BREAKING NEWS

Gjykata Supreme i jep ‘goditjen’ e rëndë George Sorosit, i bllokon fondet me vendim të prerë (Përplasja mes organizatës dhe Kongresit)

Gjykata Supreme i jep ‘goditjen’ e rëndë George Sorosit, i
x

Kultura

Pjesa humoristike “FriKë JO, ProVa PO”, me materiale nga përditshmëria jonë

Pjesa humoristike “FriKë JO, ProVa PO”, me materiale nga

Pjesa humoristike “FriKë JO, ProVa PO" ka bërë bashkë artistët pranë teatrit “Migjeni”, në qytetin e Shkodrës. Në një kohë kur institucionet kulturore po mundohen të përcjellin sa munden për shkak të kufizimeve nga pandemia program artistik, artistët pranë teatrit "Migjeni" vijnë me një pjesë humoristike, që mund të ndiqet online nga artdashësit. Nisma e teatrit “Migjeni” ka bërë bashkë në role aktorët Rita Gjeka Kacarosi ''Mjeshtre e Madhe'', Ketlin Pjalmi, Klodiana Vata, Lusi Bregu, Stanistlava Logaj, Ergys Saraçi, Fritz Selmani dhe Arbër Bala. Me regji nga Fritz Selmani pjesa humoristike “FriKë JO, ProVa PO”, trajton përditshmërinë dhe kohën gjatë pandemisë. Regjisori Fritz Selmani thotë se kjo është video e dytë humoristike, që është përgatitur, me materiale humoristike. “Teatri “Migjeni” ka marrë nismën që gjatë kohës së karantinës të jemi të angazhuar. Ne më parë kemi bërë dhe një video të tillë. E para ishte një video humoristike për mbrëmjen e maturës 2020. Një video, që flet për ndalimin e mbrëmjes së maturës, për shkak të pandemisë nga koronavirusi. Video e dytë ishte një ide e drejtoreshës së teatrit “Migjeni” Rita Gjeka. Kjo video që është punuar nga ne, tregon se mund të bëjmë prova edhe në këtë situatë që ndodhemi, frikë jo, prova po”, tregon regjisori. Ky material humoristik që po shfaqet online këtë kohë në kanalin YouTube të teatrit “Migjeni”, sipas regjisorit Selmani ka materiale që në i hasim në përditshmërinë tonë dhe janë personazhe të ndryshme . “Ne kemi inskenuar një skeç, që gjoja sikur është ndarë dikush nga jeta dhe aty shohim personazhe, që i hasim në përditshmërinë dhe jetën tonë. Për të treguar këtë gjë, të gjithë këto personazhe ne kemi bërë që të mblidhen në këtë rast vdekjeje, që ka ndodhur. Aty mund të shohim të zotin e shtëpisë, një rroker, janë dy vajza malësore që vetëm flasin, një pedagog që hiqet sikur është pedagog i italishtes dhe i di të gjitha, por në fakt nuk di asgjë dhe të tjerë”, pohon regjisori.

 Puna duke respektuar rregullat

Duke treguar për çfarë ndodh në vijim në këtë video humoristike, regjisori Fritz Selmani thotë se në vijim hyn dhe aktorja Rita Gjeka, që i sheh duke bëtë prova. “Ne menjëherë e lëmë skeçin përgjysmë dhe vëmë maskat e mbajmë distanacat. Fundi i këtij skeçi është kur thuhet: Stop, fundin e këtij skeçi do ta bëjmë kur të dalim nga zona e kuqe. Kjo sepse Shkodra është zonë e kuqe”, tregon ai. Duke folur për punën që është bërë për videot me materiale humoristike, regjisori Fritz Selmani thotë se e para është xhiruar në shtëpi, ndërsa e dyta është punuar në teatër, por duke respektuar rregullat e vendosura të pandemisë. “Videon e dytë ne e kemi punuar në teatër, por brenda të gjitha rregullave. Kemi pasur hapësirën e duhur, kemi ruajtur distancën, kemi respektuar çdo gjë që është në rregullat e kësaj situate”, vijon ai. Kjo video me regji nga Fritz Selmani, kamera dhe montazhi është nga Marviks Shantoja dhe audio Antonio Shllaku. Regjisori Selmani thotë se për materialet është një konsultim midis të gjithëve dhe është arritur, që të improvizojnë. “Materialet në video janë ide, që ne i kemi konsultuar të gjithë së bashku. Nuk është se kam pasur një tekst të mirëfilltë dhe kemi arritur të improvizojmë diçka. Në videon që është një nismë e teatrit “Migjeni”, përditshmëria jonë është në këtë material humoristik dhe koha e pandemisë”, thotë regjisori, për këtë punë që ka angazhuar dhe artistët e rinj. Teatri “Migjeni” në jetën e tij artistike dhe më parë para pandemisë ka sjellë në skenë premiera të ndryshme, që janë vlerësuar dhe kanë angazhuar aktorë të njohur dhe të rinj.