Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rozi Kostani: Ministria e Kulturës po fundos teatrin, mundohet të na gënjejë me një kockë për projektet artistike

Postuar: 19/03/2017 - 08:21

Vepra “Çfarë pa kryeshërbëtorja” shkruar nga dramaturgu anglez Joe Orton riktheu në skenën e teatrit këtë herë si aktore Rozi Kostanin. Një rol, që sipas aktores i mungonte repertorit të saj në teatër. Në intervistën e saj ajo tregon se është një rol i vështirë, por me të veçantat e tij në shfaqjen teatrore, që u ngjit në skenën e Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Shfaqja u shfaq për disa javë në skenën e teatrit ndërsa do të vijojë dhe turin në qytete të tjera të vendit. Aktorja pohon se në shfaqje është një lojë interesante dhe humor anglez, duke vlerësuar autorin Joe Orton. Si regjisore dhe aktore Rozi Kostani është një emër i njohur dhe i vlerësuar në jetën artistike të teatrit në vend. Nuk ka munguar me projektet e saj në skena të ndryshme si regjisore edhe pse pohon se vështirësitë nuk janë të pakta. Por ajo shpreh keqardhjen mbi mënyrën se si vlerësohet sot artisti nga institucionet. Sipas saj te artisti ka mbetur vetëm sadisfaksioni moral. Kostani ndalet dhe te projektet që financon Ministria e Kulturës në fushën e teatrit. Ajo pohon se ndërsa ka mungesë transparence mbi vlerësimet që bëhen për projektet edhe buxheti që jepet është qesharak në jo pak raste. Regjisorja pohon se nuk shpreson që gjërat të kenë përmirësim dhe sipas saj politikat që ndjek Ministria e Kulturës nuk janë në favor të zhvillimit të teatrit. Buxhetet që jepen sipas regjisores për projektet janë të tilla, që vetëm i gënjejnë artistët dhe nuk janë ndihma që ata presin. Për regjisoren dhe çmimi i biletës sot në teatër është me një vlerë të ulët, pasi është teatër live dhe me një çmim 300 lekë të reja është pak për shfaqjen. Regjisorja vijon të pohojë se problemet me të cilat përballen artistët nuk janë të pakta dhe shton se qeveritë ndër vite nuk i kanë dhënë vëmendjen e duhur artit dhe kulturës, gjë e cila sipas saj po vijon. Mungojnë shumë gjëra për artin pohon regjisorja Rozi Kostani dhe duhet të lëvizin shumë mekanizma për të ndihmuar artistin.

 

-Roli juaj më i fundit si aktore në skenën e teatrit ishte ai te shfaqja “Çfarë pa kryeshërbëtorja”. Jeni shprehur se ishte një ndër rolet që ju kishte munguar. Pse?

Në shfaqjen “Çfarë pa kryeshërbëtorja” kam një rol të vështirë, një nga personazhet që më kishte munguar sa i përket diagramës së personazhit dhe risisë, që sjell në repertorin tim në teatër. Ishte interesant sepse shfaqja është një tragjikomedi. Tragjikja është sepse kalon në incest dhe komikja është mënyra se si çifti përpiqet që ti shmangen njëri-tjetrit, por ata sërish bien në kurthin e njëri-tjetrit. Kjo është e bukura tek çifti. Një lojë shumë interesante, humor anglez, Joe Orton është një autor që nuk deshifrohet kollaj, është i vështirë. Më pas kur e deshifron dashurohesh me të për mënyrën e stilit të tij, që nuk ka banalitet, pavarësisht se shpjegon situata shumë njerëzore. Roli i gruas ka një diagramë shumë më ndryshe nga ata që kam luajtur deri tani. Kjo do të thotë që është një personazh gati tragjik brenda sepse kërkon dashurinë e jetës, ajo jeton me të dashurin e saj dhe e kërkon diku tjetër. Por të dy personazhet të njëjtën gjë bëjnë. Janë burrë dhe grua që kërkojnë njëri-tjetrin, kërkojnë lumturinë diku tjetër dhe në fakt e gjejnë aty. Atë që kanë kërkuar e gjejnë te njëri-tjetri.

