Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Piktori Zef Shoshi, me veprat e viteve 1956-2014 në galerinë e Prishtinës

Postuar: 19/03/2017 - 08:17

Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë dhe Galeria Kombëtare e Kosovës kanë zgjedhur të prezantojnë krijimtarinë e piktorit të njohur Zef Shoshi për publikun. Nga bashkëpunimi mes dy galerive, në fund të muajit mars prezantohet ekspozita vetjake e piktorit Zef Shoshi në Prishtinë. Këto vepra vijnë si pjesë e koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve dhe koleksionit privat të artistit dhe janë të viteve1956-2014. Piktori Zef Shoshi është një nga artistët më në zë të arteve pamore të shekullit të XX në vendin tonë, pjesë e grupit të piktorëve kryesorë të realizmit socialist në Shqipëri. Ai është i njohur për tablotë e tij kompozicionale me tema të ndryshme nga historia, nga klasa punëtore dhe bujqësia, tema në mbështetje të propagandës shtetërore komuniste, si dhe një seri tablosh kushtuar figurës së Enver Hoxhës. Ekspozita do të çelet më datë 30 mars në Galerinë Kombëtare të Kosovës, Prishtinë dhe do të qëndrojë për publikun deri më datë 30 të muajit që vjen. Piktura si “Gju më gju me popullin”, “Mjelëset”, “Në prashitje”, “Kooperativistja”, “Zadrimorja”, “Kuvendi i Lezhës” (e cila sot është pronë e Kuvendit të Shqipërisë), janë disa nga veprat tashmë të njohura për publikun. Siç ka pohuar dhe më parë vetë piktori, diplomën e liceut dhe atë të Akademisë së Arteve i ka mbrojtur me temën e Zadrimës, edhe kjo si një amanet i lënë nga i ati. Zef Shoshi ka mbaruar me rezultate shumë të mira Liceun Artistik të Tiranës dhe më pas ka vazhduar studimet për katër vite radhazi në Leningrad (St. Peterburg) në Rusi. Është diplomuar në Institutin e Arteve të Tiranës në vitin 1962. Ka marrë pjesë pothuajse në të gjitha manifestimet artistike të vendit dhe ka fituar shumë çmime në pikturë. Në vitin 1979 ka marrë Çmimin e Dytë të Republikës, ndërsa në vitin 1983 ka marrë titullin "Artist i merituar".

Veprat e artit në fondin e galerisë

Për dekada me radhë veprat e tij janë ekspozuar dhe në institucionet më të rëndësishme të vendit, ndërsa vetë piktori nuk ka munguar dhe në ekspozita të ndryshme. Por ashtu si dhe të tjerë piktorë të njohur që kanë vepra në fondin e Galerisë Kombëtare të Arteve, të cilët kanë kërkuar më shumë vëmendje dhe kujdes për fondin e galerisë, edhe piktori Shoshi ka kërkuar një gjë të tillë. Sipas tij për GKA duhet të ketë më shumë investime, pasi kjo do të shërbente dhe për veprat e artit që janë në fondin e galerisë. Ai ka pohuar se në fondin e GKA janë 22 piktura, portrete dhe kompozime e peizazhe të realizuara prej tij. Ato datojnë që nga 1959 e deri në vitet ’70. “Mendoj se fondi i të gjithë veprave të Galerinë Kombëtare të Arteve nuk është në gjendje të mirë ka probleme me kushtet e ruajtjes. Veprat nuk rrinë në kushtet e duhura, sepse është mjedisi shumë i ngjeshur. Për mua sot GKA kërkon një shtesë ambienti për të krijuar mundësitë e ruajtjes më të mirë të veprave”, pohon piktori. Zef Shoshi bën pjesë në grupin e artistëve “Nëntorit”, ku së bashku me piktorë të tjerë ka qenë pjesë e ekspozitave me veprat e tij. Grupimi “Nëntori” i formuar pas viteve ‘90 përbëhet nga piktorë të brezave të ndryshëm, që i bashkon zhanri dhe vazhdimësia e traditës së pikturës në Shqipëri. Një pjesë e tyre janë të përfaqësuar me vepra edhe në linjën muzeale të Galerisë Kombëtare në sallat “Realizmi Socialist” 1960­1986 dhe “Piktura dhe Skulptura Moderniste” 1989­2001. Liria e pa kufizuar e të shprehurit ku jepet më shumë mundësi të evidentohet individualiteti krijues ka bërë që ekspozita "Nëntori" nga viti në vit të jetë më interesante. 

Nga Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 7

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 28/05/2017 - 18:34

Një mbrëmje muzikore me krijimtarinë e kompozitorit të njohur rus Sergei Prokofiev do të vijë për publikun pas disa ditësh. Orkestra Simfonike e RTSH në mbrëmjen e datës 2 qershor sjell në skenën e Universitetit të Arteve disa nga veprat më të bukura që mbajnë emrin e autorit rus.

Postuar: 28/05/2017 - 08:35

Kompozitori Fatos Qerimaj shprehet se strategjitë dhe politikat e zhvillimit të artit gjithmonë kanë qenë të dobëta.

Postuar: 28/05/2017 - 08:31

Monodrama “Amaneti” vepër e autorit Odise Plaku do të vijë në skenën teatrore premierë me regji dhe interpretim nga aktori i njohur Bruno Shllaku.

Postuar: 27/05/2017 - 07:42

Për mbylljen e Bienales “Mediterranea 18”, që u mbajt këtë vit për herë të parë në Shqipëri, mes Tiranës dhe Durrësit, Ministria e Kulturës njofton forumin Re-Birth

Postuar: 27/05/2017 - 07:40

Konferenca kombëtare “10 vjet institucion- E drejta e autorit” u zhvillua më 23 maj në Gjirokastër.

Postuar: 27/05/2017 - 07:32

Vepra të njohura për violinë dhe vokale të kohës së barokut e karakterizuan natën e dytë të festivalit ndërkombëtar të Prishtinës, “ReMusica”.

Postuar: 27/05/2017 - 07:29

Shkrimtarja holandeze Marente de Moore fituese e çmimit letrar të letërsisë në 2014 prezantoi në Tiranë romanin “Virgjëresha holandeze”.