Kërko Për

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS

Agjencia e Lajmeve SOT NEWS Lajme nga Shqiperia, Kosova, Rajoni dhe Bota, Politike, Kronike, Aktualitet, Dossier, Kulture, Sport

Rudi Sata: Ministria e Kulturës bën rregullore paçavure dhe ligje përpushtet absolut të titullarit, artistët asnjë të drejtë

Postuar: 18/09/2018 - 07:51

Zëri i artistëve për probleme të ndryshme sipas tyre nuk është dëgjuar nga Ministria e Kulturës. Në një kohë që nga ministria publikohen projekte të ndryshme, për artistët në realitet janë një sërë problemesh që ndikojnë në zhvillimin e jetës artistike. Tenori Rudi Sata kryetar i sindikatës së artistëve dhe punonjësve të TKOBAP bën me dije se për problemet që ata hasin i janë drejtuar me një letër edhe titullares së institucionit. Në intervistën për “SOT” tenori Sata tregon se me situatën që janë sot institucionet ku Ministria e Kulturës duhet të kishte treguar vëmendje, kjo e fundit ka munguar. Ai shprehet se baza ligjore lë për të dëshiruar dhe kërkon që takimi me sindikatën e artistëve dhe përfaqësues të ministrisë të zhvillohet për të ndryshuar gjendjen. Tenori Rudi Sata, i cili dhe më parë ka folur për problemet tregon se kërkesat e sindikatës së artistëve janë të drejta, por deri tani nuk është treguar bashkëpunim nga ministria. Sipas tij, një situatë problematike në jetën artistike prej vitesh edhe vetë komuniteti artistik ka përgjegjësi. Ai shprehet se komuniteti duhet të reagojë përballë padrejtësive.

-Ka nisur sezoni artistik, si po vijon për ju?

Besoj që dhe ju jeni në dijeni në lidhje me kalendarin artistik dhe me aktivitetet, që i takojnë të zhvillohen gjatë sezonit artistik të Teatrit të Operës dhe Baletit. Sezoni artistik nisi me veprën e Dvorak “Stabat Mater” te “Turbina” dhe më vonë do të jetë opera “Carmen”. Kjo opera, që do të shfaqet disa net në Tiranë, besoj do jetë edhe në Korçë. Ne si artistë bëjmë detyrën, këtë punë kemi, po bëjmë punën tonë.

-Nga Teatri i Operës dhe Baletit janë publikuar punimet me rikonstruksionin, vizitat që kanë bërë atje artistët. Ju çfarë mund të na thoni deri tani për projektin?

Unë vetë nuk kam asnjë informacion se çfarë bëhet atje. Kam një këshillë për titullaren e institucionit, që duhet të jetë më diplomate dhe më bashkëpunuese me sindikatën e artistëve. Nuk mund të vazhdohet më edhe në 2018 në mënyrë të njëanshme vetëm kulti i individit dhe asgjë tjetër. Ka një sindikatë, e cila kërkon të zbatohen ligjet dhe kushtetuta e vendit, që thotë për bashkëpunim dhe dialog social. Gjë që për fat të keq nuk është në kulturën e titullarëve në Shqipëri. Këto drejtues, kjo politikë nuk e ka në kulturën e saj bashkëpunimin.

-Ju jeni në dijeni që SPASH i ka dërguar një letër Ministrisë së Kulturës, janë tre probleme madhore dhe sipas tyre duhet të priten në takim nga ministrja, afati deri më 25 shtator. Çfarë po ndodh?