-Artistët shprehin pakënaqësitë e tyre në projektet që financon Ministria e Kulturës. Për ku ju janë problemet?

Vjet unë isha fituese dhe ishte një buxhet qesharak dhe këtë vit nuk kam konkurruar si individ, por si shoqatë, që sigurisht nuk fitova. Por më e keqja te projektet që financon Ministria e Kulturës nuk është asgjë transparente. Përderisa ne jemi një vend i vogël dhe jemi akoma në këtë gjendje nuk besoj se do të ketë ndonjëherë përmirësim. Ajo çfarë më bën përshtypje është gënjeshtra, e cila me dy lekë pretendojnë se po ndihmojnë njerëzit se po bëjnë teatër apo një vepër artistike. Kjo është ta fundosësh, ta gënjesh, ti hedhësh një kockë, dhe ti bie në kurthin e gënjeshtrës dhe përpëlitesh, mezi arrin të bësh diçka që ta justifikosh. Më tej akoma burokracirat për të marrë ato dy lekë që të jep Ministria e Kulturës janë të llahtarshme. Ka një kalvar tjetër burokracia e dokumenteve, që të duhet të çosh në ministri. Janë procedura koti, këstin e fundit nuk ta japin pa paguar ti vetë më parë aktorët, por nëse unë do kem aq para nuk kam pse shkoj te ministria. Ka gjëra që janë allogjike. Sigurisht që në ministri thonë që ne e ndihmojmë këtë projekt, por ti vetë duhet të gjesh donatorë të tjerë. Ne si artistë e dimë se sa donatorë ka Shqipëria dhe kush të jep për teatër. E tëra ajo që ndodh me projektet është një farsë, për të thënë diku që ne punojmë. Për mua si artiste është më mirë të jepen financime për më pak projekte dhe me buxhetin e duhur se sa t’ju hedhësh nga një kockë të gjithëve për t’iu mbyllur gojën. Sigurisht që duhet të ketë transparencë kush i shqyrton këto projekte dhe mbi cilin kriter zgjidhen. Nuk mund të gjykojë projektet një punonjës kushdo në Ministrinë e Kulturës, i cili nuk merr vesh nga teatri dhe të gjykojë mbi një vepër. Mungojnë shumë gjëra për artin, duhet të lëvizin shumë mekanizma për të ndihmuar artistin.

-Për ju kur flasim për gjendjen e teatrit sa është bërë në këto vite?

Publiku ka ardhur në teatër dhe kjo duhet pranuar. Mjafton të jetë shfaqja e mirë dhe publiku vjen. Por kur flasim për gjendjen e teatrit asgjë nuk ka ndryshuar. Hoqën njerëz, bënë sikur po ndryshojnë gjërat dhe e njëjta procedurë vijon të mbahen ata që janë aty. Teatri ka varësi nga Ministria e Kulturës dhe politikat e saj nuk kanë qenë të tilla, që të jenë konstruktive për teatrin. Teatri është në gjendje të mjerueshme asgjë nuk është e përmirësuar. Në teatër me ato kushte që janë je i detyruar të punosh, por politikat e Ministrisë së Kulturës nuk janë në favor të teatrit. Ministria për shembull mund të krijojë mundësi për teatrin me bizneset, duke ia ulur taksat biznesit ai mund të sponsorizojë teatrin. Mund të bëhet një lloj lëshimi apo marrëveshje me bizneset. E mjerueshme që paguhet bileta akoma në Teatër Kombëtar 300 lekë të reja. Është turp që Teatri Kombëtar të ketë biletën me atë çmim. Sigurisht që gjendja e Shqipërisë nuk është në nivele të larta, por të jetë të paktën 500 lekë të reja bileta, sepse aty bëhet teatër LIVE. Kinemaja e ka çmimin e biletës më të lartë. Për mua është skandaloze që të mërkurë e të enjte çmimi i biletës në teatër është vetëm 150 lekë të reja. Ulja çmimit të biletës nuk është tregues që vjen publiku. Publiku është i lidhur me teatrin prej gjenezës së tij, sepse ai shikon një realitet, shikon vetveten, problematikat dhe më pas fillon dhe reagon. Teatri është nxitje, duhet të jetë gjithë jetën në opozitë. Teatri nuk mund të jetë asnjëherë pozitë.

