Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Piktori Kristo Dada çel në Tiranë ekspozitën personale pas 29 vitesh në emigrim

Postuar: 21/04/2019 - 08:00

Ekspozita “Peisazh në akuarel” sjell për publikun 60 punime në pikturë nga piktori Kristo Dada. I larguar prej shumë vitesh në Greqi, ku zhvillon dhe aktivitetin e tij artistik, këtë herë në Tiranë në Muzeun Historik Kombëtar piktori prezanton punime që janë realizuar në harkun kohor të dy viteve. “Peisazh në akuarel” përmban peisazhe nga qytete dhe fshatra të Shqipërisë dhe Greqisë. Piktori Kristo Dada është larguar nga Shqipëria që në vitin 1990. Jeta në Greqi sipas tij në fillim nuk ka qenë e lehtë, por me punën e tij në krijimtarinë në art ia ka dalë mbanë dhe sot është nga emrat e njohur në Athinë me aktivitetin e tij në pikturë. Akuarelisti i njohur Kristo Dada tregon se ndërsa në Athinë ka hapur shumë ekspozita në galeri private dhe ato bashkiake, në Shqipëri është hera e parë që ekspozon pas 1990 që u largua. “Unë kam ardhur me ekspozitën time të parë “Peisazh në akuarel” në Tiranë që pas largimit tim më 1990. Janë punë që janë bërë gjatë një harku kohor prej dy vitesh dhe sigurisht që në Tiranë ekspozohen për herë të parë për publikun. Në ekspozitë janë 60 peisazhe, që janë në akuarel dhe është pranverë -verë në punët e mia. Dimensionet e pikturave janë nga 60 me 80 cm dhe 25 me 30 cm. Është një tematikë  larmishme në ekspozitë”, tregon piktori Kristo Dada. I larguar nga Shqipëria më 1990 piktori i njohur shprehet se me punët e tij është prezantuar jo vetëm në Greqi, por dhe në shtete të ndryshme të botës. “Unë kam ekspozuar në galeritë private dhe ato bashkiake në Athinë. Kam një aktivitet të larmishëm me krijimtarinë time në pikturë. Kam hapur ekspozita dhe në Milano, në Francë apo dhe në Amerikë. Në Shqipëri nuk kam ardhur të ekspozoj më parë, thjesht ka qenë që kam vijuar aktivitetin me punën time larg”, tregon piktori i njohur Kristo Dada. Ekspozita që u çel dje në Muzeun Historik Kombëtar do të qëndrojë për publikun deri më datë 27 të këtij muaji.

Vendimi për largimin në Greqi

Kristo Dada sot një nga akuarelistët e njohur shqiptarë që jeton dhe punon në Greqi është diplomuar në Institutin e Lartë të Arteve. Ai tregon se vendimin për t’u larguar nga Shqipëria e mori ashtu si dhe shumë të tjerë në ato vite për një jetë më të mirë. “Fillimisht ka qenë shumë e vështirë në Greqi për t’u futur në fushën e artit meqë jam përballur dhe me racizmin atje, por me punë çdo gjë bëhet. Edhe unë me punën time, me artin tim ia kam dalë mbanë. Unë mora vendimin për t’u larguar nga Shqipëria ashtu si dhe shumë të tjerë shqiptarë ato vite, pra për një jetë më të mirë dhe emigrova në Greqi. Atje tani jetoj dhe zhvilloj jetën artistike. Pas kësaj ekspozite në Tiranë unë besoj që do të vij dhe me të tjera ekspozita personale me punimet e mia”, tregon piktori. I gjendur këto ditë në Tiranë piktori i njohur Kristo Dada ashtu si dhe shumë të tjerë artistë në vend nuk pajtohet me gjendjen që janë sot institucionet e artit. Ai tregon se në Shqipëri ka artistë shumë të mirë, por që nuk kanë mundësi ekspozimi. “Duke qenë larg unë nuk kam pasur mundësi që ta ndjek dhe nga afër jetën artistike këtu, por tani që jam më kanë treguar kolegët me problemet që ata po përballen, dhe ata nuk kanë mundësi ekspozimi për veprat e tyre. Ka shumë artistë të mirë në Shqipëri. Ne kemi pasur pedagogët tanë në arte, që kanë qenë shumë të talentuar si Kujtim Buza, Qamil Prizreni, Naxhi Bakalli dhe të tjerë. Fatkeqësi është që në Shqipëri artistët nuk kanë mundësi dot të hyjnë aty ku duhet me punë e tyre, nuk kanë mundësi as ta ekspozojnë, as ta nxjerrin në treg pikturë që ta shikojë dikush. Me atë që unë kam dëgjuar nga artistët për GKA, shikoj që nuk vlerësohet sa duhet artisti. Ky është mendimi im, sepse ne kemi artistë që bëjnë punë shumë të mira si në vaj dhe në akuarel”, tregon piktori. Duke folur më tej për jetën artistike ai shprehet se për një artist duhet shumë punë. “Unë kam studiuar në art dhe mendoj se duhet punë e fortë për një artist, sepse konkurrenca është e madhe”, pohon piktori./ Julia Vrapi

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/05/2019 - 07:36

Në Muzeun Kombëtar Ikonografik “Onufri” Berat, prezantohet sot sistemi dixhital i audioguidave.

Postuar: 23/05/2019 - 07:35

“I humburi” titullohet filmi me skenar nga Tonin Çekliqi dhe regji nga Bruno Shllaku

Postuar: 23/05/2019 - 07:34

Artistët shprehen se ndryshimet në ligjin e artit janë të rëndësishme për të përmirësuar situatën

Postuar: 22/05/2019 - 07:30

Në kuadër të “Ditës Botërore të Diversitetit Kulturor për Dialog dhe Zhvillim”, Qendr

Postuar: 22/05/2019 - 07:28

Vepra “Jul Qezar” nga Uilliam Shekspir është një tjetër produksion, që po përgatitet

Postuar: 22/05/2019 - 07:26

Filmi dokumentar “Koha e Pelikulës” kushtuar regjisores Xhanfise Keko do të shfaqet t

Postuar: 22/05/2019 - 07:25

Veprat që janë realizuar nga skulptorë të njohur janë shpërndarë në territorin e vendit, por janë