Ajo shkresë, që është dërguar nga zoti Reshat Ibrahimi kryetar i SPASH flet për një takim me ministren për problemet. Por dhe Sindikata e Artistëve dhe Punonjësve të TKOBAP i ka bërë disa letra më parë titullares së institucionit për t’u takuar. Kam një sërë shkresash, që janë kërkesë për takim me datë që nga 3.7. 2018, kërkesë për informacion drejtuar juristes së institucionit apo dhe të tjera, por janë pa përgjigje. Janë disa shkresa të protokolluara, ku i drejtohet sindikata jonë për bashkëpunim, që të ulemi dhe të rregullojmë kuadrin ligjor, sepse është tejmase diskriminues për artistin dhe nuk gëzon asnjë të drejtë. Gangrena e këtij ligji është sidomos edh me oraret e punës. Nuk mund të vazhdohet kështu. Ne u përballëm së fundmi dhe me një urdhër, ku na mohohen të drejtat, por dhe në lidhje me oraret e punës, na vidhen 48 ditë punë në vit. Ne punojmë ditë të shtune dhe nuk na quhet. Një titullar institucioni thotë mbaron sezoni artistik me datë 30 qershor, vjen një tjetër titullar thotë mbaron me 18 korrik, vjen një tjetër thotë mbaron me 30 korrik. Kjo është turp. Unë si kryetar i sindikatës kërkoj që të rregullojmë gjërat, të ulemi dhe të diskutojmë, dhe jo të jen gjërat sipas dëshirave të titullarëve në institucione. Prioritar për ne është statusi i artistit, më pas të vijojmë punën dhe për ligjin. Për ne është e panegociueshme, që ligji për artin skenik duhet të bëhet vetëm duke u mbështetur në modelet e Bashkimit Europian. Nuk do të ulemi në takim me ta nëse do të bëjnë një pseudoprojektligj paçavure. Më vjen mirë që dhe koha më dha të drejtë mua. Ishte një palo ligj ashtu siç di të bëjë Kumbaro. Unë dhe këtë herë i bëj thirrje kryeministrit, që ajo ministre duhet të shkarkohet, sepse përveçse është e paaftë ajo është dhe mohuese e të drejtave themelore të demokracisë.

-Në rast se nuk do të zhvillohet takimi që kërkon SPASH, çfarë ndodh duke qenë se dhe ju jeni në dijeni të problemeve, sepse deri tani keni folur për letra dhe kërkesa?

Deri tani ata janë në lojën time jo unë në vorbullën e atyre. Unë çoj letra ata nuk përgjigjen. Pra një përbuzje, një ofezë dhe mospërfillje. Këto që them unë i thotë dhe kushtetuta, dialog social dhe informacion. Ne si sindikatë kemi qenë të gatshëm për të bashkëpunuar dhe ata kanë treguar zero predispozitë për bashkëpunim. Kemi kërkuar që të marrim modelin evropian dhe ia kemi ofruar, ata e kanë hedhur në kosh të plehrave. Dhe duan këto lloj ligjesh, që glorifikojnë pushtetin absolut të titulluarit. Në rast se deri më datë 25 nuk denjon Ministria e Kulturës siç nuk ka denjuar deri tani dhe as teatri, që të na thotë që të do të kemi një takim për të vendosur gjërat siç i ka bota, unë do të dal para trupës artistike dhe do të deklaroj çfarë arrogance ka dhe çfarë ndodh, do të bëj dhe një konferencë për mediat. Do t’u bëj thirrje artistëve, që në rast se duan të kenë dinjitet ata duhet t’i bashkohen sindikatës dhe do të fillojmë protestat deri në grevë me aktivitetin. Ne kemi qenë shumë tolerantë dhe kemi kërkuar bashkëpunim, por s’e kanë dashur. Në rast se komuniteti nuk merr përgjigje unë do të jap dorëheqjen. Nuk është thjesht institucioni që janë autoritar, por edhe vetë komuniteti që nuk ka këllqe për të kërkuar të drejtat e tyre. Kjo është sfida që unë do ti kërkoj komunitetit. Komuniteti nëse nuk do që t’i gëzojë të drejtat, sindikata e ka bërë punën në mënyrë institucionale. Ky komunitet nuk ka se çfarë pret më për shkak të këtyre ligjeve që janë. Nuk gëzojnë asnjë të drejtë, statusi i artistit nuk është bërë, rregullorja në institucione është një paçavure. Nuk quhet rregullore për të drejtat e artistit, por se si ta censurojë.

-Teatri i Operës dhe Baletit ka pasur dhe shfaqja të suksesshme me artistët, vetë drejtoresha ka pohuar se janë heronjtë e teatrit për gjithë këtë punë...

