Lajme të tjera
BREAKING NEWS

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar

Paketa e Biznesit në mbështetje të çdo biznesi shqiptar
x

Kultura

Roland Gjoza: Shpesh ndjej veten të jem në pushtetin e censurës

Roland Gjoza: Shpesh ndjej veten të jem në pushtetin e censurës

Mbrëmja letrare për autorin Roland Gjoza, në 70-vjetorin e lindjes në hapësirat e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit u zhvillua në shenjë mirënjohje për kontributin e tij të çmuar, në prozën shqipe. Ishin të pranishëm botues, poetë, kineastë dhe miq të librit si Mimoza Ahmeti, Bujar Hudhri, Xhevair Lleshi, Esat Musliu, Kristaq Mitro, Buron Kaceli, Faslli Haliti, Diana Çuli, etj. Në këtë mbrëmje në nder të tij autori Roland Gjoza u shpreh se shpesh e ndjente veten në pushtetin e censurës. “Ende nuk kam shpëtuar nga censura e soc-realizmit. Autokontrolli ka qenë shumë i fortë brenda meje gjatë komunizmit, aq sa tani dhe pse kanë kaluar dekada nuk kam mundur të shpëtoj prej tij. Shpesh ndjej veten të jem në pushtetin e censurës”, tha ai. Roland Gjoza, shkrimtar, skenarist, u shpreh kështu përballë një audience me njerëz të letrave dhe kinematografisë në aktivitetin kushtuar 70-të vjetorit të tij të lindjes nga Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit, por sipas tij nuk është e lehtë të heqësh gjithë atë peshë të viteve, duke treguar se sa i fortë ka qenë presioni tek shkrimtarët para viteve ’90. Autori Roland Gjoza sot jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por siç thotë dhe vetë gjurmët e së shkruarës janë kudo tek ai. “Do ishte jo e drejtë ti mohonim, një pjesë e krijimtarisë sonë u shtri në atë periudhë”, shprehet ai. Në këtë mbrëmje letrare, shkrimtari më tej zbuloi detaje të romanit të “Edhe Noe kishte frikë nga vdekja”, ku tha se është shkruar pas një udhëtimi dashurie në Paris. “Romani u shkrua pas një udhëtimi dashurie në Paris. Ishin ditë të trazuara, i kisha premtuar gruas se një ditë do festonin muajin e mjaltit në Paris. Natyrisht ishte një premtim i dhënë në çaste frymëzimi, që harrohej shpejt. Por kjo ndodhi krejt rastësisht dhe ajo javë magjepsëse bëri që të shkruhej ky roman. I ndihmuar shumë edhe nga një rastësi. Fjalia e parë u shkrua në hotel, pikërisht në atë dhomë ku kishte jetuar Heminguej me të shoqen”, u shpreh ai. Po ashtu poeti Gjoza ndau me të pranishmit edhe momente nga fëmijëria e tij dhe rrugëtimin e tij në letërsi dhe si skenarist filmash. “Unë vij nga një familje e madhe tregtarësh, por që patën një fat si gjithë familjet e mëdha gjatë komunizmit. Nga tregtar u kthyen në infermierë”, tregoi ai. Ndërkohë në këtë mbrëmje kineastë të ndryshëm vlerësuan punën me të dhe kujtimet e tyre ndër vite. Roland Gjoza është mjaft i njohur në rrethet artistike në Tiranë e Prishtinë, ndër lexuesit e letërsisë dhe amatorët e filmit.