BREAKING NEWS

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me COVID u regjistruan në 24 orët e fundit në Shqipëri, zbulohen zonat më 'të nxehta'

Mbi 4 mijë testime! Zbardhen të dhënat, sa raste të reja me
x

Kultura

Promovimi dhe evidentimi në fushën e letrave, QKLL hap thirrjen “Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj”

Promovimi dhe evidentimi në fushën e letrave, QKLL hap thirrjen

Autorë të ndryshëm, me aktivitetin letrar përballen me vështirësi në evidentimin dhe promovimin e tyre. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shprehet se do t’u japë përparësi krijuesve të rinj, duke marrë parasysh vështirësitë që hasin për t’u evidentuar dhe promovuar në fushën e letrave. Për këtë QKLL ka hapur sërish këtë vit thirrjen për “Fondin e Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2021”, që do të vijojë të jetë ndër projektet bazë dhe të përvitshme të kësaj qendre. Thirrjen e QKLL për krijuesit e rinj e ka publikuar dhe ministrja e Kulturës Elva Margariti, në profilin e saj në Facebook. Ministrja shprehet se kjo është dhe një nga misionet e Ministrisë së Kulturës. “Mbështetja e krijuesve të rinj është një nga misionet e Ministrisë së Kulturës dhe institucioneve të saj të varësisë. Edhe këtë vit Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka hapur “Fondin e Krijimtarisë për të Rinj”. Mbetet vetëm të sprovoni veten”, shkruan ministrja Margariti. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) harton programet dhe financon projektet në fushën e librit, si edhe në mbështetje të strategjisë për vitin 2021 të saj, hapet thirrja “Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2021”. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shprehet se ky fond synon të nxisë dhe të mbështesë financiarisht procesin krijues të autorëve të rinj të letërsisë bashkëkohore shqipe. Në materialin nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit thuhet se thirrja u drejtohet lëvruesve të poezisë dhe prozës nga mosha 18 deri në 35 vjeç. Shuma e financimit për mbështetjen e procesit krijues të veprës, do t’i paguhet drejtpërdrejt botuesit. Aplikimi filloi më datën 6 prill dhe do të përfundojë këtë vit në datën 31 maj, ora 14:00. Dokumentacioni përkatës duhet dorëzuar pranë Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, brenda datës 31 maj ora 14:00, në adresën elektronike: [email protected] dhe atë postare.

 Rregullat, kushtet, kërkesat

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shprehet se mbështetja financiare që ofrohet për botimin e veprave letrare nga autorë të rinj shqiptarë në prozë, poezi do të jetë në shumën 150 000 (njëqind e pesëdhjetë mijë lekë). Aplikimi duhet të bëhet nga shtëpi botuese të licencuara, dhe vepra e propozuar nuk duhet të jetë botuar më parë. Projektet e dorëzuara, të financuara pjesërisht dhe/ose tërësisht nga institucione të tjera në republikën e Shqipërisë, nuk mund të përzgjidhen për mbështetje financiare nga “Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj 2021”. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit shprehet më tej se juria e përzgjedhur, përbëhet nga ekspertë të fushës së letërsisë dhe të botimit. “Vlerësimi i projektit bëhet duke u bazuar te vlerat artistike të veprës. Rezultatet do të njoftohen pasi juria të vlerësojë propozimet, dhe të marrë vendimin përfundimtar mbi dhënien e mbështetjes financiare”, thuhet nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL). Në rast miratimi, botuesit dhe autorët do të nënshkruajnë një kontratë me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit. Periudha për botimin e titujve të mbështetur është brenda vitit 2021. Botuesi i sponsorizuar duhet të përmendë mbështetjen e dhënë në faqen e dytë të librit, ku duhet të shfaqet logoja e Qendrës Kombëtare të Librit e të Leximit (QKLL), me tekstin e mëposhtëm: "Ky libër u botua me mbështetjen e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Shqipëri”. Botuesi duhet të dorëzojë në QKLL pesë kopje falas nga vepra e botuar, që do të shoqërohet me një dokument të nënshkruar nga të dyja palët.