundër është nëna e tij, duke pasuruar njëherazi me tonalitete të ngrohta veprat që ai krijon, personazhe M që janë miqtë dhe lojë luftërash hapësira ku shohim një përmasë tjetër të artistit, që është ajo e një “beteje” të brendshme ndjenjash, zhgënjimesh, ankthesh dhe vegimesh nga e kaluara”, vijon Gripshi në tekstin për ekspozitën e piktorit në muze. Sipas kuratorit, element tjetër që përcjell një mesazh të fortë është simbolika e veshit. “Veshi që dëgjon dhe ai që lidh dy botë, atë jashtë dhe brenda artistit”, shprehet Gripshi. Në këtë vështrim zanafilla e imazheve sa reale aq dhe surreale në pikturën e Helidon Halitit janë kujtimet, vegimet e së shkuarës, por që herë-herë ngjallen me të tashmen të cilat fiksohen dhe riorganizohen gjatë gjumit përmes ëndrrave, e më pas të pasqyruara mbi kanavacë. Për kuratorin, imazhet që ne shohim këtë ekspozitë vetjake të Helidon Halitit nuk janë gjë tjetër, por fragmente të jetuara në një ëndërr, e cila paraqitet tek ne nëpërmjet një gjuhe të kodifikuar, të maskuar me qëllimin e vetëm për të shprehur dhe përcjellë ato ndjesi të tija që e nxisin për të zgjidhur tensionet e akumuluara gjatë përjetimit të ëndrrës, këtej dhe andej ekzistencës. Ekspozita do të qëndrojë deri më datë 10 të muajit që vjen në Muzeun Historik Kombëtar.