BREAKING NEWS

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe 2 mijë të vdekur brenda ditës

SHBA bilanc lufte, reth 400 mijë të infektuar në total  dhe
x

Kultura

Rikthimi i Festivalit Folklorik, artistët: Të mos ketë deviacione, strukturat e kulturës në rrethe të shkatërruara

Rikthimi i Festivalit Folklorik, artistët: Të mos ketë

Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës do të zhvillohet në muajin shtator të këtij viti. Ministria e Kulturës njoftoi, se edicioni i radhës do të zhvillohet në shtator në kalanë e Gjirokastrës. Ministria e Kulturës shprehej se po merren masat për të qenë një aktivitet dinjitoz për vlerat e trashëgimisë, por për artistët për vlerat e folklorit dhe traditës nuk mund të flitet vetëm kur bëhet një festival. Në reagimet e tyre artistë të njohur popullorë i drejtohen Ministrisë së Kulturës me shqetësimin për shkatërrimin e strukturave të kulturës në rrethe. Këngëtari popullor Gramoz Burba shprehet se ministria duhet të jetë ekipe me specialistët të fushës për platformën e festivalit, por edhe nëse kjo ka nisur ka shumë elementë që duhet të diskutohen. “Ministria e Kulturës duhet të ngrejë ekipe pune, që të përcaktojnë se çfarë duhet, pra e gjithë platforma e festivalit këtë vit. Duhet të ketë grupe të piktorëve për kostumet popullore , që të mos ketë abuzime, të muzikës që mos të sillet muzikë që nuk ka të bëjë me folkun shqiptar, etj. Pra ka shumë elementë që duhet të diskutohen për zhvillimin e festivalit”, pohon Burba, në reagimin e tij. Festivali i parë në Gjirokastër mban vitin 1968, por këngëtari i njohur Gramoz Burba një nga zërat e vlerësuar në skenat tona, shprehet se festivale si para ’90 nuk bëhen dot më. “Festivali i Gjirokastrës nuk bëhet më siç ka qenë para viteve ’90 në vendin tonë. Problemet me festivalin janë, sepse në këto 30 vite fshati ka pësuar rrjedhje. Shtëpitë e kulturës dikur nuk ekzistojnë fare. Rapsodët që merren me këtë punë, janë dhe nuk janë efiçentë, sepse kanë ardhur në qytete. Kjo sigurisht që ka vështirësi dhe këtu nuk pretendohet të bëhet një festival si në kohën para ‘90, por të paktën të ruhen ato që janë më tipiket. E rëndësishme është të jetë lahuta, çiftelia, polifonia, vallet karakteristike”, shton më tej Burba. Për këngëtarin, një festival kombëtar nuk duhet të ketë devijacione në krijimtarinë folklorike. Këngëtar i Ansamblit Popullor, Gramoz Burba shprehet se duhet punuar që në skenë të jenë vetëm grupet që e meritojnë. “Folklori nuk zhvillohet me urdhra dhe platforma zyrash, por zhvillohet spontanisht, ku ka terren, ngjarje historike dhe zhvillime. Struktura e kulturës në fshat është prishur, popullsia nuk është më si dikur. Një festival që të jetë pa devijacione siç ishte radhën e kaluar, që kishte grupe që nuk kishin të bënin fare me folklorin popullor. Në skenë të jenë grupe, që të kenë lidhje me folurin, sepse aty nuk ka lidhje muzika alternative. Nëse nuk diskutohet me kujdes platforma me specialistët e folklorit, lë vend për spekulim”, thekson këngëtari Gramoz Burba.

Strukturat në rrethe pa aktivitet

Drejtuesi i shoqatës “Polifonia Shqiptare” këngëtari Yzeir Llanaj thotë se nuk ekziston më asnjë lloj komunikimi, me seksionet e kulturës në rrethe. “Festivalet folklorike tani çdo ministri e organizon, sepse duan të justifikojnë rrogën që ata marrin nga taksat tona. Dhe e ka për detyrë që ta bëjnë, por ai nuk është më festival folklorik si dikur i Gjirokastrës. Trashëgimia shpirtërore kulturore nuk mbahet nga shtëpitë e kulturës në rrethe, sepse kanë vdekur. Nuk ekziston më asnjë lloj komunikimi me seksionet e kulturës, që janë formale në rrethe sepse nëse do të funksiononte do kishte grupe artistike nga fshatrat e ndryshëm”, thotë Llanaj. Për këngëtarin e polifonisë, folklorin po e mbajnë gjallë vetëm vetë bartësit e tij, sepse nga institucionet nuk bëhet sa duhet. “Strukturat e kulturës që janë në rrethe nëpër bashki të ndryshme, nuk bëjnë asnjë lloj propagande apo aktiviteti, me kulturën popullore më rrethin e tyre. Vetëm janë ato pak shoqata, që bëhen ndërmjet grupeve polifonike, që organizohen dhe po e mbajnë gjallë, sepse seksionet e kulturës nuk ekzistojnë. Ministria duhet të ketë politika në bashkëpunim dhe me bashkitë dhe duhet punuar vit për vit për kulturën popullore, por vetëm kur vjen koha e festivalit flasin”, shprehet më tej Llanaj. Këngëtari popullor Yzeir Llanaj shprehet se në skenën e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës është ngjitur që në 1978, për të vijuar dhe festivale të tjerë më pas, por vëmendja pas ’90 humbi. “Unë kam qenë në skenë e festivalit nga 1978 e deri në vitin ’95. Por ama ishte Festival Kombëtar Folklorik dhe kishte shumë më tepër kujdes dhe vëmendje, më pas jo më”, shprehet Llanaj. Edicioni i 10 i Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës u mbajt në maj të vitit 2015 në kalanë e qytetit.