BREAKING NEWS

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim nga SPAK për presidentin, i kujtojnë bllokun 700 mijë euro dhe reformën në drejtësi

Deputetët e PS i përgjigjen Metës dhe kërkojnë hetim
x

Kultura

Reshat Ibrahimi: Tani është fushatë, askujt nuk i bie mendja për artin dhe artistët, kërkesat tona zvarriten prej vitesh

Reshat Ibrahimi: Tani është fushatë, askujt nuk i bie mendja

Jeta artistike dhe komuniteti i artistëve përballen me probleme të ndryshme, por prej vitesh sipas tyre ka munguar vëmendja e institucioneve. Kërkesat e artistëve dhe çështjet ligjore ende nuk kanë gjetur zgjidhje, ku herë pas here Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë me president Reshat Ibrahimin ka bërë me dije që i janë drejtuar Ministrisë së Kulturës. Në muajin e dytë të këtij viti, kreu i SPASH Reshat Ibrahimi thotë se për çështjet ligjore tashmë mbetet që ato të diskutohen me qeverinë, që do të jetë pas zgjedhjeve në vend. Sipas tij, për shkak dhe të situatës me pandeminë gjërat nuk kanë vijuar më tej, ku dhe drafti për uljen e moshës së pensionit për të marrë mendimet e artistëve nuk u arrit. Reshat Ibrahimi shprehet se sindikata e artistëve i kërkoi Ministrisë së Kulturës të bllokojë punën për ligjin e pensioneve, sepse duhet të merren mendimet e artistëve. Por në reagimin e tij Ibrahimi vijon më tej se çështjet ligjore dhe kërkesat e tjera të artistëve nga Ministria e Kulturës janë zvarritur prej vitesh, duke ardhur në këtë situatë ku tani nuk mund të vazhdohet dot. “Tani nuk i bie më mendja kujt, që të merret me problemet e artistëve apo kërkesat tona, sepse jemi në shkurt të 2021. Kërkesat tona janë zvarritur prej tetë vitesh nga qeveria, Ministria e Kulturës, dhe tani vijoi pandemia. Ne presim që të ulemi si SPASH në takime me qeverinë që do të jetë pas 25 prillit, sepse për tani nuk bëhet dot gjë. Sindikata e Pavarur e Artistëve të Shqipërisë kërkoi bllokimin e ecurisë së punës me projektligjin e pensioneve, për shkak se duhet të marrë mendimin e unifikuar të artistëve dhe pandemia ka qenë problemi për këtë kërkesë, që është bërë në Ministrisë të Kulturës. Situata është e  tillë për shkak të covid-19, që nuk na lejon të mbledhim njerëzit, të marrim mendime dhe të diskutojmë”, thotë Ibrahimi president i SPASH.

 Zvarritja e kërkesave

Në reagimin e tij kreu i SPASH Reshat Ibrahimi vijon më tej se ndërsa për draftin e ligjit të pensioneve është kërkuar të bllokohet puna, sa i takon statusit të artistit apo dhe ligjit për artin Ministria e Kulturës kishte pohuar se do ti bënte në një moment të dytë. Reshat Ibrahimi që herë pas here ka folur për problemet që shqetësojnë komunitetin artistik në vend, thotë se për statusin e artistit dhe ligjin për artin as që mund të mendohet të nisë puna në situatën që jemi. “Statusin e artistëve Ministria e Kulturës nuk pranoi që ta bënte. Tha që do ta bënte në një periudhë të dytë bashkë me ligjin mbi artin dhe kulturën. Gjë për të cilat as ka filluara puna dhe as mendohet që të nisë në këtë situatë, që jemi tani. Çdo gjë është në zero. Kërkesat tona janë zvarritur prej vitesh dhe nuk ka pyetur qeveria as për rritje të pagave. Në tetë vite nuk u bë statusi i artistit, ligji i artit dhe as rritje e pagave për artistët nga shteti. Janë kërkesa që kalojnë në parlament dhe nuk e ka vetëm Ministria e  Kulturës këtë punë”, shprehet Ibrahimi, president i SPASH. Sipas tij tani çdo gjë është në fushatë dhe për artin e kulturën nuk kujtohen. Por në reagimin e tij Reshat Ibrahimi thotë se shpreson që një takim për kërkesat dhe gjërat që kanë mbetur pezull të zhvillohet brenda 2021, në Ministri të Kulturës. “Ne nuk kemi lidhje me politikën. Kur të krijohet qeveria pas zgjedhjeve patjetër që brenda viti 2021 ne do të ulemi sërish në Ministri të Kulturës për të diskutuar për kërkesat tona. Qeveria që do të dalë pas zgjedhje do të fillojë punë. Për artin dhe kulturën askujt nuk i bie mendja tani, sepse po bëhet fushatë”, thotë Ibrahimi në reagimin e tij. Projektligji për pensionet e disa profesioneve të vështira të artistëve është një nga çështjet që prej disa vitesh ka diskutime, por ende nuk ka një draft të miratuar përfundimisht.