Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në Shqipëri: Ju tregoj se çfarë do të ndodhë pas 10 ditësh në Tiranë

Spartak Ngjela paralajmëron arrestime të bujshme në
x

Kultura

Regjisorët në unison: Plagjiatura shkatërron artin teatror dhe mohon procese të mëdha në krijimtari, institucionet ta ndalojnë

Regjisorët në unison: Plagjiatura shkatërron artin teatror dhe

Jeta artistike në vend prej vitesh po përballet me probleme të ndryshme. Regjisorët e njohur të teatrit, që kanë marrë vlerësime me pjesët e tyre që kanë vënë në skenë shprehen se problem është dhe plagjiatura në aktivitetin artistik. Sipas tyre kjo është e dëmshme për teatrin në vend, ndërsa duhet më tepër përgjegjshmëri kur regjisorët vënë pjesë teatrore në skenë. Regjisori i njohur Dhimitër Orgocka, si dhe regjisorja Elma Doresi shprehen se plagjiatura vazhdon të jetë shqetësuese në teatro. Sipas tyre kjo që ndodh po shkatërron artin teatror. “Mjeshtër i Madh” regjisori Dhimitër Orgocka shprehet, se plagjiatura është shqetësuese dhe mohon dy procese të mëdha në krijimtari. “I marrin shfaqjet pa proces krijimtarie. Disa i kopjojnë dhe i vënë në skenë. Por plagjiatura e shkatërron teatrin, e shkatërron artin teatror, sepse mohon dy procese të mëdha. Procesin e krijimtarisë së regjisorit dhe procesin e krijimtarisë së aktorëve, sepse problemi i interpretimit aktoresk është tepër i rëndësishëm në punën tonë”, shprehet regjisori i njohur Dhimitër Orgocka. Sipas tij për një shfaqje teatrore regjisori duhet të ketë një këndvështrim të tijin, por nëse merr një vepër dhe e vë siç e ka vënë dikush tjetër atëherë ai regjisor ka fshirë veten e tij. “Unë nëse do të vë një shfaqje në skenën teatrore do të fus atje shpirtin tim si krijues, do të fus konceptin tim për marrëdhëniet, për jetën dhe për çdo problem që trajton vepra artistike. Kur ti e merr një vepër dhe e vë në skenë siç ka bërë tjetri, ti ke fshirë vetveten tënde nga krijimtaria artistike në teatër. Arti teatror nuk është një këmishë, që e ke hedhur supeve. Arti teatror do që kostumin ta veshësh dhe ta shtrëngosh fort në trupin tënd. Pa lënë kokën dhe shpirtin tënd nuk mundet dot kurrë të krijosh një vepër artistike”, thotë regjisori i njohur Dhimitër Orgocka.

Puna e regjisorit nis muaj përpara

Edhe regjisorja e njohur Elma Doresi më parë ka folur për këtë problem në jetën artistike. Sipas saj dikur ishin kasetat sot plagjiatura vazhdon me CD, gjë që nuk është aspak e drejtë për teatrin. “Më shqetëson plagjiatura, sepse është krijimtari e tjetërkujt nuk është individuale. Nëse dikush do të përplasi kokën mbi mur me ditë të tëra apo muaj, sepse puna e regjisorit nis shumë muaj përpara, por një tjetër del merr punën e tjetërkujt dhe vjen. Dikur kanë qenë kaseta sot janë CD apo nga youtube, që i shohin. Por kjo nuk është drejtë që ti të përfaqësohesh me veprën e dikujt tjetër. Kurrë nuk i kam kuptuar ata që vjedhin një koncept, kostum, skenografi, muzikë, etj. Atëherë, çfarë bën regjisori?!”, thotë Doresi. Në reagimin e saj duke folur për këtë problem, regjisorja Elma Doresi thotë se një krijues i mirë ka një luftë deri në ditën e fundit me shfaqjen dhe sërish vazhdon, ndaj sipas saj ai njeri që kopjon dëmton dhe vlerat teatrale. “Përshembull Shekspiri është vendosur, po vendoset dhe do të vendoset, por nëse do të vendosej gjatë gjithë kohës me të njëjtin imazh atëherë nuk do kishte arsye pse të vendosej. Pra do të kishim një shfaqje të regjistruar dhe nuk do të ishte e nevojshme, që të rishfaqej”, pohon regjisorja Doresi. Në këto kushte ajo thotë se janë institucionet, që duhet të ndërhyjnë për të bërë të mundur që mos të ketë plagjiatura në shfaqjet në skena. Për Doresin plagjiatura që është kthyer në trashëgimi kulturore në teatër, ka ekzistuar, ekziston dhe dikush duhet ta ndalojë. “Mendoj se duhet të jetë një institucion i ngritur nga Ministria e Kulturës, që të merren me këtë problem. Pra të ketë detyrë, që nga të gjitha produksionet gjatë gjithë vitit, të jetë një komision për teatrin, një për muzikën etj, pra sipas fushës përkatëse dhe këto grupe të kenë gjatë gjithë kohës nën vëzhgim këto produksione. Në momentin që konstatohet vjedhja, ministria, institucioni që ngihet të marrë masa urgjente”, vijon më tej regjisorja Elma Doresi. Problemet që pohojnë regjisorët e njohur në jetën artistike, sipas tyre kanë sjellë dhe jo pak diskutime për vepra të ndryshme teatrore.