BREAKING NEWS

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen detajet ku do të jetë selia

“FBI”-ja shqiptare nis punën më 1 shtator, zbardhen
x

Kultura

Rikthehet kinemaja verore, filmat më në zë shqiptarë shfaqen për publikun, Shkodra zbret te tradita

Rikthehet kinemaja verore, filmat më në zë shqiptarë shfaqen

Shkodra ka rikthyer traditën e vjetër të kinemasë verore. Edhe pe mungonte prej disa dekadash, situata e koronavirusit ka bërë që Bashkia e Shkodrës të shfaqë në ambient të hapur filma për publikun. Kinemaja verore mori jetë në sheshin e qendrës turistike të Shirokës, me një prej filmave komedi hit të kinematografisë shqiptare “Çifti i lumtur”. Një përzgjedhje e veçantë pasi ky film i realizuar në vitin 1976 me trupën e aktorëve të teatrit “Migjeni”, është xhiruar i gjithë në Shkodër. Qytetarë të të gjitha moshave shijuan batutat e këtij filmi që sa herë shfaqet në ekran të dhuron të qeshura por edhe nostalgji për Shkodrën e dikurshme. Nuk mungoi asnjë reagim nga ana e bashkisë. Sipas përfaqësuesve të saj kjo traditë do të vijojë. “Shpresojmë që aktivitete të tjera të zhvillohen edhe me ndihmën e biznesit”, Vinfrida Gazulli. Ndërkohë pati dhe një njoftim për shtyp nga ana e bashkisë. “Bashkia e Shkodrës rikthen traditën e “Kino Verore”. Në sfondin e mrekullueshëm që ofron Liqeni i Shkodrës në Shirokën piktoreske, u shfaq filmi kult “Çifti i lumtur”, një kinokomedi shkodrane në gjithçka. Qytetarë të të gjitha moshave, nën puhizën e freskët të Liqenit të Shkodrës, kanë kaluar më shumë se një orë duke qeshur argëtuar me një nga veprat më gazmore të kinematografisë shqiptare. “Kino Verore” vetëm sa ka nisur...”, njoftoi bashkia. Sot vendi ndodhet në një situatë të jashtëzakonshme, pasi për shkak të pandemisë grumbullimet nuk lejohen. Kinematë dhe teatrot janë mjedis i mbyllur dhe kinemaja verore duket se është dhe zgjidhja ideale. Si për koicidencë dhe specialistët e kanë kërkuar një gjë të tillë. Pak ditë më parë në një prononcim për gazetën, regjisor i filmit të animuar Bertrand Shijaku tha se kinemaja verore padyshim që është zgjidhje në këtë situatë ku ndodhet vendi. “Shfaqjet e filmave këtë kohë dihet që janë problem. Ne duhet të krijojmë si jashtë, që të jenë në ambiente të hapura, pra ku të ruhet distanca. Kjo është një mundësi, që mund të shfaqen filmat këtë kohë, pra të kemi kinema verore. Kinemaja këtë kohë ka shumë probleme dhe për shkak të kohës, që jemi. Por ne kemi buxhete të filmit shumë të pakta. Nuk diskutohet që ne duhet të kemi më tepër buxhet, por varet se sa shteti jep për filmin, ne patëm tërmetin, pandeminë, pra varet se si do të jenë gjërat. Por filmi është me probleme dhe sa më shumë të ketë buxhet aq më mirë është. Buxhetet ngelen gjithmonë thembra e Akilit”, pohonte regjisori Shijaku në reagimin e tij.

Kinemaja verore në vend

Kinemaja verore në vendin tonë ka qenë e përdorur në sezonin e verës. Kryesisht qytete turistike e kanë përdorur për të tërhequr më shumë vizitorë. Gjirokastra mbahet mend si një ndër qytete që e ka përdorur kinemanë verore. Në 2018 Gjirokastra u kthye në një “festival” filmash, ku u shfaqën filma shqiptarë dhe të huaj për 4 ditë rresht. Emra të njohur të kinemasë shqiptare si regjisorë dhe aktorët e roleve të ndryshëm në filmat e rinj shqiptar ishin aty. “Ne u përpoqëm të krijojmë një oaz nën siglën “Ekrani i madh na bashkon” dhe natyrisht u përzgjodhën filmat nga kinemaja botërore dhe filmat premierë të kinemasë shqiptare”, u shpreh në atë kohë Skënder Jaçe, drejtor i “Open Cinema”. Për regjisorin dhe aktorin Edmond Budina organizime të tilla janë të rëndësishme për promovimin e kinemasë shqiptare. Por sivjet kinemaja verore duket më e pakët dhe Shkodra është qyteti i parë ka nisur ta promovojë.