BREAKING NEWS

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik raportimesh për UFO-t në Itali, ja rasti i paprecedentë që ka kapur radari në aeroportin Malpensa në Milano dhe lidhja me pandeminë e COVID-19

"Alienët na kanë pushtuar", numër stratosferik
x

Kultura

Problemet me ndotjen prej mbetjeve të naftës, Teatri Kombëtar thirrje dramaturgëve mbi një dramë, që trajton problemin

Problemet me ndotjen prej mbetjeve të naftës, Teatri Kombëtar

Në kuadër të një projekti ndërkombëtar organizuar nga Konventa Europiane e Teatrove, ETC (European Theatre Convention), Teatri Kombëtar fton dramaturgët të paraqesin, duke filluar nga dje datë 23 nëntor deri më 15 janar 2021, një koncept ide mbi një dramë e cila trajton problemin e ndotjes prej mbetjeve të naftës në vendin tonë. Në thirrjen drejtuar dramaturgëve në vendin tonë, Teatri Kombëtar mes të tjerash shprehet se ndotja prej mbetjeve të naftës është një temë ndërkombëtare, dhe ky projekt ka si qëllim realizimin e disa shfaqjeve teatrore. “Ndotja prej mbetjeve të naftës në vendet europiane është një temë ndërkombëtare, e cila na prek të gjithëve. Ky projekt ka si qëllim realizimin e pesë ose më shumë shfaqjeve të realizuara në mënyrë të pavarur në teatrot e tyre”, shprehet Teatri Kombëtar në njoftimin, që bëri të hënën për dramaturgët. Më tej Teatri Kombëtar thotë se veprat teatrore që prekin këtë problematikë do të përzgjidhen nga një bord, por projektet do të jenë me shfaqje dhe në një festival që do të zhvillohet gjatë muajit qershor të vitit 2022. “Pas një përzgjedhje të veprave nga bordi i dramave i ETC-së, projektet e përfshira do të japin shfaqje si të ftuar në festivalin Graz International dramaturg, në qershor të 2022”, vijon më tej thirrja që Teatri Kombëtar publikoi dje për këtë projekt ndërkombëtar, që organizohet nga Konventa Europiane e Teatrove.

 Mbështetja financiare

Teatri Kombëtar shprehet se gjithashtu do të shihet mundësia e botimit të pjesëve të shkruara në anglisht dhe shpërndarja e tyre në shtëpitë botuese në Gjermani, ndërsa do të ketë dhe mbështetje financiare për shkrimin e dramës. “ETC-ja do të mbështes financiarisht më një shumë prej 2000 euro, projektet fituese për shkrimin e dramës dhe përkthimin në anglisht”, shkruan më tej institucioni në thirrjen drejtuar dramaturgëve. Teatri Kombëtar i bën thirrje të gjithë dramaturgëve që duan të marrin pjesë në këtë projekt të dërgojnë me e-mail në adresën zyrtare: [email protected] një koncept ide, ku paraqitet qartë historia e gjithë veprës, (jo analizë dhe jo më e gjatë se një faqe format A4). Drama mund të jetë monodramë ose me shumë personazhe dhe duhet të jetë në shqip dhe në anglisht. Biografia e autorit në shqip dhe në anglisht(edhe nëse është autor i ri dhe kjo është vepra e tij e parë nuk përbën asnjë problem). Vepra mund të jetë e re ose e vjetër, ku sipas Teatrit Kombëtar edhe nëse është vendosur më parë në skenë nuk ka rëndësi, mjafton që të jetë me tematikën e sipër përmendur. Konventa Europiane e Teatrove (ETC), është rrjeti më prestigjioz i teatrove publike europiane, i cili u themelua në vitin 1988, për të promovuar teatrin dramatik bashkëkohor evropian, për të mbështetur mobilitetin e artistëve dhe për të zhvilluar shkëmbimin artistik në të gjithë Evropën dhe më gjerë. Me projekte teatrale kreative dhe inovative me cilësi të lartë, ETC-ja mëton të riafirmojë rolin e teatrit, forcën e tij, për të formuar një hapësirë publike europiane, duke ofruar qasje në kulturë për të gjithë publikun pa dallim. Duke i unifikuar krijuesit e teatrit dhe qytetarët e Europës, ETC-ja përdor teatrin për të mbështetur dialogun ndërkulturor dhe më aktivitetet e tij, bën të mundur zhvillimin e kompetencave ndërkulturore në shoqëritë tona gjithnjë e më të ndryshme, brenda një bote konkurruese. Për t'iu përgjigjur këtyre sfidave, ETC-ja përfaqëson teatrot publike europiane dhe merr pjesë në shkëmbimin e praktikave dhe ideve të mira midis institucioneve europiane, shteteve anëtare dhe shoqërisë civile.