Ne i kemi ofruar bashkëpunim për të rregulluar shumë gjëra. Unë i kam bërë sfidë drejtoreshës që nuk të fajësojmë për këtë gjendje që është në TOB, sepse ligjet i gjeti dhe nuk i bëri ajo, por tani ka ardhur koha që të ulemi të bashkëpunojmë, të ulemi të diskutojmë për problemet.

-Çfarë kërkoni te ligji?

Në projektligji të futen të gjitha standardet dhe kriteret sipas BE. Nuk e kanë bërë deri tani. Në ligj kemi kërkuar ndarje pushtetesh dhe autonomi institucionale. Të ketë një bord artistik të brendshëm 50 përqind të anëtarëve nga administrata dhe pjesa tjetër nga komuniteti. Kjo është ndarje pushteti. Të bëhet një komision disiplinor dhe kryetari të jetë nga sindikata. Kemi kërkuar ndryshimin e orareve të punës dhe rishikimin e tyre sepse ka vakum dhe abuzim ligjor në kundërshtim të kodit të punës. Ne punojmë 6 ditë në javë dhe na sigurohet si pesë ditë. Këto janë abuzimet. Kemi kërkuar që titullari të zgjidhet me votë nga komuniteti artistik, kemi kërkuar depolitizim të institucionit, të drejtat themelore të artistit, kemi kërkuar transparencën.

-Ju kërkoni shkarkimin e ministres së Kulturës, kjo është një kërkesë e përsëritur nga ju. Nga emërimi deri më sot çfarë ka ndodhur?

Pesë vite që ka ardhur ministre Kumbaro, ajo duhet të shkarkohet, sepse do të mbahet mend që nuk ka lidhje me Ministrinë e Kulturës, por prokuroren e Krimeve të Rënda. Ajo nuk ka lidhje me Ministrinë e Kulturës.

-Ju e akuzoni, por mjediset e ministrisë janë dhe për punën me provat e artistëve të TOB...

Unë i përgëzoj artistët për impenjimin dhe sakrificat e tyre të mëdha në kushtet që punojnë, që po bëjnë një punë për t’u vlerësuar dhe admiruar, punë profesionale. E dini se ç’do të thotë të performojë orkestra në sallën e ministrisë? Po vijoi dhe dy vjet janë të gjithë të shurdhuar nga veshët. Kemi korin, një sektor që punon po në probleme. Në vend që të vijnë te artistët dhe të pyesin çfarë hallesh keni, të bëjnë një takim për problemet se aty në ministri janë, por s’e bën. Artistët duhet të kërkojnë të drejtat themelore dhe çdo gjë të bëhet me bazë ligjore. Ministrja të shkarkohet një orë e më parë, sepse po shkatërron institucionet. Sa më shumë të qëndrojë aty, aq më shumë probleme dhe padrejtësi shtohen në kurriz të artistëve.

Intervistoi: Julia Vrapi

/Agjensia e Lajmeve Sot News/

Na Beni Like Ne Facebook: 
Total votes: 1

Lajme nga e njejta kategori

Postuar: 23/10/2018 - 07:30

Filmi “Delegacioni” u vlerësua si më i miri në Festivalin e Varshavës.

Postuar: 23/10/2018 - 07:27

 Ekspozita "Rrëfimet e një koleksioni albanologjik: Shqiptarët dhe Shqipëria nga Skënde

Postuar: 23/10/2018 - 07:26

Buxheti i ulët për realizimin e projekteve në jetën artistike i vendos në vështirësi organizatorë

Postuar: 21/10/2018 - 13:55

Aktori i njohur i skenës teatrale dhe kinematografisë shqiptare,  Neritan Liçaj tregon se ës

Postuar: 21/10/2018 - 07:47

Aktori i njohur italian Michele Placido është shprehur për Teatrin Kombëtar, duke e cilësuar shem

Postuar: 21/10/2018 - 07:46

Ekspozita “Chagall: Graviteti Magjik” prezanton për publikun më shumë se 180 gravura