BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Kultura

Projekti për murin e Bastionit në Finiq, me ndërhyrje konsoliduese dhe restauruese

Projekti për murin e Bastionit në Finiq, me ndërhyrje

Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale ka miratuar projektin për kryerjen e ndërhyrjeve konsoliduese-restauruese në murin e Bastionit, në parkun arkeologjik të Finiqit. Ministrja e Kulturës Elva Margariti shprehet se ndërhyrjet në projektin e miratuar nga KKTKM parashikojnë edhe sondazhe arkeologjike. “Ndërhyrjet parashikojnë ringritjen e mureve të rëna, pastrimin nga vegjetacioni, si edhe kryerjen e sondazhit arkeologjik, me synim kryerjen e ndërhyrjeve përforcuese në muraturë, nëse do të jetë e nevojshme. Krahas monumenteve në brendësi të mureve fortifikuese, kodra e Finiqit ofron për vizitorët një eksperiencë të jashtëzakonshme, falë pozicionit gjeografik nga ku mund të kundrohet ultësira e Bistricës, liqeni i Butrintit dhe gjithë pellgu i Delvinës”, shkruan ministrja e Kulturës, në një status të saj. Qyteti i lashtë i Finiqit përbën një vlerë të madhe historike dhe arkeologjike, pjesë e pandarë e trashëgimisë shqiptare kulturore. Qyteti antik i Foinikës mori statusin park arkeologjik kombëtar në vitin 2005. Foinikia ka një histori të lashtë. Ai ka qenë kryeqendra e kaonëve, ndërsa në shekullin III u bë kryeqyteti i gjithë shtetit të Epirit. Sipas Polibit, ka qenë qyteti më i fortifikuar i Epirit. Ngrihej në një kodër në formën e një anijeje të përmbysur. Fshati i sotëm ndodhet në rrëzë të kësaj kodre. Ka tri seksione muresh të ruajtura në kodër: muret e akropolit, muret e periudhës së zgjerimit të akropolit dhe muret e qytetit të fortifikuar. Këto mure, që dallohen për vëllimin e tyre të madh, datohen me përafërsi midis shekullit IV dhe II p.k.r. Në brendësi të mureve ndodhen rrënojat e mureve greke dhe romake. Në fshat ka mbetje të mureve greke, por ato romake janë më të shumta në numër. Tek akropoli është zbuluar një thesar i vogël, që në periudhën bizantine u shndërrua në baptister. Po ashtu është zbuluar një teatër me kapacitet të madh. Janë gjendur edhe tri cisterna që i përkasin periudhës midis shekullit V dhe shekullit III para. Kr. dhe disa rrënoja ndërtesash.