Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rozi Kostani: Arti dhe kultura në një situatë kaotike, Kumbaro vetëm po e thellon mungesën e transparencës

Postuar: 18/03/2018 - 07:48

Regjisore dhe aktore Rozi Kostani pohon se bashkohet me qëndrimet e artistëve për çështjen e Teatrit Kombëtar, por dhe projektligjin. Në intervistën për “SOT” ajo shprehet se nuk duhet shembur teatri, por kundërshton dhe projektin për godinën e re që është prezantuar. Kostani shpreh keqardhjen që artistët flasin dhe duket se askush nuk po dëgjon për kërkesat e tyre. Një situatë absurde sipas saj, ku Ministria e Kulturës ka jo pak përgjegjësi. Për regjisoren dhe aktoren e njohur ka qenë e gabuar që ministria nuk zhvilloi takime me artistët më parë për projektligjin e artit dhe të merrte mendimet e tyre, duke shtuar se shihet qartë që po thellohet mungesa e transparencës. Në lidhje me projektin e teatrit të ri që është prezantuar disa ditë më parë, sipas saj nuk po mendohet për teatër por ngjan si për një qendër tregtare. E gjitha situatë deri tani me protestat dhe kundërshtimet e artistëve sipas regjisores dhe aktores Rozi Kostani tregon se janë në një kaos dhe zëri i tyre nuk po dëgjohet. Drama “Gishti” e ka rikthyer këtë herë në skenën e teatrit si aktore Rozi Kostani. Protagoniste në një dramë shqiptare, aktorja pohon se flitet për një temë universale dhe nuk është vetëm për Ballkanin. Vepra sjell një këndvështrimi femëror mbi pasojat e pasluftës në përditshmërinë e jetës së dy grave. Një nga traumat shoqërore më të dhimbshme dhe më të thella të trazirave të pasluftës çështja e personave të zhdukur sipas saj është tematizuar në dramën “Gishti”.

-Drama “Gishti” po vijon për publikun në skenën e teatrit. Ju si protagoniste në shfaqje këtë herë vini si Zoe. Me regjinë e Bojana Lazic vepra sjell një këndvështrimi femëror mbi pasojat e pasluftës në përditshmërinë e jetës së dy grave. Si protagoniste në vepër, si ka qenë impakti i publikut?

Drama “Gishti” ka disa javë që po jepet në skenën e teatrit. Ka qenë një impakt shumë i mirë i publikut. Në fillim kanë ardhur edhe me jo pritshmëri të lartë për shfaqjen, meqenëse është një tematikë pas lufte, por në fund kanë dalë duke qarë nga salla. Pritshmëria e publikut ka ndryshuar në fund të shfaqjes, dhe janë shprehur se kanë parë një teatër ndryshe, një shfaqje të vërtetë. Jemi ndjerë mirë si aktore, sepse kemi marrë opinione shumë pozitive për këtë dramë. Gjithçka që unë të isha pjesë e kësaj drame nisi kur u çelën audicionet në Teatrin Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. U futa në audicion. Këtë dramë unë e kisha lexuar para dy vitesh dhe t’ju them të drejtën nuk është se më pati lënë shumë përshtypje, sepse më duk një vepër që ishte për luftën, në vepër vjehrra me një nuse. Pra si fillim nuk më ishte dukur se qe një vepër me atraksion për mua. Por më pas kur unë u futa në audicion dhe fitova, dhe vepra filloi dhe u zbulua nga unë, puna vijoi bashkë me regjisoren, pati një impakt shumë të fuqishëm tek unë si aktore kjo vepër e Doruntina Bashës. Në vepër trajtohet jeta e dy femrave në një rreth vicioz imagjinar, që ato e kishin ndërtuar nga mosbesimi i vdekjes së djalit dhe burrit të saj në luftë. Zhdukja e tyre në luftë, që personazhi im Zoe nuk arrin dot ta pranoi, ajo ka ndërtuar një realitet tjetër sikur ata do të vijnë. Në datën 10 qershor të çdo viti ato të dyja përgatisin një darkë dhe e lënë në shtëpinë e tyre, presin të vijë burri dhe djali. Por kjo nuk ndodh kurrë. Nusja e shtëpisë tashmë e ka kuptuar këtë gjë dhe do ta zgjojë për të thënë, që kjo gjë nuk ndodh dhe duhet ta pranosh që djali ka vdekur dhe duhet të vazhdosh jetën.

