BREAKING NEWS

Pak kohë para zgjedhjeve, vjen një tjetër ‘shuplakë’ e fortë për Monika Kryemadhin / Damian Gjiknuri jep lajmin, ja çfarë ka ndodhur në Vlorë

Pak kohë para zgjedhjeve, vjen një tjetër
x

Kultura

Programi “Mbresa 2021”, me nxënësit në muzeun “Shtëpia me gjethe”

Programi “Mbresa 2021”, me nxënësit në muzeun

Nxënësit e gjimnazit "Qemal Stafa" u bënë pjesë e programit edukativ "Mbresa 2021" organizuar nga muzeu kombëtar i përgjimeve "Shtëpia me gjethe", në Tiranë. Projekti "Mbresa" është një program edukativ dhe artistik, i cili përfshin nxënësit e shkollave të mesme. Programi përmban një konkurs në këto gjini artistike: arte pamore (pikturë, skulpturë, instalacion), krijim letrar (ese, poezi etj), muzikë (melodi, këngë), risi teknologjike, etj. Muzeu shprehet se disa nga objektivat e këtij programi janë: përfshirja, angazhimi, nxitja e të rinjve për të marrë pjesë në aktivitete krijuese/edukuese, njohja e tyre me regjimin komunist shqiptar si dhe me veprimtarinë represive të Sigurimit të Shtetit, reflektimi rreth kësaj të kaluare, promovimi i talenteve të reja, etj. “Nxënësit pasi vizitojnë muzeun, në bazë të ndjesive të përftuara krijojnë në gjinitë artistike të lartpërmendura. Punimet duhet të dorëzohen në muze brenda 15 ditëve pas vizitës. Më pas, ato do të ekspozohen për rreth 2 javë në faqen e Facebook-ut të muzeut dhe krijimi që do të marrë më shumë pëlqime do të vlerësohet me çmim të veçantë. Një juri e përbërë nga specialistë të fushës do të vlerësojë punimet më të mira. Është parashikuar që krijimet më të mira të vlerësohen me një dhuratë simbolike, si dhe të bëhen pjesë e një katalogu”, bën me dije muzeu “Shtëpia me gjethe”. Ndërtesa e njohur si “Shtëpia me gjethe” (e quajtur kështu për shkak të bimës kacavjerrëse që mbulonte fasadën e saj), është kthyer tashmë në muzeun kombëtar të përgjimeve. Herë pas here në muze zhvillohen aktivitete të ndryshme, ku pjesë e tyre është dhe programi “Mbresa”. I hapur më 23 maj 2017, ai është muzeu më i ri në Shqipëri dhe një nga më të veçantët që përpiqet t’u rrëfejë të rinjve dhe të huajve një nga periudhat më të errëta të historisë së vendit. Pozicionuar në qendër të Tiranës, përballë Kishës Ortodokse: “Ringjallja e Krishtit” dhe pranë Bankës Kombëtare, ndërtesa që strehoi për pak kohë Gestapon gjatë pushtimit të vendit në Luftën e Dytë Botërore, ka qenë Selia Qendrore e Përgjimeve të Shërbimit Sekret nga viti 1944- 1991. E konceptuar në 9 seksione, “Shtëpia me gjethe” përbëhet nga 31 dhoma të lidhura me koherencë mes tyre dhe çdo dhomë ka një funksion të veçantë.