BREAKING NEWS

Me kë do ta formojë PS-ja qeverinë pas 25 prillit? Rama i jep përgjigjen e prerë gazetarit

Me kë do ta formojë PS-ja qeverinë pas 25 prillit? Rama i jep
x

Kultura

Pjetër Guralumi: Festivali Adriatiko-Jonian i Teatrit mbi Trashëgiminë Kulturore Jomateriale, me 3 produksione shqiptare

Pjetër Guralumi: Festivali Adriatiko-Jonian i Teatrit mbi

Festivali Adriatiko-Jonian i Teatrit mbi Trashëgiminë Kulturore Jomateriale solli produksione të ndryshme artistike. Ai u zhvillua ditët e muajt mars në formatin online, por me një program të pasur. Festivali u realizua si një nga produktet që do të sillte projekti ADNICH- Rrjeti Adriatik i produksionit artistik për zhvillimin dhe shtimin e trashëgimisë kulturore jomateriale. Pjetër Guralumi është drejtues i qendrës EVENT që ka bërë produksionin e filmit, ndërsa prof. assoc. Alert Çeloaliaj është drejtor i përgjithshëm i produksioneve të Universitetit të Arteve. Profesor Guralumi tregon se i realizuar në të njëjtën kohë në tre vende, Itali, Mali i Zi dhe Shqipëri, festivali solli në një mënyrë inovative, të shtrënguar dhe nga kufizimet e pandemisë së covid-19, nëntë produksione të reja, ku tre prej tyre ishin ato shqiptare. “Trashëgimia kulturore jomateriale shqiptare, e përcjellë përmes veprave të reja të artit, krijoi një mënyrë tjetër të njohjes së ndërsjellë midis partnerëve të projektit, si ata italianë e malazes me ata shqiptarë”, tregon ai. Drejtues i qendrës EVENT, Pjetër Guralumi tregon se komiteti shkencor ndërkufitar i projektit, përmes vendimit të përbashkët, përcaktoi që tematika me të cilën do të përballeshin si studiuesit, krijuesit dhe realizuesit faktikë të veprave artistike, do të ishte ajo e gjakmarrjes. Guralumi tregon se e parë si një dukuri, që vjen prej shekujsh dhe e strukturuar në një kohë të mungesës së shtetit dhe ligjeve, në kohët tona, me variacionet që rimori pas viteve ’90, prezencën e saj, që ka edhe raste të devijimeve nga rregullat e dikurshme të Kanunit, gjakmarrja është ende një plagë e hapur e shoqërisë shqiptare. Sipas tij, kjo si në aspektin e të drejtave themelore të njeriut, ashtu edhe në të drejtat e grave apo fëmijëve në familjet e ngujuara. “Sjellja, përmes këtij festivali të 3 krijimeve të reja shqiptare, përbën një kontribut tjetër, jo vetëm për pasurimin e titujve që prekin këtë tematikë, por ndërkohë dhe për të ndërhyrë përmes artit dhe forcës së tij komunikuese e edukuese, në shtresat shoqërore dhe moshat ku ky efekt i artit ndjehet, për të realizuar një presion qoftë edhe artistik për mbylljen e kësaj plage”, shprehet ai.

Artistët e rinj shumë premtues

Festivali paraqiti produksionet artistike shqiptare të strukturuara në tre mbrëmje, të cilat për arsye të kufizimeve të pandemisë covid-19, u ofruan në versionin online përmes kanalit youtube të dedikuar. Pjetër Guralumi shprehet se realizimi i festivalit online, për shkak të kufizimeve të pandemisë, nga njëra anë mund të konsiderohet edhe si pengesë për përftimin e emocionit dhe kontaktin e drejtpërdrejtë me skenën e teatrit apo kinemasë, por nga ana tjetër duke dashur që përmes përshtatjes me këtë tranzicion digjital që shoqëria po përjeton, të mund të synonin për një audiencë edhe më të gjerë, falë teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Sipas Guralumit, atë që në pamje të parë mund të dukej si një pengesë, e menduan dhe e kthyen në avantazh në lidhje me publikun. “Nuk është e rastit që shikueshmëria e të tre produksioneve shqiptare, dy të Universitetit të Arteve dhe një e qendrës EVENT, kanë të dhënat më të mira nga të gjithë partnerët tanë. Kryeson filmi “21001 Ditë” produksion i qendra EVENT me mbi 8000 vizualizime, e më tej në vend të dytë është “Tinguj dhe Vargje”, produksion i Universitetit të Arteve me mbi 1300 vizualizime dhe “Pranga Gjaku” produksion i Universitetit të Arteve me mbi 460 vizualizime”, shprehet profesor Pjetër Guralumi. Me disa përjashtime në aktorët e karrierës në kinematografi dhe teatër si Guljelm Radoja apo Bujar Asqeriu në filmin “21001 ditë”, e gjithë pjesa tjetër e artistëve ishin të rinj, si në fushën e regjisë ashtu edhe në atë të aktrimit. Për drejtuesin e qendrës EVENT, Pjetër Guralumi emrat e të rinjve janë shumë premtues në aktivitetin artistik. “Ky festival, i realizuar në tre shtete njëkohësisht, jo vetëm i dha mundësi artistëve të rinj shqiptarë të zotërojnë profesionalisht në produksionet artistike, por edhe të fillojnë e të gjejnë emrat e tyre në mediume, të cilat të ndjekura në numra të konsiderueshëm u bëjnë nder artistëve të rinj dhe Universitetit të Arteve, prej nga ku ata kanë marrë edukimin e tyre profesional artistik. Emrat e regjisorëve Endi Hoxha, Dajana Nenaj, Aldi Hysotoci e Xhuljano Brisku janë shumë premtues, për origjinalitetin dhe realizimin e suksesshëm e eksperimental të trajtimin e temës së gjakmarrjes”, vijon më tej Guralumi. Festivali u zhvillua gjatë datave 19-21 mars. Si edicion, ky është një festival që lidhet me një projekt ndërkufitar, siç ishte ADNICH, por sipas profesor Guralumit mënyra e metodologjia e trajtimit të tematikave të frymëzuara nga trashëgimia jonë kulturore jomateriale kanë tashmë një model, i cili mund të rimerret edhe në të ardhmen me tematika e krijimtari të re në të ardhmen.