Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja çfarë ka ndodhur në 24 orët e fundit

Ulet numri i të infektuarve me Covid-19 në Shqipëri , ja
x

Kultura

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, të martën shpall fituesit e fondit të përkthimit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, të martën shpall fituesit

Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit të martën do të shpallë fituesit e fondit të përkthimit. QKLL shprehet se 12 aplikime nga botues të huaj iu përgjigjën thirrjes së saj për të mbështetur financiarisht botimin e autorëve dhe letërsisë shqipe në gjuhë e kultura të tjera. Ndërsa 23 aplikime nga botues shqiptarë iu përgjigjën thirrjes së Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit për të mbështetur financiarisht botimin e letërsisë së huaj në gjuhën shqipe. Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit (QKLL) bën me dije se dosjet e secilit prej aplikuesve iu dorëzuan ekspertëve të fushës së përkthimit zgjedhur nga qendra, të cilët analizuan në mënyrë profesionale përkthimet sipas gjuhëve përkatëse. “Më pas, këto vlerësime të ekspertëve iu kaluan jurisë së kryesuar nga prof. dr. Mimoza Kore, për të dhënë gjykimin përfundimtar mbi veprat që do të marrin mbështetjen e QKLL-së. 6 vepra prej secilit fond do të mbështeten nga QKLL-ja”, bën me dije Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit. QKLL njofton më tej se dje juria u mblodh për të dhënë gjykimin final mbi veprat pjesëmarrëse. “Veprat që do të mbështeten nga QKLL-ja do të bëhen publike më 8 shtator, ora 11:00, gjatë një ceremonie në hapësirat e QKLL-së, ku juria do të argumentojë vendimet”, thuhet në njoftimin e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, që ka bërë publike dhe listën e aplikimeve për të dyja fondet. Qëllimi i Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit është përmbushja e detyrave zhvillimore dhe shërbimeve të drejtpërdrejta në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Në materialin e publikuar nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit thuhet se misioni i saj synon përhapjen e kulturës së leximit në të gjithë vendin, nxitjen e krijimtarisë, forcimin e rolit promovues dhe edukativ të bibliotekave dhe mbështetjen e projekteve për promovimin e letrave shqipe në tregun europian dhe atë botëror. Si përgjegjësi kryesore e qendrës janë funksionet që lidhen me mbështetjen, nxitjen dhe promovimin e krijimtarisë letrare e të përkthimit, duke kontribuar edhe në zhvillimin e politikave në fushën e librit, brenda dhe jashtë territorit.