BREAKING NEWS

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet një person në makinë

Shqipëria nuk gjen qetësi / Plas arma në Elbasan, ekzekutohet
x

Kultura

Salla e koncerteve në UA, Margariti inspekton punimet e restaurimit

Salla e koncerteve në UA, Margariti inspekton punimet e restaurimit

Në sallën e koncerteve pranë Universitetit të Arteve kanë filluar punimet e restaurimit. Ministrja e Kulturës Elva Margariti inspektoi punimet dhe shprehet se restaurimi i sallës së koncerteve është një premtim i dhënë, që po bëhet realitet. “Dukej fort e largët dita, kur do të nisnin punimet për restaurimin e sallës së koncerteve të Universitetit të Arteve. Ky premtim, që i kemi dhënë studentëve, pedagogëve dhe artistëve po bëhet realitet falë mbështetjes financiare të TAP dhe investimit të qeverisë shqiptare. Bashkë me kryebashkiakun Erion Veliaj dhe Malfor Nuri, Drejtor Vendi për TAP - Shqipëri, inspektuam fillimin e punimeve dhe takuam stafin e specialistëve, të cilët janë gati të nisin një operacion shumë delikat për të bërë bashkë traditën dhe modernen”, shkruan Margariti në një status të saj në Facebook. Në shkurt të këtij viti u bë me dije se projekti ka vlerën 3.7 milionë euro, prej të cilave TAP do të financojë 1.7 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër 2 milionë euro do të financohen nga qeveria shqiptare. TAP ka financuar edhe studimin e fizibilitetit dhe hartimin e projektit të detajuar inxhinierik për rinovimin e sallës së koncerteve, me një vlerë prej 150.000 euro. Më herët sipas ministres së Kulturës, kjo marrëveshje e dytë që nënshkruhet me TAP është konfirmimi i një pune gati dyvjeçare për hartimin e projektit, për t’i hapur udhë restaurimit të kësaj salle historike, ku kanë interpretuar artistë të mëdhenj. “Kjo sallë është dëshmitare e artit që është bërë në këto hapësira dhe ato bulëza lirie e demokracie, që kanë lindur pikërisht këtu. Ka qenë një punë e gjatë, që të mund të ruhej çdo element trashëgimie dhe për të integruar në të teknologjinë më të fundit, që do ta shndërrojë këtë sallë në një ndër më të mirat në Shqipëri”, tha ministrja Margariti, në shkurt të këtij viti. Godina e UAT-së gëzon statusin e monumentit të kulturës së kategorisë II dhe si rrjedhojë mbrohet me ligj. Ajo është projektuar nga arkitekti italian Gherardo Bosio, është ndërtuar në vitin 1942 dhe konsiderohet si pikë referimi për arkitekturën shqiptare të periudhës së mes shekullit të 20-të. Universiteti i Firences, i cili ka përvojë në restaurimin e godinave historike dhe objekteve të artit, ka kryer tashmë një studim lidhur me qasjen e konservimit dhe do të vijojë të monitorojë dhe të mbështesë zbatimin e këtij projekti.