
Postuar: 14/02/2018 - 08:34
Artistët e kanë cilësuar arrogante përgjigjen e kryeministrit Edi Rama lidhur me debatin për ndërtesën e Teatrit Kombëtar. Regjisori Kastriot Çipi u shpreh se Rama nuk është mbret dhe se kjo është një çështje shumë e rëndësishme. “Reagimi i Ramës shumë arrogant, nuk pranojmë këshilla nga askush, ai nuk është mbret. Duhet që këto gjëra të negociohen. Kjo është një çështje shumë e rëndësishme”, ka pohuar regjisori Kastriot Çipi. Kryeministri Edi Rama u përfshi në debatin e artistëve me ministren e Kulturës, teksa i kthente përgjigje një komentuesi në faqen e tij në Facebook, ku i fundit e pyeste nëse i kishte dëgjuar aktorët Robert Ndrenika dhe Bujar Asqeriu. Kryeministri Rama shkruante se nuk i ka dëgjuar dhe se debati është pa asnjë vlerë, duke shtuar se askush nuk jepte dot leksione. Në komentin e tij kryeministria Rama gjithashtu shkruan se sa ka bërë qeveria e drejtuar prej tij në katër vite nuk janë bërë për teatrot dhe muzetë në 25 vite nga qeveritë më parë. Sipas kryeministrit Rama ky është një debat i vjetër për teatrin dhe pa asnjë vlerë dhe kuptim kur flitet në ditët e sotme. "Jo Andi nuk i kam dëgjuar dhe nuk e di çfarë plasje kanë, po di që debati për të mbrojtur godinën e rrënuar të teatrit, është një debat i stërvjetër, i stërlodhur dhe pa asnjë vlerë e asnjë kuptim sot! Sa ka bërë qeveria ime për teatrot, muzetë, stadiumet në vetëm 4 vjet nuk i kanë bërë të gjitha qeveritë bashkë në 25 vjet! Nuk mjaftojnë? Aspak. Por ama leksione të asnjë lloji s’na jep dot askush dhe në këto katër vjet do bëjmë ende më shumë, përfshirë edhe Teatrin e ri Kombëtar, duan s’duan ata që s’dinë çfarë duan!", shkruan kryeministri Rama. Por sa i takon objektit të “Turbinës” si qendra multifunksionale nga Ministria e Kulturës është si një mundësi e përhershme krijuese dhe rikrijuese. Në faqen e ministrisë shkruhet se ka për qëllim të zgjerojë repertorin e tipologjive hapësinore për veprimtaritë artistike, teatrore, muzikale, ekspozuese, kërcimi bashkëkohor, leximi letrar, kinematografi etj. “Është surprizuese sesi një objekt industrial i braktisur, një objekt i shurdhët bëhet atraktiv sepse nuk i kufizon përdoruesit për qëllimet artistike. “Turbina” po ndërtohet me 2 salla me kapacitet 400 dhe 180 vende me një infrastrukturë dhe teknologji evropiane, (skena të motorizuara, ndriçim skenik, elemente akustikë) dhe 2 skena të hapura”, shkruan ministria.
/Agjensia e Lajmeve Sot News/