-Regjisorja ka pohuar se kjo dramë nuk është ekskluzive vetëm për Ballkanin, por një temë planetare...

Ndaj u shpreha se ne me punë e zbuluam veprën, ajo kalon përtej luftës së Kosovës. E them këtë sepse zhdukja e personave mund të ndodhë kudo në botë. Autorja se ka mbajtur ngjarjen për Kosovën, sepse nuk përmendet asnjëherë lufta apo Kosova në dramë. Vepër me temë universale sepse merret me përditshmërinë, dhe me dhimbjen e madhe të një gruaje ose të një nëne kur humbet fëmijën. Dhe se si e percepton ajo këtë humbje, këtë zhdukej më saktë. Një vepër në teatër, që do të vijojë deri mbrëmjen e së dielës.

 

-Po flitet shumë për Teatrin Kombëtar. Ju gjatë kësaj kohe keni qenë duke u marrë edhe me shfaqjen e re, por cili është qëndrimi juaj si regjisore dhe aktore?

Ashtu si thatë dhe ju unë gjatë kësaj kohe kam qenë duke u marrë me shfaqjen e re në teatër. Puna me provat, premiera dhe netët e shfaqjes në teatër. Nuk kam qenë shumë aktive në mbledhjet që janë bërë për teatrin. Por me atë që tha kryeministri para disa ditësh, na la pa folur. Madje nuk folën dhe ata që ishin të ftuar gjatë prezantimit të projektet për Teatrin e ri Kombëtar. Pra është marrë një vendim i prerë prej tij. Por unë jam që të mbahet ndërtesa e Teatrit Kombëtar mos të shembet, të rikonstruktohet, edhe pse kam dëgjuar që thonë se nuk mund të ndodhë kjo, atëherë nëse shembet të bëhet identike nga e para ashtu siç ka qenë. Ne kishim një referencë të brezave, mos ta humbim traditën e teatrit. Të qëndrojë të paktën dhe si një muze i teatrit shqiptar, mund të jetë dhe funksionale që ta dimë ne nga ku e kishte prejardhjen ky teatër. Mos të jetë një projekt si ai që pamë, dukej si një qendër tregtare në atë zonë. Ai projekt me atë godinën e teatrit që u prezantua mua m’u duk si një qendër tregtare. Por edhe pse ne artistët flasim, janë vendime të marra deri tani nuk na kanë dëgjuar.

-Një çështje tjetër që po kundërshtohet jo pak Ministria e Kulturës është dhe projektligji për artin dhe kulturën. Tashëm i publikuar dhe në faqen zyrtare të ministrisë, por që nga artistët më herët u kërkua pezullimi i tij. Ka mungesë konsultimi me artistët, që më pas iu drejtuan me disa kërkesa ministrisë. Sa shqetësuese është për ju?

Unë jam dakord me të gjithë artistët që janë ngritur për këtë çështje, pjesë e tyre jam dhe unë. Gjykoj që ishte një projektligj absurd për mua. Mes të tjerave aty flitej, që parashikohet që institucionet publike dhe private financohen njësoj nga shteti, jemi në të njëjtat kushte siç ndodhi me arsimin. Imagjino tani kur fondet për teatrin janë aq të vogla, aq të ulëta dhe të hiqen edhe ato pak para dhe të shkojnë te privatët kjo do të sjellë shumë probleme. Sigurisht që para hartimit duhej të kishte konsultuar me grupet e interesit, të merreshin mendimet, të diskutohej. Por tani ministria e hedh projektligjin në faqen zyrtare dhe thotë dhe pret mendime e sugjerime. Pse nuk e bëri që në fillim konsultimet me grupet e interesit? Pse munguan diskutimet me artistët dhe të merrnin parasysh dhe kërkesat tona? Këtë duhet të thotë ministria. Nuk dimë më se çfarë të flasim, sepse shumë po themi dhe askush nuk po dëgjon. Ajo që unë shikoj është një situatë absurde, që askush nuk po pyet më për artistët se në çfarë derexheje jemi. Takime me artistët dhe jo të merret vesh projektligji në fund kur ka mbaruar dhe të thotë pres vërejte në faqen zyrtare.