-Drama shqipe për ju është lënë pa vëmendje apo me kaq sa bëhet është mjaftueshëm?

Është e vërtetë kur thuhet se nuk mund të quhet një Teatër Kombëtar pa pasur dramën shqipe në skenë. Sigurisht që nuk mund të them se kemi prurje që janë të gjitha me nivel, por duhet të përpiqemi si ne regjisorët por dhe teatri, i cili duhet ti krijojë hapësira dramës shqipe. Teatri duhet të krijojë një laborator të saj, duhet punuar shumë më shumë për dramën shqipe. Një neglizhencë të ketë nga lart për dramën shqipe dhe fillojnë me radhë të gjitha.

-Sa vlerësohet artisti sot?

Artisti nuk vlerësohet fare në Shqipëri. Por ne përpiqemi shumë. Më duket nganjëherë si Dashuri në kohën e kolerës. Ashtu është dashuria jonë në art. Brezi im që kemi përjetuar dhe vitin 1997, kemi bërë teatër në kushte shumë të vështira për ta mbajtur gjallë. Kemi brezin e vjetër që kanë ngelur pothuajse në mëshirë të fatit. Është për ti qarë hallin, sepse kanë punuar gjithë jetën dhe jetojnë në një dhomë e kuzhinë, jetojnë në varfëri. Në këto lloj kushtesh nuk e di të them se çfarë është artisti. Fjala artist përballë këtyre kushteve më duket epitet, nuk merr përmasat e një vlere. Janë artistë që kanë një pension skandaloz dhe ndër vite kanë bërë shumë punë. Te artisti ka mbetur vetëm sadisfaksioni moral. Kjo është e turpshme. Të gjithë qeveritë ndër vite deri tani asnjë nuk ka punuar për artistin, sepse iu është dukur kultura gjëja e fundit.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
You voted 2. Total votes: 8

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 21/11/2017 - 07:56

Miqtë dhe familjarët i dhanë lamtumirën e fundit kompozitorit Aleksandër Lalo, që u nda nga jeta në moshën 68 vjeçare nga një atak kardiak. Homazhet në nder të kompozitorit  u zhvilluan në hollin e RTSH-së, ku në sfond ishin kolonat zanore të Aleksandër Lalos.

Postuar: 21/11/2017 - 07:55

Komedia “I ligu për mend” nga Gjergj Fishta me regji të Altin Bashës pas Prishtinës vjen sonte në skenën e Teatrit Kombëtar.

Postuar: 21/11/2017 - 07:53

Specialistë të trashëgimisë kulturore pohojnë se Ministria e Kulturës kryen ndërhyrje minimale te monumentet dhe miraton dhe leje që janë në shkelje me ligjin.

Postuar: 20/11/2017 - 11:44

Po zhvillohen homazhet nisur në orën 11:00 në nder të kompozitorit të njohur Aleksandër Lalo, i cili u nda nga jeta pas një ataku kardiak.

Postuar: 19/11/2017 - 08:06

Juria e Panairit të Librit shpalli fituesit e edicionit të njëzet.

Postuar: 19/11/2017 - 08:05

Ekspozita "Tirana urbane grafike" u çel në Muzeun Historik Kombëtar me punime të autorit të njohur Rakip Shabani.

Postuar: 19/11/2017 - 08:01

Gjashtë dekada Ansambli Kombëtar u shënuan përmes koncertit në skenën e Teatrit Kombëtar.