-Para disa ditësh Ministria e Kulturës në faqen zyrtare bëri publike dhe projektet fituese për 2018. Por dhe këtë vit kur u shpallën nuk u bë me dije buxheti dhe bordi, që u mor me seleksionimin e projekteve. Ju dhe më herët keni kërkuar transparencë por ka munguar?

Ministria e Kulturës nuk ka qenë dhe vijon të mos jetë transparente për asgjë. Unë nuk kam çuar projekt këtë vit, sepse ishte një kusht për projekte dhe për Vitin e Skënderbeut, dhe unë nuk kisha një projekt të tillë. Dhe këtë vit kemi vetëm thjesht shpallje projektesh si fitues dhe as buxhete as kush i seleksionoi. Pra ministrja Kumbaro vetëm po thellon dhe më shumë mungesën e transparencës.

-Akuzat dhe kundërshtimet e artistëve vijojnë ndaj Ministrisë së Kulturës, por në komision të medias kur ka qenë e ftuar për çështje të ndryshme, ministrja ka theksuar jo pak investimet që janë bërë, përmendet mes tyre dhe teatri “Turbina”. Sa shërben për ju si artiste “Turbina”?

“Turbina” nuk mund të jetë zëvendësues e Teatrit Kombëtar, një sallë shtesë po, edhe pse tani ministrja e tha që është e tillë, pra salla shtesë. E dini se si është kjo punë, të vrasin natën dhe të qajnë ditën. Nuk merret vesh se çfarë ndodh. Dëgjojmë deklarata dhe qëndrime ku atë që thonë tani s’e thonë më vonë. Të gjitha këto i sjell mungesa e transparencës që ka qenë dhe vazhdon në Ministri të Kulturës. Ka protesta të artistëve, probleme me institucionet e artit, probleme me ligjin e artit, një situatë kaotike. Nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, vetëm shikojmë që merren vendime.

-Pse e quani situatë kaotike?

Është një kaos. Ne si artistë jemi në një kaos, jemi pa status të artistit, pa mbrojtje. Ne jemi në një pikë që arti dhe artisti nuk ka qenë ndonjëherë më keq. Ne çfarë do ti themi apo të kemi kërkesa për artin te ministrja e Kulturës ajo do bëjë atë që është vendosur.

Intervistoi: Julia Vrapi

 

 

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 25/04/2018 - 08:24

Kisha Shën Kollit në Kurjan e ndërtuar në shekullin XIII në stilin bizantin do të përfshihet në një projekt restaurimi.

Postuar: 25/04/2018 - 08:23

"Kënaqësitë e tradhëtisë" vepër  shkruar nga Valentin Krasnogorov vjen premierë në fundjavë me regji nga Lorin Terezi në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental &

Postuar: 25/04/2018 - 08:20

Institucionet e artit në mjerim, dhe situata është e tillë sa disa prej tyre po shkojë drejt rrënimit.

Postuar: 24/04/2018 - 15:53

Auron Tare është zgjedhur me votë unanime si kryetar i Këshillit Shkencor të Pasurive Botërore Nënujore të UNESCO-s.

Postuar: 24/04/2018 - 08:15

Drama e “Frankenshtain” nga Tim Kelly bazuar në veprën e Mary Shelley vijon netët në skenën e Teatrit Kombëtar me regji nga Ilir Bokshi.

Postuar: 24/04/2018 - 08:14

Shqipëria përfaqësohet në Bienalen e Arkitekturës në Venecia me një pjesë të mjedisit urban të Tiranës.

Postuar: 24/04/2018 - 08:12

Dita ndërkombëtare e librit i gjeti autorët shqiptarë dhe librin shqip të përballur me shumë probleme.